Në shtator hapet institut kinez, “Konfuci”. Këtë vit projekti zbatohet te Ekonomiku dhe Shkencat e Natyrës
Vendimi – Në Tiranë do të ngrihet së shpejti instituti “Konfuci”, i cili ka në fokus promovimin e gjuhës kineze dhe kulturës kineze
Vendndodhja – Ndërtimi i institutit “Konfuci”, qendrës së posaçme kineze, do të bëhet së shpejti në godinën e rektoratit të UT-së
Stafi – Nuk dihet ende me siguri numri i mësuesve që do të punësohen, por sipas parashikimeve, mendohet se fillimisht do të jenë dhjetë
Gjuha kineze do të jetë do të jetë lëndë me zgjedhje në universitet, duke nisur nga viti i ri akademik. Për herë të parë do të përfshihet si pjesë e programit në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Shkencave të Natyrës. Më pas, sipas kërkesave dhe nevojave do të shtrihet dhe në fakultetet e tjera të Universitetit të Tiranës.
Në muajin shtator në Tiranë do të ngrihet instituti “Konfuci”, i cili synon kryesisht promovimin e gjuhës kineze dhe kulturës së popullit kinez. Godina e institutit do të jetë brenda godinës së Rektoratit të Universitetit të Tiranës.
Dje, drejtuesit e UT-së nënshkruan për herë të parë marrëveshjen e bashkëpunimit me qeverinë kineze, e cili i hap rrugë çeljes së institutit, në shërbim të studentëve por edhe të nxënësve të shkollave parauniversitare.
Marrëveshja e nënshkruar dje parashikon disa prioritete:
Mësimi i gjuhës kineze dhe promovimi i burimeve të mësimdhënies së saj. Trajnimi i lektorëve të gjuhës kineze. Administrimi i testeve HSK (teste të gjuhës kineze) dhe testeve për certifikimin e gjuhës kineze për mësuesit. Promovimi i gjuhës dhe kulturës kineze dhe aktivitete në fushën e gjuhësisë dhe të shkëmbimit kulturor midis dy vendeve.
“Marrëveshja për hapjen e Institutit është rezultat i një bashkëpunimi të gjatë midis Ministrisë Shqiptare të Arsimit dhe asaj Kineze. Gjuha kineze do të jetë lëndë me zgjedhje, duke filluar nga shtatori, në Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Shkencave të Natyrës. Më pas, sipas kërkesave dhe nevojave do të shtrihet dhe në fakultetet e tjera të UT”, deklaroi Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës.
Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, zv.ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata dhe zv.ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, përfaqësues i Ministrisë sonë të Arsimit dhe Punëve të Jashtme.
Idetë e para për mësimin e gjuhës kineze në shkollat parauniversitare, por edhe për krijimin e një qendre specifike për mësimin e gjuhës kineze u ngritën që në prill të vitit 2012. Ndërsa vendimi u zyrtarizua po në muajin prill gjatë vizitës së ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj në Kinë, i cili tha se mësimi i gjuhës kineze është shumë i rëndësishëm për vendin tonë.
Sipas të dhënave, Ministria e Arsimit ka marrë të gjitha masat e nevojshme për krijimin e një qendre të posaçme që do të shërbejë për mësimin e kësaj gjuhe. Tafaj thekson se shqiptarët jo vetëm që duhet të njohin kinezçen si gjuhë të huaj të dytë, por do të kenë gati edhe vendin ku duhet të mësojnë këtë gjuhë. Ai tregon se ndërtimi i institutit “Konfuci” do të bëhet në godinën e rektoratit të UT-së. Ministri i Arsimit theksoi se vendimi është zyrtarizuar pas vizitës së tij në Kinë, në prill të 2012-s. Ndërkohë mësohet se stafi që do të punojë në këtë institut do të jetë i kualifikuar. Ekspertët e arsimit pohojnë se nuk dihet ende me siguri numri i mësuesve që do të punësohen, por sipas parashikimeve, mendohet se fillimisht do të jenë dhjetë. Tafaj thotë se kemi shqiptarë që e njohin mirë kinezçen dhe në anën tjetër, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja ka studentë nga Kina që mësojnë shqipen, duke lënë të nënkuptohet se do të ketë mësues shqiptarë dhe kinezë.
Gjatë takimeve të ministrit tonë të Arsimit dhe homologut të tij kinez, Yuan Guiren, është diskutuar edhe për bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit dhe shkencës, ndërkohë që të dyja palët u shprehën të gatshme për rritjen e numrit të bursave, nxitjen e shkëmbimit të studentëve dhe pedagogëve. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe shkëmbimit të studentëve që mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Pekinit dhe studentëve që formohen për mësues të gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës. Kjo, sipas tyre, si një praktikë që do të përshpejtojë përgatitjen e mësuesve për mësimin e gjuhës kineze si gjuhë e dytë me zgjedhje në shkollat tona.
Shpresa Mezini