Raporti i fundit, ministria fsheh zgjedhësit pa adresë. Ndërkombëtarët kërkuan pastrimin e publikimeve


Zgjedhësit janë të përfshirë në lista me kodet 0,00,000 pa adresë apo numër votues, 999- nuk i dihet adresa dhe 888-janë votues emigrantë


BLEDAR HOTI


TabelaVetëm një muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit, listat e zgjedhësve vazhdojnë të kenë një gropë të madhe problemesh, edhe pse zv.ministri Ferdinand Poni, deklaroi se gjithçka është në rregull. Gjithsesi, zyrtarisht nuk mund të quhet i mbyllur procesi i pastrimit, i heqjes së dublimeve apo caktimit të adresave të zgjedhësve, ndërsa KQZ-ja pritet të përballet së shpejti me shifrat e raportit të fundit për procesin e hartimit, pastrimit të dublikimeve të listave të zgjedhësve. Nga 542 681 zgjedhës pa adresë që ishin në muajin janar, në periudhën e majit, në raportin final rezulton se janë mbi 348 mijë votues pa adresë. Procesi i verifikimit të listave të zgjedhësve mësohet se ka nisur tepër vonë nga Ministria e Brendshme, pasi mësohet se nuk ka pranuar të marrë në konsideratë raportet e dy auditive të KQZ-së. Shkaku kryesor ka qenë se Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ka pranuar të heqë dublimet apo dhe të heqë zgjedhësit pa adresë vetëm pas ndërhyrjes së fortë të ndërkombëtarëve. Faktori ndërkombëtar mësohet se ndërhyri për realizimin e këtij procesi vetëm pasi Partia Socialiste ngriti shqetësimet e saj dhe mbi të gjitha depozitoi të gjitha shkeljet e konstatuara në listat paraprake të zgjedhësve, që ndryshe cilësohen si ekstrakte të listës. KQZ-ja pritet të shqyrtojë këto ditë raportin final të auditëve mbi listat e zgjedhësve, ku do të konstatohet qartazi se problemet me listat do të ekzistojnë dhe në këto lista. Ndërsa vazhdon të ketë një kontradiktë, pasi Ministria e Brendshme, nëpërmjet zv.ministrit të saj, Ferdinand Poni, shprehet se nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë në listat përfundimtare dhe që do të shërbejnë për zgjedhjet e 23 qershorit.


Dublimet


Numri më i madh i dublimeve të zgjedhësve mësohet se është në Qarkun e Tiranës. Zona më e madhe e zgjedhësve në Shqipëri është e përqendruar më tepër në zonën e Paskuqanit. Fillimisht kur nisi procesi i shqyrtimit të ekstraktit zgjedhor të listës u konstatuan 50 mijë votues të dubluar. Në procesin e verifikimit mësohet se heqja e dublimeve vetëm në maj është te 17 mijë persona. Një tjetër çështje e mosidentifikimit të votuesve lidhet me votues që kanë marrë shtetësinë, kanë ndryshuar emrin dhe mbiemrin, janë martuar, duke ndryshuar mbiemrin. Deri më tani, në këto lista, janë 14 mijë vetë. Vetë fakti që Ministria e Brendshme ka pranuar të heqë këto dublime, fakton se ky institucion ka pranuar problemet që ekzistojnë në lidhje me procesin e listave. Ndërkohë që, nga ana e opozitës, është ngritur në mënyrë permanente shqetësimi në lidhje me mosbërjen e transparencës së listave nga ana e Ministrisë së Brendshme. Partia Socialiste, ndërkohë, po përgatitet që të mbrojë mundësinë e manipulimeve, ku votues të dyshuar si të dubluar apo pa adresë të saktë zgjedhore mund të votojnë dy herë. Një skemë e posaçme e opozitës është të publikojë në çdo QV apo në faqet e internetit personat që dyshohen se mund të votojnë nga dy herë më 23 qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer që nga muaji janar 6 ‘monitorime’ të procesit të listës së zgjedhësve. Brenda këtyre ditëve, pritet që të zhvillohet përplasja e fundit e dy auditëve Dashamir Çali i PS-së dhe Genti Malko i PD-së, në lidhje me listat e zgjedhësve.


 


 


 


Tabela e votuesve


Lëvizjet e shifrave të zgjedhësve pa adresë



  • Janar 542 681 zgjedhës

  • Mars 476 520 zgjedhës

  • Prill 403 387 zgjedhës

  • Maj I 352 337 zgjedhës

  • Maj II 348 000 zgjedhës