Ambasadori i SHBA: Fituesi duhet të marrë më shumë se 72 mandate në zgjedhje


arvziu ne opioninAmbasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka dhënë një intervistë mjaft të fortë mbrëmë vonë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ku zoti Arvizu është vënë në shënjestër për qëndrimet e tij publike për çështjen e KQZ-së. Ambasadori Arvizu ka deklaruar se rotacioni politik është diçka e mirë, por ka nënvizuar se ambasada e SHBA-së nuk favorizon askënd në zgjedhje, ndërkohë që ka paralajmëruar se situata është dramatike si pasojë e ngërçit në KQZ, ndaj do të duhej një rezultat i qartë dhe i thellë në zgjedhje, që të mos


dërgohet për ankimim në Kolegj, sepse pasojat do të ishin të rënda. Ndërkaq, ambasadori Arvizu ka zbardhur bisedën e tij me një zyrtar të lartë të qeverisë (nuk ia ka përmendur emrin), i cili si mjaft njerëz pranë mazhorancës, ka hedhur tezën se qëndrimet e tij kanë qenë personale dhe jo zyrtare të Uashingtonit. Zoti Arvizu, duke u ndalur në këtë bisedë, theksoi: “Kur bëra deklaratën për KQZ-në, një zyrtar i qeverisë më pyeti nëse kam qëndrim personal apo të SHBA-së? Unë iu përgjigja: Nuk kam luksin që të kem qëndrime të mia personale, ndërkohë që as ju dhe askush këtu nuk ka luksin të vendosë se kush do të jetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri”.


KQZ


Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, deklaroi se gjatë bisedës me kreun e PS-së, Edi Rama, kishte vënë re se ai ishte dakord që të rikonfigurohet KQZ-ja. “Nga pikëpamja e PS-së, ata nuk kanë një objeksion të parimit për të qenë 3 me 3. Kjo mund të ishte zgjidhur politikisht. Duhet t’i tregoni bashkësisë ndërkombëtare se dialogoni”, theksoi Arvizu. Duke iu rikthyer deklaratës së 15 prillit për KQZ-në, diplomati kryesor i Uashingtonit në Shqipëri theksoi: “Kam pasur disa biseda me njerëz të ndryshëm. Unë them se kam pasur të drejtë. U vërtetua se kisha të drejtë. Ka pasur një rrethanë të pazakontë me largimin e LSI-së nga koalicioni, por ngërçi dhe mungesa e balancat, do të ishte mirë të trajtohej nga të dyja palët politikisht. Pra është një mundësi e humbur, politikës iu ofrua një mundësi”. I pyetur sërish për çështjen e deklaratës personale, Arvizu theksoi qartë: “Pozicioni ynë për KQZ-në është që ne besojmë se KQZ-ja duhet të konstituohet plotësisht. Nuk është skicuar të punojë me 4, 5 apo 6, por me 7 anëtarë. Kjo është në Kodin Zgjedhor dhe kështu duhet të funksionojë”. Më pas, ambasadori është pyetur se cili është qëndrimi i SHBA-së, nëse mbështet ndonjë palë në zgjedhje, apo jo dhe rotacionin. Përgjigjja e Arvizusë ishte: “Ne jemi neutralë. Nuk kemi të favorizuar asnjë koalicion. Absolutisht nuk kemi asnjë favorit. Nëse do të pyesni secilindo amerikan që ndjek politikën, si ndihen ata për parimet e rotacionit, cilido prej tyre do të thotë është një parim i mirë. Nëse zgjedhjet janë të lira, të ndershme dhe transparente, njerëzit vendosin kur duhet rotacion për lidershipin”. Ndërkaq, në lidhje me mundësinë e një manipulimi apo bllokimi në KQZ e Kolegj, sipas precedentit të 2011-s, ambasadori i SHBA-së ka dhënë një recetë: “Do të ishte mirë, nëse cilado parti të mund të fitonte një fitore bindëse, për shembull 74 me 66, ku rezultatet janë të qarta dhe të pastra. Do të ishte e pafat nëse do të kishte një rezultat 71 me 69”.


Receta


“Do të ishte mirë, nëse cila do parti të mund të fitonte një fitore bindëse, për shembull 74 me 66, ku rezultatet janë të qarta dhe të pastra”