Thoma Miço denoncon shtetasin grek Vasil Iatru, që kishte ardhur nga Amerika për borxhin
Silvana Muça
Nënkryetari i Partisë Mega, Thoma Miço, që aktualisht mban postin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Ministrinë e Punës, është konfliktuar me një shtetas grek, për shkak të një borxhi të konsiderueshëm parash. Burime nga policia bëjnë me dije se Miço është zënë me ish-mikun e tij, Vasil Iatru, ku pretendimet janë të kundërta. Mësohet se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, pranë ambienteve të Ministrisë së Punës, ku thuhet se sherri ka nisur fillimisht në mënyrë verbale. Vasil Iatru pretendon se Miçi ka për të shlyer ndaj tij një borxh të vjetër monetare, afati i së cilës ka kaluar shumë kohë më parë. Ai ka udhëtuar nga Amerika drejt Shqipërisë për të marrë paratë që i ka dhënë nënkryetarit të Partisë Mega, por sërish nuk ia ka arritur qëllimit. Për minuta të tëra ata janë zënë me fjalë dhe më pas situata ka degjeneruar në përleshje mes palëve. Pas zënkës, Iatru i ka marrë një telefon të markës “Nokia” dhe disa sende të tjera personale Thoma Miços, deri në kthimin e borxhit. Pas kësaj, Miço i është drejtuar Komisariatit Nr. 3, për të bërë kallëzim penal ndaj mikut të tij. Të njëjtën gjë ka bërë edhe pala tjetër, që ka denoncuar Drejtorinë e Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Ministrisë e Punës. Në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë, huadhënësi është shprehur se Miço i ka marrë një sasi të konsiderueshme parash dhe se ai nuk denjon t’ia kthejë, ndonëse afati ka kaluar prej kohësh. I ndodhur në një situatë të tillë, Iatru i ka marrë sendet vetjake borxhliut, duke e akuzuar për mashtrim. I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Thoma Miço e mohon në mënyrë kategorike përleshjen fizike, “grabitjen” dhe borxhin që ka ndaj Vasil Iatru-s. “Këto që thuhen janë banalitete. Janë sajesa, janë të gatuara nga persona të caktuar. Nuk kam asgjë për të thënë. Nuk kam asnjë borxh”, shprehet politikani.
Jetëshkrimi
Thoma Miço është një person i njohur në politikë. Ai ka mbajtur një sërë postesh të rëndësishme, si zëvendësministër i Bujqësisë, zv.ministër i Punës dhe i Çështjeve Sociale, ish-deputet i PBDNJ-së dhe nënkryetar i kësaj force politike. Vite më parë ka qenë kreu i Inspektoratit të Lartë të Punës. Mban postin e nënkryetarit të Partisë Mega, dhe njëkohësisht Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Ministrinë e Punës. Në vitin në 2011, Miço është thirrur nga Gjykata e Krimeve të Rënda si dëshmitar për masakrën e Qafë-Gjashtës, ku mbeti i vrarë polici Gjergji Mehmeti dhe u rrëmbye polici tjetër Eduard Aliaj. Dëshmitari Miço foli vetëm rreth situatës në Sarandë në atë kohë, postblloqeve të shumta të ngritura. Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 4 mars të vitit 1997, rreth orës 07:00. Viktima Gjergji Mehmeti, së bashku me shtetasit Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, të gjithë efektiva të Komisariatit të Policisë Vlorë, me urdhër të ish–zv.ministrit të Brendshëm, njëkohësisht dhe drejtor i përgjithshëm i Policisë, Agim Shehu, janë nisur për në drejtim të qytetit të Sarandës, me qëllim ringritjen e Komisariatit të Policisë së këtij qyteti. Sapo kanë arritur në Sarandë, kanë vajtur në komisariat, por kanë konstatuar se ka qenë i djegur plotësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. Më pas janë rikthyer dhe janë ndeshur me një grup banditësh, ku gjatë përplasjes ka mbetur i vrarë Gjergji Mehmeti.