Numri – Në sondazhin e dytë të “IPR Marketing” u intervistuan 1002 persona në rang kombëtar, të ndarë në mënyrë proporcionale në qarqe. Po ashtu u pyetën 1002 persona vetëm në Qarkun e Tiranës


Problemet – Shqiptarët thonë se problemi kryesor që kanë është papunësia, me 74 për qind të të pyeturve që e shohin si problemin kryesor. Më pas vjen kriza ekonomike dhe korrupsioni


Liderët – Më shumë shqiptarë mendojnë se fushatën elektorale e drejton më mirë dhe në mënyrë më bindëse Edi Rama, sesa Kryeministri Sali Berisha. Por sërish janë 38 për qind që nuk e dinë ende.


Në Tiranë, e majta merr 17 mandate, e djathta merr 15. FRD-ja, asnjë


Herion Mesi



Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, koalicioni i majtë do t’i fitonte ato me katër pikë para koalicionit të djathtë. Është ky rezultati i sondazhit të dytë, i realizuar nga kompania e njohur europiane e sondazheve “IPR Marketing”, që u publikua dje në mbrëmje në emisionin “Tonight Ilva Tare”. Sipas rezultatit të përllogaritjes së votës në rang kombëtar, koalicioni i majtë është ngritur me dy pikë nga sondazhi i parë, duke arritur në 48 për qind nga 46 për qind që ishte dy javë më parë. Kurse koalicioni i djathtë ka ruajtur të njëjtën kuotë prej 44 përqindësh që ishte më parë. Sa u përket përqindjeve të partive kryesore, sipas “IPR Marketing” rezulton se, PS-ja dhe PD-ja ndajnë rezultat të njëjtë, duke marrë nga 38 për qind. Ndërsa LSI-ja është ajo që ka pësuar rritje duke kapërcyer nga 5.5 për qind në 6.5 për qind në rang vendi brenda dy javësh. Nga ana tjetër, sipas ekspertëve zgjedhorë, kanë pësuar rënie dy partitë që garojnë si të pavarura, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuqezi.


Gara në Tiranë


Në sondazhin e publikuar dje në mbrëmje, kompania “IPR Marketing” përveç sondazhit kombëtar, publikoi edhe një sondazh të dytë rajonal, i zhvilluar vetëm në Qarkun e Tiranës. Sipas sondazhit, ndarja e mandateve në Tiranë është 17 me 15 në favor të koalicionit të drejtuar nga Edi Rama. Konkretisht, koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” kryeson me 49.5 për qind të votave, kurse koalicioni i djathtë “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” merr 45 për qind të votave. Ndërsa duke iu referuar përqindjeve të marra si parti, rezulton se dy partitë kryesore PD-PS ndajnë numër të barabartë mandatesh, ku ato marrin nga 14 mandate secila. Diferenca mes dy koalicioneve bëhet pikërisht nga mandatet e LSI-së, e cila ka shënuar rritje në këtë përllogaritje me 3 mandate. E krahasuar me shifrat e 2009-s, LSI-ja ka arritur të dyfishojë rezultatin, ku nga 4 për qind është rritur në 8 për qind të votave.


Sipas ekspertëve italianë, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit merr 1 mandat dhe e çon aleancën e djathtë në 15 mandate në Tiranë. Në sondazhin e realizuar vetëm për Tiranën bie në sy se FRD-ja e Bamir Topit nuk merr asnjë mandat.


Sondazhi


Në sondazhin e dytë të kompanisë italiane “IPR Marketing” u intervistuan 1002 persona në rang kombëtar të ndarë në mënyrë proporcionale në qarqe, sipas popullsisë përkatëse dhe në të njëjtën mënyrë edhe 1002 persona vetëm në Qarkun e Tiranës. Janë pyetur 565 persona në zonat urbane dhe 437 persona në zonat rurale. Sa i përket pyetjes se kush po e drejton në mënyrë më bindëse fushatën elektorale, 36 për qind e të intervistuarve mendojnë se Rama, 25 për qind mendojnë se fushatë më bindëse po bën Berisha, ndërsa një shifër akoma më e lartë shprehet indiferente ndaj kësaj pyetjeje, ku 38 për qind e të intervistuarve janë shprehur se nuk e dinë dhe nuk u intereson kjo gjë. Ndërsa përfaqësuesi i IPR-së, Antonio Notte, gjatë prezantimit të rezultateve të sondazhit, theksoi se ashtu si në sondazhin e parë, “shqiptarët sërish thonë se problemi kryesor që kanë është papunësia, me 74 për qind të të pyeturve që e shohin si problemin kryesor. Më pas vjen kriza ekonomike dhe vijon ligjshmëria dhe lufta ndaj korrupsionit”, theksoi Notte. Ndërsa në një tjetër pyetje, më shumë shqiptarë thonë se po e ndjekin fushatën, por pa interes. “IPR Marketing” sqaroi se marzhi i gabimit në këtë sondazh të realizuar është 2.5 për qind.


 


Periudha – “IPR Marketing” prezantoi dje sondazhin e dytë, të realizuar për periudhën treditore 15-18 maj


Në rang kombëtar rezultati se kush i fiton zgjedhjet, është:


Aleanca për Shqipërinë Europiane


PS 38%.


LSI 6,5%


PSD 1%


PBDNJ 0,5%


G99 0,5%


PDS 0,5%


TJETËR 0,1%.


Gjithsej 48%


 


Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim


PD 38%


PR 1%


PDIU 1%


PDK 0,5%


PAA 0,5%


LZHK 0,5%


PARTI TJETËR 2%


Gjithsej 43,5%


Pyetjes se nëse nënshtetasit shqiptarë jashtë kufijve duhet të votojnë në shtetin ku jetojnë apo duhet të kthehen për të votuar në Shqipëri, të intervistuarit i janë përgjigjur se duhet të votojnë në shtetin ku ata jetojnë.


Gabimi – Sipas drejtuesve të sondazhit, marzhi i gabimit i anketimit telefonik të realizuar është 2.5 për qind


Mënyra – Intervistat janë kryer me telefon, 70 për qind me celularë dhe 30 për qind me telefona fiks.


Zonat – Janë pyetur gjithsej nga kompania italiane 565 persona në zonat urbane dhe 437 persona në zonat rurale


16-vjeçarët – Shumica dërrmuese e të pyeturve, 70%, janë kundër propozimit të Berishës për të votuar edhe 16-vjeçarët