Mes viktimave, edhe shumë fëmijë që u zunë në kurth në një shkollë në Oklahoma
Së paku 91 njerëz, përfshirë 20 fëmijë, besohet se mund të kenë vdekur kur një tornado me gjerësi tre kilometra shkaktoi rrënim në qytetin e Oklahomës, duke i vënë viktimat në kurth nën rrënoja. Një shkollë fillore u godit drejtpërsëdrejti dhe një tjetër u shkatërrua.
Presidenti Barak Obama deklaroi gjendjen e katastrofës në Oklahoma duke urdhëruar që ndihma federale të plotësojë ndihmën shtetërore dhe lokale në qytezën Moore, një periferi e Oklamoha Siti. Kjo konsiderohet si tornadoja më vrasëse në SHBA në dy vjet, kur një e tillë vrau 161 njerëz në Misuri.
Skuadrat e kërkimit punuan me dëshpërim në rrënojat e shkollës fillore të shkatërruar në përpjekje për të shpëtuar sa më shumë jetë. Qyteza me 50 mijë banorë u dëmtua rëndë. Një mjek në Oklahoma tha se 20 nga 91 të dyshuarit si të vdekur pritet të jenë fëmijë. Së paku edhe 240 njerëz të tjerë mbetën të plagosur.
“Ne menduam se vdiqëm, pasi gjendeshim brenda bodrumit… dera u zhvesh dhe xhamat e mbetjet u përplasën mbi ne aq sa menduam se qenë të vdekur”, tha Ricky Stover, ndërsa vëzhgonte mbetjet e shtëpisë së tij.
Qyteza u dëmtua rëndë, tabelat e sinjalistikës u zhdukën, dritat u ndërprenë, ndërsa makinat u përplasën si të ishin lodra. Skuadrat e shpëtimit kërkuan për të mbijetuar, ndërsa stuhia e rrezikshme kërcënoi shumë shtete të jugut. Teksasi i jugut është zona më e rrezikuar aktualisht.
“Unë isha fshehur në banjë kur dëgjova diçka si tren që po afrohej”, tha Ninia Lay, 48 vjeç, nga spitali ku po mjekohej. Shtëpia u shkatërrua dhe Lay mbeti nën rrënoja për dy orë deri sa bashkëshorti i saj dhe skuadrat e shpëtimit e nxorën.
“Falë Zotit kisha celularin me vete, mora në telefon bashkëshortin tim për ndihmë”, tha ajo. Vajza e saj, Catherine, shtatë vjeç, gjendej në shkollën e shkatërruar. Ajo dhe fëmijët e tjerë u strehuan nga mësuesit në banjë kur tornadoja goditi. Catherine shpëtoi me gërvishtje dhe të çara.
Tornadoja u klasifikua si EF4, shkalla e tornadove të dyta më të rrezikshme, me erë, shpejtësia e së cilës shkonte deri në 300 kilometra në orë. Paralajmërimi për tornadon iu dha qytezës 16 minuta para se ajo të mbërrinte. Zakonisht paralajmërimet jepen vetëm 8 deri në 10 minuta përpara. Jeta e banorëve të qytezës u dëmtua rëndë, shumë prej tyre tashmë po mbledhin çfarë ka mbetur nga shtëpitë e tyre.