Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta përmes një deklaratë për shtyp nga selia e LSI kërkoi nga ana e mazhorancës dhe kryeministrit Berisha që të tregojë gatishmëri për votimin e tre ligjeve dhe të reflektojë për plotësimin e tre vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, gjë që sipas tij mund të bëhet vetëm me konsensus politik.
“Vendet vakante në KQZ nuk janë thjesht vende punë. Çështja kryesore ka të bëjë me integritetin e KQZ-së, që është cenuar në mënyrë të padrejtë nga mazhoranca aktuale dhe çështja nuk është që të çohen 3 vende, por të vendoset konsensusi dhe besimi te KQZ-ja. Prandaj i takon mazhorancës të tregojë reflektim dhe përgjegjshmëri në këtë drejtim ndërkohë që opozita ka shprehur bindjen e plotë në administrimin e këtij procesi duke menduar në instrumente shtesë”, – tha Meta.
Kreu i LSI ashtu si edhe një ditë më parë, kërkoi angazhimin e mazhorancës për të votuar tre ligjet e integrimit në Parlament, të cilat sipas tij mund të hyjnë në fuqi në muajin shtator, kur është formuar edhe qeveria e re.
“Është koha që kryeministri aktual zoti Berisha të tregojë gatishmëri dhe qartësi pa ekuivok dhe në ditët që vijojnë të votojmë 3 ligjet. T`i japim mesazhin e përgjegjshmërisë qytetarëve tanë, duke demonstruar pjekurinë e duhur politike dhe frymën e bashkëpunimit që kanë nevojë reformat e integrimit europian, por edhe të modernizimit të shtetit tonë”, tha Meta.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)