Problemi


Ambasadorja takon nxënësit: Kujdes nga votimi familjar!


Herion Mesi


Ambasadorja GjermaneAmbasadorja gjermane në vendin tonë, Karola Holtkemper, ka shfrytëzuar një takim me maturantët e gjimnazit “Aleks Buda” në Tiranë, për të dhënë mesazhet e saj për votuesit që do të votojnë me 23 qershor për herë të parë. “Mos e shisni votën! Nuk është ide e mirë të shesësh votën gjatë zgjedhjeve”, iu drejtua dje ambasadorja të rinjve shqiptarë.


Ambasadorja nuk dha të tjera detaje nëse ka pasur sinjale ku mund të jetë abuzuar me votën e të rinjve, duke ofruar para, por u shpreh se mesazhe të tilla të drejtpërdrejta do i ndihmojnë 18-vjeçarët ta njohin dhe respektojnë këtë të drejtë kushtetuese. Ambasadorja Holtkemper mbajti qëndrim edhe për situatën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku palët nuk po gjejnë më konsensus për të plotësuar vendet vakante në këtë institucion. Holtkemper tha se për fat të mirë nuk ka asnjë incident para zgjedhjeve, por KQZ-ja, sipas saj, duhet të funksionojë e plotë.


Fushata e ndërgjegjësimit


Ambasadorja gjermane Holtkemper ndoqi me interes të gjitha fazat e një proces zgjedhor të 18-vjeçarëve në shkollën “Aleks Buda” në Laprakë.


Të rinjtë paraqitën idetë në lidhje me programet e tyre, duke evidentuar problemet në shkollë dhe më pas duke propozuar edhe zgjidhje. Aktiviteti i djeshëm është një program i Këshillit të Europës “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë”, që u shërben 150 mijë nxënësve që votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 23 qershorit. Të përfshirë në këtë projekt janë shkollat e 12 qarqeve të ndryshme të vendit, por iu kushtua një kujdes i veçantë përzgjedhjes së shkollave në zonat rurale, ku informimi i të rinjve është më i paktë dhe ku janë vënë re në të kaluarën problemet e votimit familjar apo delegimit të votës, të cilat dëmtojnë standardet zgjedhore. Sipas të dhënave zyrtare, në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit pritet të fitojnë të drejtën për të votuar për herë të parë 150 076 të rinj, të cilët mbushin rishtazi moshën 18 vjeç. Një e drejtë mjaft e rëndësishme, për të cilën shumë prej të rinjve nuk janë ende koshientë dhe të informuar. Për këtë qëllim, Këshilli i Europës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Shkencës dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po zbaton në shkollat e mesme të vendit gjatë muajve të fundit programin “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë”. Ky program implementohet nën kujdesin e Akademisë së Studimeve Politike, si një program i Këshillit të Europës, i cili vepron prej vitit 2007 në Shqipëri. “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë” zbatohet për herë të dytë në Shqipëri, pas eksperiencës së suksesshme të zgjedhjeve vendore 2011.


 


 


Detaje


 


Në bankat e 384 shkollave të mesme të vendit ndodhen rreth 50 mijë maturantë dhe programi ka synuar të arrijë te ta nëpërmjet zhvillimit të një ore mësimi mbi:


– demokracinë dhe qytetarinë


– procesin e votimit dhe të drejtat e detyrimet e çdo individi që lidhen me votimin