Rrëfimi i biznesmenit, Baçi Yzeiri: Ndoshta kanë qenë adoleshentë 


Policia e Tiranes“Kjo nuk është hera e parë që banesa ime është grabitur. Nuk kam dyshime tek asnjë person, por mendoj që hajdutët janë adoleshentë, të cilët kanë informacion për lëvizjet e mia. Dua të theksoj faktin që djali dhe vajza nuk janë kërcënuar nga grabitësit, thjesht janë detyruar që të tregojnë paratë”, është shprehur Baçi Yzeiri, biznesmeni i furrave të bukës në Tiranë. Ajo që e shqetëson më shumë biznesmenin është vëmendja mediatike ndaj kësaj grabitje, e cilësuar si ordinere nga ana e tij. “Vjedhja e banesës sime, është një ngjarje ordinere dhe nuk është nevoja që t’i jepet kaq rëndësi. Dua të shtoj faktin që shuma e parave nuk është 30 milionë lekë të vjetra, por shumë herë më pak. Nuk kam pse të mbaj një shumë të tillë parash në banesë. Ato që fitoj, i fus sërish në qarkullim. Kujtojnë se meqë jam biznesmen, atëherë duhet të jem milioner dhe të kem në banesë 30 milionë lekë”, thotë Yzeiri, pa e përmendur shumën e parave të grabitura. Ndërsa policia bën me dije se shuma e parave është 30 milionë lekë (të vjetra). Madje, të njëjtën shumë mësohet se ka thënë edhe Yzeiri para grupit hetimor. Ndër të tjera, biznesmeni mohon faktin që të ketë pasur konflikte me ndonjë person dhe se hajduti ka ndjekur të gjitha lëvizjet e çiftit Yzeiri.


Sipas policisë, asnjë nga banorët e zonës nuk ka evidentuar ndonjë nga grabitësit, pasi ata kanë qenë të veshur me rroba serioze dhe në dorë mbanin dosje dhe një çantë sportive. Ata kanë qenë në dijeni që në banesë nuk ka pasur njeri, përveç djalit dhe vajzës, përkatësisht 14 dhe 12 vjeç. Dera është hapur nga djali i madh, i cili është futur me forcë brenda. Grabitësit kanë nxjerrë nga çanta kallashnikovin dhe nën kërcënimin e tij, kanë kërkuar vendndodhjen e parave. Vogëlushi i ndodhur në një situatë të tillë nuk i ka lodhur “vizitorët” e padëshiruar dhe ua ka treguar paratë. Pas përmbushjes së operacionit me sukses, grabitësit janë larguar nga shkallët, për të shmangur kontaktin me njerëzit. Mësohet se ata nuk kanë qenë të maskuar, duke u dhënë mundësi fëmijëve që të fiksojnë disa të dhëna fizike të grabitësve. Pas kësaj ata kanë marrë prindërit në telefon, duke mos humbur kohë, për të treguar gjithçka kishte ngjarë. Në bazë të rrëfimit të fëmijëve, Yzeiri ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në banesën e tyre, për të nisur zbardhjen e ngjarjes. Ndër të tjera, në praninë e prindërve dhe psikologes, hetuesit kanë marrë në pyetje fëmijët, të cilët përshkruan detaje të dobishme për policinë. Pavarësisht kësaj, ende nuk ka asnjë të dhënë për identitetin e dy personave që janë futur në banesën e biznesmenit. Grabitjet janë kthyer në një rrezik potencial për jetën e qytetarëve, qoftë në rrugë, autobus, apo banesa. S.Muça