Mustafa Nano
Dritan Hoxhën e kam takuar për herë të parë pas një veprimtarie mbi mediat në “Rogner Hotel”, të organizuar nga OSBE-ja dhe me pjesëmarrjen e shefit të kësaj organizate atë mot (pakkush mund ta kujtojë sot finlandezin Osmo Liponen). Ishte një takim ku ishin ftuar një numër gazetarësh, dhe të gjithë pronarët e gazetave dhe të televizioneve të rëndësishme të vendit. Teksa po dilnim, i dhamë dorën njëri-tjetrit dhe zumë të shkëmbenim ndonjë fjalë. “Pse nuk vjen nga ‘Top’-i?”, më pyeti Tani. “Çfarë të bëj atje?”, e pyeta thjesht për të ditur “rolin” që ai kish menduar për mua në atë televizion. “Hajde bëj një program tëndin; mendo një ide dhe hajde ta bisedojmë”. Dhe kështu u ndamë. Nuk është se më vuri shumë në mendime. Idenë për një program e kisha të hazërtë; kisha ca kohë që e kisha menduar. Ndërsa kërkesa për të bërë një gjë timen në “Top Channel” vinte bash në momentin, kur “Top”-i ishte bërë me nam. Kuptohet, nuk kish namin e sotëm (ky takim ka ndodhur në vitin 2006, kur “Top”-i nuk kish mbushur akoma pesë vjeç), por ish shfaqur dhe imponuar tanimë si një risi absolute në tregun e varfër televiziv shqiptar. Madje, Arbën Xhaferi më ka thënë ato kohë se “Top”-i është një nga televizionet më të mira të Ballkanit. E besoja, ngaqë ai, për shkak të serbokroatishtes që zotëronte, i ndiqte televizionet e tjera të rajonit. Por edhe ia merrja pakëz me dyshim ngaqë, si patriot që ishte, kish prirjen për t’iu gëzuar më shumë sesa duhet çdo arritjeje në Tiranë. Dhe kështu, u bëra gazetar televiziv. Nisa “Déjà vu”-në. Me Tanin, më duhet ta them këtë, nuk pata asnjëherë marrëdhënie të ngushta. Unë nuk di se ç’mendonte ai për mua, e unë vetë nuk pata mundësi të krijoja një ide timen mbi të. Atë e kam njohur dhe e njoh më shumë nëpërmjet të tjerëve. Nuk bëja pjesë te miqtë e tij. As ai te të mitë. Madje, takoheshim rrallë, shumë rrallë, dhe kjo vinte prej kujdesit tim për të mbajtur një lloj largësie me pronarët nga frika se çdo marrëdhënie krijon vetvetiu kushtëzime të natyrave të ndryshme, gjë që e kam parë prore si një gjë të rrezikshme e të dëmshme në profesionin e gazetarit. Dhe Tani e dinte këtë merak timin, e për këtë arsye (mendoj unë) as ai nuk ka tentuar të ndërtojë ndonjë marrëdhënie miqësore me mua. Por atë e hasja shpesh në hollin e “Top”-it, në lokalin që e shihje plot me gazetarë me të kapërcyer pragun e hyrjes. Ish një tryezë në atë lokal, me katër ndenjëse, ku kishin leje të uleshin veç të ftuarit e programeve të ndryshme dhe boss-at e ndërmarrjes, dhe në një nga ndenjëset, në të njëjtën ndenjëse, pasditeve qëllonte që rrinte ulur Tani, gjithnjë nën shoqërinë e dikujt. Ishte ndenjësja, që Tani e parapëlqente, pasi i ulur atje kish përballë një televizor të varur në mur, ku ai ndiqte programet e “Top”-it, por edhe programe të tjera, dokumentarë, ndeshje futbolli, e gara me makina “Formula One”. Pas vdekjes së Tanit, miqtë e tij nuk lënë njeri tjetër të ulet në atë ndenjëse. Kur qëllon që ndonjëri nuk e njeh ngarkesën simbolike të asaj ndenjëseje, dhe bën të ulet pa të keq në të, kushdo që ndodhet aty pranë e kap me mirësjellje nga krahu, dhe i thotë: Jo, aty jo, ju lutem!… Dhe i shpjegon arsyen pse nuk duhet të ulet, gjë që mirëkuptohet menjëherë nga tjetri. E dini? Sa herë që qeveria “Berisha” jepte sinjale se do ta bënte “Top”-in të ngrinte rraqet nga Piramida (ky sinjal është dhënë disa herë vitet e fundit), mua më bëhej se atyre njerëzve aty, Kelit e miqve të tjerë të Tanit që drejtojnë qysh prej fillimit “Top-Channel”-in, më shumë se për kostot e zhvendosjes, u vinte keq që nuk do mund të imitonin më atë situatë që ua përjetësonte në një mënyrë të veçantë mikun e tyre të shtrenjtë.
