Një gjigant i detit, me gjatësi 210 metra, e aftë për të shkaktuar frikë në zonat ku kalon, përfundon gjithsesi në një kantier detar të vogël në Turqi. Megjithëse e paarmatosur, çmontimi i saj do të kërkojë një plan “lufte” të vërtetë
Anije në “pension”
Ish-anija flamurmbajtëse e Marinës Mbretërore të Britanisë së Madhe, Anija e Madhërisë së saj (HMS) “Ark Royal”, do të tërhiqet me kavo drejt një kantieri çmontimi në Turqi. Por si mundet të çmontosh një aeroplanmbajtëse?
Pati ide të ndryshme për të ardhmen e “Ark Royal”. Një propozim ishte që ta fundosnin atë për ta kthyer në një zonë për zhytësit në brigjet e Britanisë; një sugjerim tjetër ishte që ajo duhej të bëhej një kazino lundruese në Hong-Kong dhe një plan për ta kthyer në helioportë për Londrën. Por të hënën, qindra njerëz u mblodhën, ndërsa anija 2010 metra e gjatë la portin e saj të shtëpisë Portsmouth për udhëtimin e fundit.
E dekomisionuar pesë vjet para afatit për t’i kursyer para Ministrisë së Mbrojtjes, ajo do të tërhiqet me kavo për te një kantier detar pranë Izmirit në Turqi, pasi u shit bashkë me një nëndetëse tjetër për 4.4 milionë dollarë. Sapo të mbërrijë në Turqi, ajo do të përballet me një fat prej anijeje të injoruar dhe do të kthehet në 20 mijë tonë metal skrap. Për të mbërritur këtu do të duhet një proces i gjatë. Do të duhen së paku dy vjet punë.
“Do të punësohen më shumë se 300 njerëz, si dhe do të jetë një operacion pa ndërprerje, 12 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, thotë një ekspert. Një sfidë e krahasueshme me “Ark Royal” iu prezantua punëtorëve të një kompanie britanike në vitin 2009, kur aeroplanmbajtësja franceze “Clemenceau” mbërriti për t’u çmontuar.
Hapi i parë është të zbulohet se çfarë substancash të rrezikshme gjenden në bord. Në rastin e “Clemenceau”, kishte shumë gjëra të tilla si 1 mijë ton asbest, naftë apo ujë i ndotur – gjëra që sollën protesta për vendimin për ta çmontuar atë në territorin e Britanisë së Madhe.
Është përgjegjësia e pronarëve për të dhënë informacione të rëndësishme, mbi të cilat çmontuesit do të hartojnë planin. Ministria e Mbrojtjes thotë se puna për ta përgatitur për çmontim “Ark Royal” filloi menjëherë sapo ajo u nxor në “pension” më 2011-n.
Të gjitha pajisjet u hoqën “dhe të gjitha mbetjet me potencial ndotës, si asbesti, u hoqën ose, në rastin kur janë pjesë integrale e anijes, u katalogun në mënyrë që të monitorohet heqja dhe administrimi i tyre”.
Deri në dy muaj do të shpenzohen për të kryer vlerësimin mjedisor, pas së cilës në trupin e anijes do të hapen “dritare” për të siguruar ventilim. Një skuadër prej 150 vetash do të fillojë punën për të çmontuar pjesët me asbest. Në rastin e nëndetëses franceze, asbesti u gropos në një gropë plehrash, ndërsa ndotësit e tjerë, si vajrat dhe ujërat e ndotur, u përpunuan në një impiant të posaçëm. Pjesa kryesore e pastrimit kërkon rreth 12 muaj. Një skuadër pastrimi vijon punën edhe pasi anija fillon të bëhet copa-copa.
Pas kësaj, fillojnë të priten copa që variojnë nga 50 në 200 tonë, duke filluar nga bashi ose nga kiçi i anijes, ku një model tredimensional përdoret për të vendosur sesi të punohet në kushtet e sigurisë. Kur “HSM Invincible” u çmontua, seksionet e saj u hoqën nga bashi.
Një çift ekskavatorësh me forcë ngritëse 150 tonë përdoret për të transportuar copat te një zonë aty pranë, ku prerësit me gaz i bëjnë në copa të vogla të përshtatshme për t’u futur në furrnaltat e riciklimit, pra në copa me madhësi 60×150 cm. Ndërkohë, pjesë të ripërdorshme të anijes, si pompat dhe tubat, do të jenë çmontuar dhe shitur. Në rastin e “Clemenceau”, 98 për qind e të gjithë anijes u riciklua.
Çmontimi i anijeve kryhet në përputhje me standardet e përcaktuara nga Konventa e Hong-Kongut. Kjo u propozua dhe u zbatua për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe shëndetësore për praktikat e zbatuara në disa vende, si Bangladeshi, ku anijet çmontoheshin në plazh.
Procesi është gjithsesi shumë i zhurmshëm. Çekiçët që do të godasin pjesët e pafund të anijes gjatë çmontimit do të kenë fuqinë të shurdhojnë punëtorët. Kompania turke që merret me çmontimin, ka punuar më herët edhe me shumë anije të tjera të flotës britanike. “Ark Royal” është një nga tre aeroplanmbajtëset e gjeneratës së saj. Vetëm një prej tyre mbahet ende në punë. Ajo do të nxirret në pension në vitin 2014, por Ministria e Mbrojtjes shpreson që ajo të mos dërgohet për skrap, por të kthehet në një muze si një “tribut” për gjeneratën e aeroplanmbajtëseve “Invincible”.
Çmontimi
Një plan do të hartohet në detaje sapo materialet e rrezikshme në bord do të identifikohen. Anija do të sigurohet në port dhe do të kryhet një vëzhgim mjedisor. Mbetjet e rrezikshme, si asbesti dhe lëndët djegëse, do të hiqen. Seksione të mëdha do të hiqen duke përdorur vinça, ekskavatorë dhe prerës të mëdhenj.
Anija do të pritet më pas në copa më të vogla, të cilat do të shiten për riciklim.