Kriza
Kryesocialisti ngre alarmin për gjendjen e krijuar. Apel për votën e 23 qershorit
Deficiti buxhetor për 4-mujorin e parë të 2013-s është më i larti në 5 vjet dhe është dy herë më i lartë se 4 vite më parë: 220 milionë dollarë. “A e kuptoni se në çfarë rruge drejt një humnere financiare po e çon Saliu Shqipërinë. A e kuptoni se çfarë rëndësie themelore ka që, përtej bindjeve majtas e djathtas, Shqipëria dhe shqiptarët më 23 qershor të ndalin me votë këtë rrugë të rrënimit”. Shqetësimet e liderit të opozitës janë ngritur dje, në një dalje të posaçme lidhur me krizën financiare të vendit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në deklaratë për media kërkoi votën e shqiptarëve më datë 23 qershor, me qëllim nxjerrjen e vendit nga ajo, që sipas Ramës, është rruga e shkatërrimit, duke akuzuar kryeministrin se po e çon vendin në një humnerë financiare.
“Ekonomia shqiptare ka pesë vjet që nuk njeh ritme rritjeje, përkundrazi po ulet. Biznesi nuk fiton më si deri para 4 vjetësh dhe për rrjedhojë nuk po investon më. Biznesi i vogël është shkatërruar plotësisht”, tha Rama.
Kreu i PS-së premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes do të hiqet taksa e biznesit të vogël dhe do të ketë përgjysmim të tatimit mbi fitimin për këtë biznes.
“Për të rilindur ekonomia më 23 qershor ka vetëm një rrugë, votë për PS-në, për të vetmin program qeverisës që shpëton vendin nga kriza, hap rrugën për investime, nxjerr arsimin nga tuneli i errët dhe zgjidhjen e shumë problemeve të tjera që ka ky vend”, premtoi Rama.
Disa ditë më pas, sekretari organizativ i PS-së, Ilir Beqja analizoi me detaje situatën me borxhin publik dhe shërbimet ndaj tij. Vetëm në vitin 2012, pagesat shërbimit të borxhit publik janë rreth 520 milionë USD, ndërsa shërbimi i borxhit i ka kushtuar çdo familjeje shqiptare mesatarisht 60 dollarë në vitin 2012, shifër kjo më e madhe se faturat mujore mesatare të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm së bashku, thotë Beqja.
“Bizneset vuajnë, sepse duhet të paguajnë taksën e korrupsionit.
Gjobat, presionet, penalizimet, zhvatjet, TVSH e parimbursuar kanë bërë që taksa e sheshtë nga 10% në letër të kërcejë në mbi 20 për qind bazuar në atë çfarë paguajnë bizneset në të vërtetë”, nënvizoi eksperti i opozitës.
A.K