RAMADAN RAMADANI
Përgjigjja në pyetjen e kahershme nga titulli i këtij shkrimi, e që kamotshëm këndohej nga grupi kosovar “Minatori” është e vështirë për Maqedoninë kur kihen parasysh gjithë analizat mbi gjendjen e forcave opozitare, varfërinë e popullatës, sundimin e ligjit dhe inxhinierinë elektorale që u dëshmua në zgjedhjet e fundit lokale.
Disa deklarata dhe ndodhi të ditëve të fundit u bënë shkas që të mendohet rreth asaj se si mund që të mbarojë krejt kjo gjendje e status quo-së në Maqedoni. Gjendje kjo që mund të kontestohet, nëse është e mirë apo e keqe, por për një konstatim se në Maqedoni nuk ka asnjë depërtim, as ideor e as praktik, shumë pak mund të ketë vend për kontestim. Kjo shihet nga ajo se as pozita, as opozita e as ajo që prezantohet si shteti, e që tani është shumë e ngjizur me atë çka janë partitë qeverisëse, nuk kanë as idenë e as iniciativën për të shpënë ndonjë projekt madhor përpara në këtë Maqedoni. Ashtu krejt politika e muajve të fundit është reaksion për gjëra që në opinion dalin spontanisht dhe askush nuk merret me çështjet dhe prioritetet esenciale që i ka kjo shoqëri dhe shtet.
Por orvatja më e përafërt për një përgjigje të saktë se si do mbarojë apo si mund të ndryshojë kjo gjendje, që me terma inxhinierie mund të prognozohet se shkon kah implozioni (e kundërta e eksplozionit), është se do ndodhë diçka në rajon, botë ose se shqiptarët e Maqedonisë do ndërmarrin ndonjë nismë ose investim të ri politik.
Se duhet dhe bile është e domosdoshme ndonjë nismë e re politike nga shqiptarët më së miri u dëshmua edhe tani rishtazi kur në të njëjtën ditë kishim paraqitje publike të dy liderëve partiakë të partive më të mëdha të shqiptarëve në Maqedoni. Ashtu i pari në një intervistë televizive të gjatë dëshmoi për të satën herë se është në disproporcion me atë çka pretendon se përfaqëson: shqiptarët e Maqedonisë. Që simbolikisht u dëshmua duke përmendur pagesat rrugore (?!). Mbetet të shihet nëse kjo përmendje e pikëpagesave rrugore është pranim i nënvetëdijshëm për pozitën politike që ka BDI në këtë qeveri?
Dhe i dyti, që për të satën herë e ndyti, kur me një intervistë për një të përditshme në gjuhën maqedonase, shau e mallkoi, tani edhe hijen e fundit që i kishte mbetur: Tetovën dhe tetovarët. Kjo deklaratë përkujton në Paradoksin e Epimenidit i njohur si paradoksi i gënjeshtarit, ku Epimenidi vetë një Kretan (banor i ishullit Kretë) thotë: Kretanët janë gënjeshtarë. Zgjidhja më e afërt për këtë paradoks logjik është: Epimenidi është gënjeshtar. Përkthyer me deklaratën e këtij politikani është se ai vetë është tradhtari! Kjo pasi deklarata “tetovarët janë tradhtarë” nuk është e vërtetë pasi është thënë nga vetë njëri prej atyre tetovarëve që janë tradhtarë!
Sa i përket ofendimit të dytë që patëm rastin ta dëgjojmë po këtyre ditëve në llogari të tetovarëve dhe shqiptarëve të Maqedonisë, së bashku me akuzën se jemi “të vrazhdë” mjafton të përkujtohet se nga çfarë ambienti i vrazhdë u drejtuan këto fjalë?!
Të dyja këto ofendime mund të shpien në konstatimin e moçëm: kur sheh se sa të këqij e shajnë dikë, ende më shumë bindesh në mirësinë e atyre që janë të sharë nga këta të këqijtë.
Po ashtu, edhe të dyja paraqitjet publike të liderëve të strukturave politike shpien në një konstatim se janë vardisje ndaj “sunduesit” të Maqedonisë: kryeministrit Gruevski! Ashtu lideri i parë e bën këtë vardisje duke e arsyetuar atë para shqiptarëve kurse ky i dyti, madje edhe duke i përjashtuar ata shqiptarë që nuk arsyetojnë kësisoj qeverisje!
Ali Ahmeti sigurisht është duke keqkuptuar pakënaqësinë evidente shqiptare nga kësisoj qeverisje, pasi përmend daljen nga qeveria dhe pikëpagesat rrugore. Moti kohë askush prej tij nuk ka kërkuar dalje apo braktisje të qeverisë. Bile e kundërta, gjithë trysnia i është bërë të mbetet në qeveri, por që të qeverisë, vërtet dhe mirë.
Kurse ndodhitë nga rajoni që kanë efektin rajonal mu në Maqedoni dhe për Maqedoninë ishin të shpeshta këtyre ditëve. Ashtu një i kërkuar për rrjet tregtie me narkotikë u burgos në Kosovë kurse këtu u pensionua, paksa më herët, një funksionar i lartë policor. Këtu nuk ka ende census të popullatës, por kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, edhe atë në Sofje të Bullgarisë, përmendi se përqindja e shqiptarëve të Maqedonisë është bile më e madhe se çereku i përmendur. Një pronar i shkritores nga ku janë blerë gati gjysma e skulpturave të projektit “Skopje 2014” u burgos në Serbi. Djali i një politikani të këtushëm është kapur në Greqi duke bartur lëndë narkotike.
Krejt këto dëshmojnë se Maqedonia nuk është ndonjë ishull i izoluar e aq më tepër që ka kapacitet diçka për të kontrolluar. Prandaj, deri atëherë kur do mbarojë i gjithë “ky muhabet”, të gjithë njerëzit mbetet vetëm normalitetin ta kenë ruajtur.