BLEDAR KURTI


Bledar KurtiKjo fushatë zgjedhore i ka të gjitha elementet e një fushate moderne. Vihet re një përqendrim i partive politike në përdorimin e masmedias, si dhe një shfrytëzim maksimal i rrjeteve sociale si “Facebook” e “Twitter”, dhe praktikimin e ideve të reja në marrëdhënien me publikun.


Të gjitha skuadrat kanë hartuar strategjinë e punës, kanë mbyllur listat e deputetëve, po zbatojnë këshillat e kompanive të huaja konsulente të kontraktuara për fushatën, kanë ngritur zyrat elektorale, kanë ngritur banderolat dhe po ngjisin posterat, e gjëra të tjera si këto, të cilat përsëriten çdo dy vjet sa herë që Shqipëria voton.


Partitë kryesore kanë përcaktuar edhe listën e skuadrës që do i përfaqësojë në debatet televizive dhe daljet e konferencave për shtyp, por kur çdo gjë duket se është gati për betejë, e vetmja gjë që nuk dihet akoma është nëse do të ketë një debat televiziv Rama–Berisha!


Nuk ka më asnjë dyshim që fushatat në Shqipëri frymëzohen nga ato amerikane. Në stil, shpenzime, slogane, ngjyra, truke mediatike, fjalime dhe premtime, ngjasojnë dukshëm me ato amerikane, megjithatë dallojnë esencialisht nga shembulli amerikan, pasi nëse kandidatët për kreun e qeverisë amerikane përballen tri herë në debate televizive, këtu, që pas debatit Nano-Berisha, nuk ndodh asnjë përballje mediatike midis krerëve të partive kryesore.


Duhet pranuar që një debat Rama-Berisha do të përbënte lajm, do të ishte trillues, emocionues për shikuesin, material për gazetat e analistët dhe temë bisedash në të gjitha kafenetë e vendit për ditë apo javë të tëra. Por, përtej kësaj dëshire të gjithkujt për të parë pak spektakël, e vërteta qëndron se krerët e partive kryesore në vend u detyrohen shqiptarëve një përballje midis tyre, për t’u shpjeguar se cilat janë premtimet e tyre dhe, më e rëndësishmja, si do të arrihen ato premtime, duke ofruar argumente racionale të bazuara mbi strategji konkrete dhe jo retorika populiste, siç mund të bëjnë në mitingjet e partive të tyre. Kjo do të ishte një përballje e drejtë, burrërore dhe do të kontribuonte në një sjellje më qytetare të politikës shqiptare.


Debati televiziv i vitit 1960 në Amerikë, midis kandidatëve për presidentë, Riçard Nikson dhe Xhon F. Kenedi, themeloi traditën e debateve televizive. Mësimet e marra nga ai debat vazhdojnë të studiohen në universitete dhe përdoren si referim edhe për përballjet mediatike në ditët e sotme në mbarë botën. Amerika ka më shumë se gjysmë shekulli që e ka shndërruar përballjen televizive në një vlerë të demokracisë. Ne imitojmë stilin amerikan, por me mungesë të një vlere të madhe demokratike, e cila jo vetëm paraqet një imazh të qartë se cili lider duhet ta drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme, por ofron një frymë qytetarie dhe komunikimi të hapur me votuesit.


Si Rama ashtu edhe Berisha janë mjeshtrit e medias. Eksperienca e njëzetedy viteve në politikë i ka pajisur me aftësi komunikimi, të cilat për ta e bëjnë të lehtë për të pasur një përballje mediatike. Të dy nuk kanë frikë nga kjo përballje, pasi të dy e kanë ftuar njëri-tjetrin për një përballje televizive, por fakti që ftesat janë bërë në kohë të ndryshme, Berisha në 2009-n, Rama në 2011-n, tregon se të dy po tregohen tejet të matur në pranimin e kësaj sfide.


Debatet televizive sjellin shumë avantazhe për protagonistët e tyre dhe për opinionin publik, por ato mund të jenë fatale për kandidatët. Një gabim i vogël sjell një humbje të sigurt. Një përgjigje e gabuar të çon në pension. Një humbje durimi të shpie në një rrugë pa kthim në politikë. Megjithatë, me përvojën e madhe që kanë Rama dhe Berisha, kjo nuk i frikëson aspak. Me sa duket, dy liderët nuk kanë frikë nga njëri-tjetri, por nga një faktor i tretë: publiku. Një debat televiziv do të kërkonte sqarime të hollësishme mbi teza të caktuara me natyrë populiste, si për shembull, premtimi për heqjen e vizave me SHBA-në apo e shumëdiskutuara taksë progresive.


Nëse në javët në vazhdim nuk do të kemi një debat televiziv Rama-Berisha, kjo duhet lexuar si një marrëveshje e heshtur midis dy liderëve për ta ruajtur pjesërisht stilin amerikan të fushatës; një stil plot ngjyra dhe fjalë prekëse në zemrat e votuesve, por pa një shpjegim të detajuar përballë kundërshtarit dhe shqiptarëve.


Teksa përmendim tradita të politikës anglosaksone, nuk duhet harruar edhe një traditë e një vendi tjetër anglosakson, madje edhe më pranë nesh gjeografikisht, Britania e Madhe. Në fushatat zgjedhore në Britani, debatet televizive jo vetëm që janë të shpeshta, por edhe numri i protagonistëve është më i madh sesa dy. Në zgjedhjet e fundit parlamentare kujtojmë debatin televiziv, i cili kishte tre protagonistë: Dejvid Camerun, Gordon Braun, dhe Nik Kleg. Një debat i tillë në Shqipëri, i këtij formati, do të kërkonte një të tretë, i cili ashtu si Nik Kleg ishte “kingmaker” për qeverinë e kaluar dhe për atë që do të vijë, Ilir Meta. Një debat televiziv Rama-Berisha-Meta vërtet do i shtonte ethet e kësaj fushate dhe padyshim do i bënte të paharrueshme këto zgjedhje.


Të tre këta liderë nuk kanë frikë për një përballje kaq të rrezikshme, problemi qëndron se kush do e marrë iniciativën i pari dhe si mund t’i bëjë të tjerët të pranojnë një sfidë të tillë!?