EULEXPolicia e EULEX-it në bashkërendim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë arrestuar sot pesë persona me akuzën për krime lufte. Sipas KTV-së, pesë personat e ndaluar janë Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi. Ata janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e cenimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc, Komuna Skënderaj.


Arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës. Rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).


Prokuroria Speciale ka ftuar sot të marrë në pyetje edhe Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri.


Zëdhënësi i Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Blerim Krasniqi ende nuk ka një informacion që është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.


23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)