Replika
Kreu i LSI-së i përgjigjet Kryeministrit: S’ka konfuzion
Batuta – “Ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike, siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, bëri dje një propozim interesant për sa i përket qëndrimit të palëkundur të Sali Berishës për të mos e lënë karrigen e Kryeministrit. Teksa ai u pyet nga mediat në lidhje me zërat për njeriun që do të ishte kryeministri i vendit pas 23 qershorit, Meta theksoi se ai i propozonte Berishës që pas 23 qershorit karrigen e kryeministrit ta merrte në shtëpi dhe se dëmin “ekonomik” do të mundohej ta riparonte LSI-ja. Duke ironizuar, Meta theksoi se në këtë mënyrë ai ndiqte edhe shembullin e ish-presidentit të Polonisë, mikut të tij Les Valesa. “Për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do t’i propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi, në studion e tij, ose në Partinë Demokratike, siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi presidencën e mori karrigen e presidentit me vete. Ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër”, deklaroi Meta me ironi në lidhje me këtë çështje. Por me seriozitet ai theksoi se mes së majtës në opozitë sot nuk kishte asnjë paqartësi dhe konfuzion në lidhje me çështjen e kryeministrit të ardhshëm, pasi këtë çështje e zgjidhte shumë mirë Kushtetuta, bazuar mbi votën e zgjedhësve. “Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota, gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Ndërsa për çështjen në fjalë, mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Meta, duke treguar siguri në fitoren e së majtës.