Dy arritje i veçoj Tanit. E para ka të bëjë me një atmosferë e disiplinë pune që ai krijoi në televizion. Një ditë prej ditësh, pasi ish vendosur që do të bëhej programi im, mua më thanë se duhet të shkoja në një mbledhje, ku do të diskutoheshin çështje teknike e profesionale që kishin lidhje me “Déjà vu”-në. Kisha gati 20 vjet që nuk kisha marrë pjesë në një mbledhje, dhe shkova gjithë përtesë, por aty u befasova. Ishin nja 7-8 vetë, shumica të rinj e të reja, që të merrnin gjak në vetull, dhe me këta bëmë një diskutim shumë profesional mbi të gjitha yçklat e detajet e këtij programi. Kisha kohë që nuk kisha bërë diskutime të tilla me njerëz, që sapo i kisha njohur. Flisnin si të ish fjala për një gjë të tyren në një kohë që programin “Déjà vu” unë e shihja si ekskluzivisht timin (aty kam mësuar se një program TV, edhe kur vjen nga një ide shumë personale apo e personalizuar, është në të vërtetë i shumë vetëve). Më tej, kur programi hyri në transmetim, u binda më shumë mbi disiplinën e punës që u ishte imponuar të gjithëve në atë vend. Dhe është kjo disiplinë që ka bërë që “Top”-i të mbetet më këmbë, të zhvillohet ca më shumë e të mbetet leader në botën e televizionit, teksa të gjithë kanë pritur pas vdekjes së Tanit që të ndodhte ajo që ndodh rëndom këtjepari, d.m.th që tok me krijuesin ‘despot’ të vdiste dhe ajo që ai kish krijuar.
E dyta ka të bëjë me përmasën patriotike të veprës së Tanit, të cilën ia kanë nënvizuar shumë të tjerë para meje. Unë nuk e di nëse kjo përmasë ka qenë e kërkuar. Ndoshta ka qenë thjesht rrjedhojë e natyrshme e zhvillimit të gjërave, apo ndoshta ka qenë e gjitha një operacion biznesi që njerëzit e ngatërronin kot më kot me patriotizmin. Por ndonjëherë mendoj se kjo nuk ka rëndësi fare, se rëndësi ka arritja më shumë sesa qëllimi. Dhe arritja ishte një gjë që vihej re. Më ka qëlluar më shumë se njëherë të më thonë në Kosovë se askush nuk ka bërë më shumë se “Top-Channel”-i në të mirë të interesit kombëtar. Dhe me këtë nuk kanë pasur parasysh vetëm “Top”-in me një numër programesh të natyrës patriotike (ndonjëherë dhe nacionaliste), por dhe kanalet e “DigitAlb”-it, sidomos ato për fëmijë, ku skenari i dubluar me një gjuhë të pastër po ndihmonte, dhe po ndihmon edhe sot e kësaj dite, fëmijët e Kosovës që të familjarizoheshin me standardin e gjuhës shqipe. Është një kontribut që shkollave, apo elitave intelektualo-kulturore (kur nuk e lënë veten të tërhiqen zvarrë nga logjika sektare e tribale), u duhen dekada për ta dhënë.