ARBEN BLLACI


Gjithnjë bëhet shkak diçka për t’u rizgjuar brenda teje, ajo që ke dashur ta vësh në gjumë me çdo kusht, sepse gjumi, në çdo rast, është më komod se një e qenë zgjuar problematike. Mua më mjaftoi të kaloja dje nëpër pedonale dhe të shikoja bustin pranë Parlamentit…


Ka qenë diku rreth vitit 1993 ose ’94, kur kam intervistuar z. Sabri Godo, tani i ndjerë e në bust, atëherë kryetar i Partisë Republikane. Nuk po i ecte për t’u zgjedhur deputet, ndaj ne, si gazetarë sefte, rropateshim si i ziu i jetës pas të tilla rasteve, për të gjetur arsyet që mendja na thosh se duhet të ishin doemos madhështore. Torollakë hesapi. Nejse. Për t’i dhënë pyetjet paraprakisht, në zyrë i shkova me Lutfi Dervishin, që atëherë bënte gazetën “Republika”. Në të dalë, Luti, si “djall me brirë” që është, i thotë me shaka:


– Kujdes me intervistën, z.Godo, se mik e kam, po ky është për t’u rrahur!


Secili sipas zakonit të vet; unë qesha me të madhe, Lutfiu uli sytë, siç bën sa herë këput nga ato të tijat, z.Godo lëvizi vetëm cepat e buzëve…


Ky episod m’u kujtua që kur dëgjova muaj më parë në lajme, se Bashkia e Tiranës kishte vendosur të ngrinte një bust të z.Godo ngjitur me Parlamentin dhe pedonalen. Të tallur që bëjnë me miletin qerratenjtë, hajde dërckla elektorale, hajde, qesha tek dëgjoja lajmin. Po në fakt busti u bë, madje në Itali (ndaj ka edhe një tis roman); madje me urgjencën që rrallë është bërë ndonjë bust; madje u vu në një ndër vendet më të zgjedhur të kryeqytetit.


– Nëse i bënë bust, sepse ka bërë libra të mirë, për dy njerëz me buste, Skënderbeun dhe Ali Pashë Tepelenën, dakord! Në mos qoftë kjo arsyeja, atëherë përse, për ç’meritë, nga ato për të cilat njerëzit përjetësohen në gur e në metal? – dhashë e mora me veten.


Sepse ishte partizan? Ishte. Po nuk u vra në luftë. Edhe po të qe vrarë, kushedi nga do t’i ishte degdisur e katandisur edhe atij, si heronjve të Vigut, monumenti dhe të gjithë e gjithandej, varret e dëshmorëve!


Sepse ishte kundërshtar i shpallur i regjimit feudo-komunist? Le që nuk qe, po edhe të ishte, e kini parë në çfarë zgëqi banal e ka një gjojabust Osman Kazazi, poema epike e burgjeve politikë në Shqipëri? Pale ajo shpifësira e vënë në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve!


Sepse ishte një Valesë shqiptar në vitet ’91? Ç’ne!? Është emblematike thirrja e tij për të votuar Ramiz Alinë, duke qenë vetë një kryetar partie opozitare atëherë.


Sepse ishte shkrimtar nobelist, qoftë edhe kandidat? Apo ishte një Kadare, a një Fan S. Noli? Askush nuk është aq i palexuar, sa të pohojë këtë.


Sepse bëri Kushtetutën e Shqipërisë? Nuk qe i vetëm, nuk qe as Xhorxh Medison, as një nga pesëdhjetepesë burrat që bënë Kushtetutën Amerikane. Thjesht kontribuoi të bëhej një dokument që u quajt paçavure, u përndoq e u mallkua si ajo, për vite me radhë, gjersa mbërriti dita të bëhet be e duva mbi kapakun e saj blu.


Sepse dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Republikane, çka se ajo kurrë nuk u ngrit mbi pesën e përqindëshit të votuar nga shqiptarët? Kjo po do të ishte një arsye e denjë për t’u monumentalizuar si akt unik në politikën albaneze!


Mund të ngrihen sa të duash, po nuk pi ujë asnjë, sepse për këto e të tjera pse-ra! Pse-në e vetme që z.Godo do të na shohë mot e jetë nga busti e dhanë vetë protagonistët: Godoja, që paskej thënë në ambient familjar, se bashkia në duart e z.Lulzim Bashës qenkej më në fund në duart e duhura; e bija, ish-ministre Shëndetësie në sajë të babait, që konsideratën e tij konfidenciale e tha edhe publikisht në rastin e përurimit të bustit; dhe vetë z.Basha, që pohoi me plot gojën, se z.Godo ishte miku i tij shumë i çmuar.


Prandaj e merituaka një… bust?!


