Përplasja


Absurdi, VNV-ja e zonave zgjedhore të Qarkut të Fierit nuk caktohet në qytet, por në periferi


Pike numerimi votash nga Komisioni Qendror i ZgjedhjeveCaktimi i Vendeve të Numërimit të Votave në Fier ka qenë përplasja mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, tha se Vendet e Numërimit të Votave (VNV), në qarkun e dytë më të madh në vend, po vendosen në fshatra, në bastionet e PD-së, si dhe mbi të gjitha mungojnë kushtet minimale. Sipas tij, problemi kryesor qëndron në faktin se VNV-të po caktohen në zona ku historikisht konflikti politik ka degjeneruar deri në përplasje fizike, duke rrezikuar të gjithë procesin e numërimit. “Në këto VNV, minimalisht mungojnë kushtet minimale të energjisë dhe internetit, por kjo nuk është arsyeja kryesore e kundërshtimit pasi ligji nuk e lejon që VNV-ja të vendoset në fshatra apo komuna. Vendi më i mirë për të realizuar këtë proces, pra edhe numërimin elektronik, është Bashkia e Fierit. Në këtë zonë, ku KQZ bazuar në propozimin e limituar dhe antiligjor të prefektit, ka sjellë pasojë që situata ka pasur përplasje të ashpra politike, madje deri në konflikte fizike. Do të prodhonte padyshim emocione negative të forta dhe do të ndikonte në ashpërsimin e situatës politike”, tha Gjonçaj. I gjithë debati bëhej për ZAZ numër 59 në Fier. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, u shpreh se “shteti është në këmbë. Nuk nisemi ne nga këto motive dhe nuk rrimë të ndajmë Shqipërinë, duke thënë se kjo zonë është bastion i kësaj apo asaj partie. Rregullat janë për të gjithë njësoj dhe funksionojnë në të gjithë Shqipërinë”. Ndërsa anëtari i KQZ-së, Klement Zguri nuk i cilësoi si të mbështetura qëndrimet e opozitës. “Fakti që në një zonë të caktuar ka tensione politike për mua nuk është argument. Në rast se do të ishte argument do të thosha se dhe KQZ nuk është e sigurt se në 2011-n na rrethuan këtu sikur të ishim banditë”, tha Zguri. Pas këtyre përplasjeve është shtyrë votimi i kësaj VNV-ve. Debate ka pasur dhe për çështjet e qendrave të votimit në ambiente private, ku Gjonçaj kërkoi që të hiqej dorë nga ngritja e tyre në objektet që zotërohen nga militantët e PD-së. KQZ votoi me katër vota projektvendimin për miratimin e 42 Vëzhguesve të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve OSBE/ODIHR, së bashku me 33 përkthyes si dhe projektvendim për miratimin e 10 vëzhguesve të Institutit Demokratik Amerikan (NDI), dhe 2 përkthyesve për zgjedhjet e 23 qershorit.