Fryma e re Demokratike ka reaguar sot lidhur me publikimin e sondazheve të fundit, duke i cilësuar si “tentativat më të fundit të disa lobistëve të dështuar politikë për të dezinformuar opinionin publik me pseudo-sondazhe mbi rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013”.
Duke marrë shkas nga sondazhi i dytë i një kompanie Italiane bërë publik nëpërmjet një televizioni privat, FRD- ja ka denoncuar publikisht nëpërmjet Ervin Karamuço,
Sekretar për çështjet zgjedhore në këtë parti, shifrat e publikuara në këtë sondazh si të pavërteta, tendencioze dhe që synojnë të shtrembërojnë realitetin e vullnetit të zgjedhësve shqiptare.
“Duket se pas shumë tentativash të përsëritura, për të manipuluar zgjedhjet, për të eliminuar partitë e reja me anë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke lënë të bllokuar KQZ pa kuorumin e nevojshëm, duke dështuar sistemet elektronike të zgjedhjeve, duke dubluar listat e zgjedhësve, duke mbledhur kartat e identitetit të administratës, duke hequr njerëz nga puna dhe duke bërë presion edhe nëpërmjet gjobave ndaj biznesit, së fundi kanë gjetur edhe një mekanizëm të ri, i cili është manipulimi i mendjes dhe vullnetit politik të zgjedhësve shqiptare me anë të dezinformimit publik.
Partia jonë i siguron 15 mijë anëtarët e saj në Tiranë, 80 mijë anëtarët e saj në të gjithë vendin, të gjithë simpatizantët dhe mbështetësit që po shtohen nën frymën tonë çdo ditë se vota dhe vullneti i tyre është i qartë, i dukshëm dhe i garantuar. Askush nuk duhet të guxojë që nëpërmjet pseudo-sondazheve të deformojë këtë fluks kaq të madh mbështetje ndaj FRD-së, qoftë dhe nën petkun e kompanive të huaja”, ka thënë Karamuço. Ai ka theksuar më tej se FRD do të ketë një përgjegjësi të madhe për vendimarrjen e nesërme kuvendore dhe qeverisëse të vendit.
“I bëjmë thirrje të gjithë politikanëve, të rinj dhe të vjetër, analistëve dhe sozive të tyre, çdo kompanie vendase apo të huaj që operon në fushën e sondazheve, që përpara se të marrin në analize peshën e FRD-së në këto zgjedhje të paraqiten në selite tona në të gjithë vendin dhe të konsultohen me të dhënat e fundit që ne disponojmë lidhur me situatën faktike të dominancës tonë në elektoratin shqiptar.
Çdo përpjekje tjetër për ta parë FRD në një botë virtuale, sipas shijeve politike të njërit apo tjetrit, nuk është gjë tjetër vetëm se shprehje e një paniku të madh që po zë vend me shpejtësi në realitetin e partive të vjetra për shkak se shifrat e tyre reale po tregojnë me kokëfortësi se në këto zgjedhje ato nuk janë fituese, madje as me pazare mandatesh midis tyre”, ka përfunduar Karamuço.
22 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)