Me një rregull treshi të shpejtë, i bie që edhe miku tjetër i z.Basha, edhe imi gjer vonë, z.Ristani, që e shpalli kryetar bashkie, ta ketë bustin diku në krah të z.Godo. Mbase që me gjallje, se mandati i z.Basha e kaloi gjysmën dhe unë Ristanit i uroj të rrojë sa një pishë në Pukë!…


Kemi dëgjuar e miratuar në heshtje, “se njerëz jemi, edhe ndere do të bëjmë”, kur një kryetar bashkie lejon të ndodhin çudira, edhe penale, që ç’t’i përmend. Po që t’i ngrejë bust mirënjohjeje mikut të tij, për meritën e vetme, se ia paska konsideruar duart të përshtatshme për çelësin e një bashkie, kjo është një pikë e zezë!


Po shkruaj, ama rresht pas rreshti ndihem në mëdyshje. E ndiej fort mirë natyrën delikate të problemit për të cilin po shkruaj. Desha t’i largohesha në fakt, po m’u bë gjemb në tru, dhimbje si për një dashuri të humbur që në çastin që dëgjova lajmin. Besomëni, ju lutem! Jam sinqerisht shumë i keqardhur që pikërisht z.Godo, një burrë i urtë e zotni ç’është e drejta, pa dashjen dhe pa hirin e tij, u bë shkas. Sepse është vërtet një shkas flagrant, për ta këputur litarin e kambanës, duke i rënë, gjersa të kuptojmë sesa lumë e përrua po shkojnë gjërat në këtë të shkretë vend. Sesi i ngrihet monument kuturisjes për të kryer papërgjegjshmëri të kësaj shkalle, pa pikën e turpit, m’u në mes të kryeqytetit dhe m’u në mes të ditës.


Ore, le të jetë busti i Sabri Godos! Askujt nuk i dhimbset një grusht metali a një copë guri a mermeri. Shqipëria ka sa të duash gurë e minerale që lidhen në bronz. Aq sa secili nga ne, mund të bëjë nga një bust për qejf të vet. Pëllëmbë e monumente u bëftë ky vend, se me memoriale të vdekurish rrugëve, është mbushur tej e ndanë! I meritojmë kokë e monument, sepse secili në llojin e vet e si askush tjetër mbi dhe, ne të gjithë jemi heronj unikalë, për nga rropatja qorre që bëjmë, duke i punuar qindin atdheut tonë. Po busti në fjalë është tjetër gjë. Është më shumë një monument i ngritur si simbolikë, si një provë e gurtë, për të dëshmuar sesa gjithanshmërisht, gjer në ç’shkallë e pa gramin e mendjes në tullupanë, mund të abuzohet me pushtetin. Përballë këtij lloj abuzimi, të papeshë në dukje, se demek një bust s’i prish punë asnjë të gjalli, abuzimi ekonomik, është një tufë me lule të freskëta…


Nuk është busti, është mesazhi i gjestit, që të plevitos kockën. Mesazhi asgjësues se një mik a një tutor mund të të shndërrojë nga një hiç, në një gjithçka; nga një i vdekshëm i zakonshëm, në një monument. Paçka se mbi vete, nuk ndien të kesh as gramin e shkëlqimit të ndonjë vlere monumentale. Vini re vetëm listat e deputetëve dorëzuar në gjysmë-KQZ-në, në mes të natës, si lista të zeza banditësh në kërkim! Kuptohet në sekondë, se halli që kemi nuk është një rast i shkëputur, por një sjellje sistematike që po shndërrohet në traditë. Dhe kryet e punëve urgjente, që duhen bërë në këtë vend, bien dhe mbeten në dorë të delenxhinjve, pufteve dhe zabërhanëve, meshkuj e femra, të pompuar nga hiçi, që gëlojnë kudo dhe as kiameti nuk i shkul dot më nga karriget. A mund të mos trembesh nga e gjithë kjo?!


Morali i tepërt, bërë në vetën e parë njëjës, nuk ka asnjë dobi. Nxjerr njeriu një duf, dikush në gazetë e shumëkush tavolinave, asgjë më shumë se kaq. Njerëzit, sytë i kanë në ballë e mendjen në kokë. Shohin e kuptojnë atë që ndodh çdo ditë e orë. Por nuk e di, jo vetëm unë mbase, nuk e kuptoj dot plotësisht, pse heshtin dhe gëlltitin pa bërë gëk e si të ishte hallvë, një të tillë bajgëri? Pse heshti, sidomos Këshilli Bashkiak, kur iu vu në tavolinë propozimi për bustin? Sepse me heshtje investojnë për bustet e tyre të nesërm? Apo mbase se të zësh ngoje të vdekurin, është një tabu? Dakord. Ama kur gdhendet në gur a derdhet në bronz, i vdekuri nuk është më i vdekur, por një subjekt social e politik, që mbart e përhap mesazhe! Edhe të frikshme!


Unë për vete u përpoqa, po nuk ia dola dot të heshtja.


– “Po ç’t’u desh ajo shëtitje, në atë pedo… pedo… a si i thonë, mor ditëzi! Ama e kërreve derametin, t’u bëfsha kurban!” – do të thoshte nëna ime e shkretë.


E nxora nëno, e nxora! Po më duket se Lutfiu kishte të drejtë kur tha atëherë që duhem rrahur vençe!…