Lleshi takohet me Battelli-n e OSBE-së


KQZKryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi (Lleshi), ka pritur në ambientet e KQZ-së delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Battelli, koordinator special i caktuar nga kryetari i radhës i OSBE-së dhe Andreas Northelle, përfaqësues special i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Qëllimi i takimit ka qenë prezantimi i delegacionit me kryetaren e KQZ-së në kuadër të drejtimit të një misioni vlerësues (NAM) lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të datës 23 qershor. Kryetarja e KQZ-së u ka uruar mirëseardhjen Roberto Battellit dhe Andreas Northelle, si dhe i ka njohur ata me punën që KQZ-ja ka bërë që nga konstituimi i tij. Nga ana e tyre, Battelli dhe Northelle e falënderuan Lleshin për mikpritjen dhe pasqyrimin e punës së bërë nga ky institucion për përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. KQZ-ja pritet të mblidhet sot dhe të shqyrtojë projektvendimin “Për caktimin e Vendit të Numërimit të Votave të ZAZ-së, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 qershor 2013”, për çdo zonë zgjedhore. Në rendin e ditës janë shqyrtimi i 25 objekteve për caktimin e VNV-ve, ku 17 prej tyre janë në Qarkun e Tiranës, një ndodhet në atë të Fierit. Të tjerat u përkasin VNV-ve të Qarkut të Shkodrës.