Gerbrand Bakker and David ColmerShkrimtari holandez Gerbrand Bakker është fituesi i çmimit “The independent” për letërsinë e huaj për vitin 2013, duke lënë pas shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili sipas mediave britanike ishte shumë afër këtij çmimi duke qenë në mesin e gjashtë autorëve për çmimin e madh britanik. Shkrimtari shqiptar ishte përzgjedhur me veprën e tij “Darka e gabuar” e përkthyer në anglisht nga John Hodgson. Në shkrimet e bëra kohët e fundit në shtypin britanik, shkrimtari shqiptar është parë si kandidati më i favorshëm për këtë çmim, për vetë stilin dhe magjinë që mbart ky roman i mrekullueshëm. Por edhe pse gjasat dukeshin që ky çmim t’i shkonte shkrimtarit nga Shqipëria, juria e “The Independent” vlerësoi me këtë trofe shkrimtarin Bakker i cili është fituesi i 10.000 paundëve britanikë, të cilat do t’i ndajë në mënyrë të barabartë bashkë me përkthyesin David Colme. Subjekti i librit të Bakkers tregon historinë e një dijetari holandez i cili tërhiqet nga jeta akademike për të jetuar në një fermë të Uellsit pasi ka fituar një çmim të madh.


Këtë çmim të rëndësishëm e kanë fituar në të shkuarën autorë të njohur si Jose Saramango dhe Orhan Pamuk. Në listën e kandidatëve që Bakker la pas janë shkrimtari Andres Neuman, romancieri Elif Shafak, Gabriel Josipovic si dhe shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, i cili është dhe fitues i “Man booker prize”. Me humor ai është shprehur pas këtij çmimi “se ndihej i lumtur pasi ky çmim ka shumë para që mund t’i përdorë për të rregulluar kopshtin e tij”. Gerbrand Bakker është fitues i çmimit ndërkombëtar IMPAC në Festivalin e Letërsisë në Dublin për përkthimin në anglisht të romanit të tij “Binjakët”. Pjesë e letërsisë së shkruar prej tij janë dhe librat për fëmijë.


Në vitin 2002, ndërsa ishte me pushime në malet e Korsikës ai mendon të shkruajë një histori, e cila do të kthehej në një nga librat më të shitur e vlerësuar, “Binjakët”. Deri në atë moment ai nuk e kishte menduar se mund të shkruante. Bakker ishte shkrimtari i parë holandez i cili fitoi çmimin më fitimprurës në botën e letrave, 100.000 €, në Festivalin e Letërsisë në Dublin. Kritika i ka quajtur shkrimet e tij si të mrekullueshme. JM Coetzee e ka quajtur letërsinë e tij si befasuese.


Romani i tij i tretë është “Rruga e tërthortë” dhe është botuar në vitin 2010. Libri tregon historinë e një gruaje holandeze në moshën e mesme e cila flet për vetminë pas ikjes së të shoqit. Në jetën e tij Bakker është me profesion kopshtar dhe ka marrë licencën e kopshtarisë në vitin 2006. Ai thotë se të shkruarit dhe kopshtaria janë dy gjëra të ngjashme pasi të dyja nuk mund të bëhen bukur pa frymëzimin dhe krijimin. Gjatë dimrit ai punon si instruktor patinazhi. “Në vjeshtë, kur mbledh gjethet e rëna, më duken sikur kanë vdekur, më duhet ta bëj për më shumë se një orë. I shoh ashtu dhe nuk arrij ta besoj se si ato krijesa aq të mrekullueshme tashmë janë pa jetë. Zhurma e tyre është e mrekullueshme dhe vjen si muzikë në mendjen time”, thotë ai.


 


“Darka e gabuar”


Ismail KadareQë nga dita kur ushtria italiane u shpërbë, në vjeshtën e vitit 1943, deri në vdekjen e Stalinit, dhjetë vite më vonë, Shqipëria përjetoi ndryshimet më drastike të imagjinueshme. Ngjarjet e përjetuara në atë kohë, treguar nga rrugët e Gjirokastrës, nuk janë diçka e re në universin Kadarean. Katër dekada më parë, në vitin 1970, përmes romanit “Kronikë në Gur” koha e luftës përshkruhet përmes syve të një fëmije, gjithmonë nga qyteti i gurtë. Më 2008-n, shkrimtari i madh Ismail Kadare botoi romanin e tij më të ri “Darka e Gabuar”, vepër që në shumë kuptime është kronikë në gur e parë nga sytë e një të rrituri. Mënyra me të cilën qyteti e përjetoi largimin e italianëve dhe ardhjen e gjermanëve, si dhe më pas, ardhjen e komunistëve. Ky është gjithashtu romani në të cilin Kadare jep edhe një “vlerësim” shumë krahasues mes pushtimeve italiane, gjermane si dhe ardhjes në pushtet të komunistëve.


Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, që pati studiuar në Gjermani, shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë. Njerëzia ngatërron tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozave. Doktor Gurametoja i madh nuk do të jetë kurrë në gjendje të sqarojë arsyet e darkës. Ai kthehet në hero për disa e në armik për disa të tjerë. “Bëje, o Zot, ëndërr!”, thoshin ata që mendonin se me hyrjen e gjermanëve në Gjirokastër, në shtator 1943, qyteti do të hidhej në erë. Kjo jo vetëm që s’ndodhi, qyteti jo vetëm që përjetoi kohën gjermanike, po si rrjedhojë ngriti historinë e shpëtuesit më të famshëm të pengjeve, doktor Gurametoja i madhi, mbi misterin e të cilit Ismail Kadare ka ndërtuar subjektin e romanit më të ri “Darka e gabuar”. I bazuar në një ngjarje të vërtetë për të cilën qyteti ka dhënë në kohë të ndryshme interpretime të ndryshme, me personazhin e doktor Gurametos që më shumë se karakter është një belle epoque, është një njeri kohë, Kadare rimerr takimet me historinë ku i ka lënë me babazotin e “Çështjeve të marrëzisë”, kështu pra nga ajo stuhi otomane tek flladi perëndimor që i fryu Shqipërisë midis dy luftërash. Kadare nuk është historian, nuk është as shkrimtari që shkruan për njeriun në kuptimin e thjeshtë të fjalës, për karaktere të futur rëndom brenda një dhome shpirtërore dhe sociale herë si në një dhomë parfumesh e herë tjetër gazi. Njeriu i Kadaresë është historia dhe anasjelltas. “Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Në një anë, doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kryqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazistë në qytetin e Jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.