Grabitja “intelektuale”
Bastiset shtëpia e biznesmenit Baçi Yzeiri. Autorët, të pamaskuar dhe me dosje në dorë
Silvana Muça
Dy persona, ende të paidentifikuar, kanë grabitur rreth 30 milionë lekë të vjetra në banesën e biznesmenit të disa furrave të bukës në Tiranë, Baçi Yzeiri. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së martës, në banesën e biznesmenit, që ndodhet pranë shkollës “Vasil Shanto”. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se dy persona, të pamaskuar, kanë shkuar në shtëpinë e Yzeirit, gjatë kohës që në shtëpi kanë qenë vetëm fëmijët. Ata janë ngjitur në katin e gjashtë të pallatit, pa hasur në asnjë pengesë. Njëri prej tyre mbante në dorë një dosje, për të mos rënë në sy nga banorët e pallatit, ndërsa personi tjetër kishte një çantë sportive, ku mbante armën e zjarrit. Trokasin në derë, me sigurinë më të madhe, për atë që i priste. Djali i madh i shtëpisë, i cili është 14 vjeç, ka hapur derën dhe i ka pyetur se çfarë kërkonin dhe kush ishin. Grabitësit kanë hyrë me shpejtësi, duke e futur minorenin me forcë brenda apartamentit. Nga çanta kanë nxjerrë armën e zjarrit, duke ia drejtuar 14-vjeçarit dhe motrës së tij më të vogël, 12 vjeçe. Nën kërcënimin e kallashnikovit ata kanë kërkuar vendndodhjen e parave. Të miturit fillimisht kanë thënë se nuk e dinin se ku ishin, por më pas janë trembur dhe djali ka treguar se ku i kishte fshehur babai lekët. Me nxitim, grabitësit kanë shkuar në vendin ku i orientoi vogëlushi dhe atje kanë gjetur një shumë të konsiderueshme parash, të cilat kapin vlerën e rreth 30 milion lekëve. Ata janë larguar duke zbritur nga shkallët, për të shmangur kontaktet e njerëzve në ashensor. Pas kësaj, fëmijët kanë marrë prindërit në telefon. Mes lotësh dhe mjaft të terrorizuar, kanë treguar me detaje gjithçka kishte ngjarë brenda pak minutave. Në bazë të rrëfimit të fëmijëve, Yzeiri ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në banesën e tyre, për të nisur zbardhjen e ngjarjes. Ndër të tjera, në prezencë të prindërve dhe psikologes, hetuesit kanë marrë në pyetje fëmijët, të cilët përshkruan detaje të dobishme për policinë. Pavarësisht kësaj, ende nuk ka asnjë të dhënë për identitetin e dy personave që janë futur në banesën e biznesmenit. Ndërkaq, Baçi Yzeiri është shprehur se autorët dyshohet që ta kenë ndjekur për ditë të tëra, duke planifikuar të gjithë planin e grabitjes. “Kam përshtypjen që grabitësit më kanë ndjekur këmba-këmbës. Ata kanë pasur njohje rreth biznesit tim duke u dhënë mundësi që të krijojnë plane, për grabitjen e banesës. Edhe mbrëmjen e së hënës, ata kanë survejuar lëvizjen time. Kam përshtypjen se e kanë ditur që në banesë nuk kam qenë as unë dhe as bashkëshortja ime. Fëmijët më janë terrorizuar kur kanë parë një gjë të tillë. Gjithsesi, nuk dua që ta zmadhoj më shumë këtë gjë, pasi ia kam lënë në dorë policisë gjetjen e autorëve”, shprehet Yzeiri në lidhjen telefonike. Terrori vazhdon që të përndjekë familjen Yzeiri për atë që ka ndodhur. Bashkëshortja e biznesmenit, nuk guxon që të hapë derën. Pasi shikon përtej “syrit” të derës, dëgjohet kërcitja e çelësit teksa rrotullohet në bravë. Nuk ka as guximin që të dalë përtej pragut. “Nuk kam asgjë për të thënë. Faleminderit për interesimin!” thotë ajo teksa mbyll derën. Ndërkaq, mëngjesin e së martës, policia ka shkuar sërish në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova materiale, për identifikimin e autorëve. Mbledhja e dëshmive, do ta ndihmonte policinë në zbardhjen e identikiteve të autorëve, të cilët nuk kanë qenë të maskuar. Pavarësisht kësaj, ata vazhdojnë që të lëvizin të lirë në rrugët e Tiranës, duke shijuar shumën e konsiderueshme të parave.