Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka zhvilluar ditën e sotme një takim me drejtues të medias në vend, kur jemi një ditë përpara çeljes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit.
Duke vlerësuar rolin padiskutueshëm të medias në perceptimin e gjithçkaje që ndodh në sytë e publikut, presidenti ka kërkuar prej tyre kontributin për të monitoruar ‘ecurinë e procesit zgjedhor, për të pasqyruar mënyrën e realizimit të zgjedhjeve në Shqipëri, të plotësimit të standardeve, por edhe të sjelljes së aktorëve gjatë procesi zgjedhor’.
Kreu i shtetit u ka kërkuar drejtuesve të medias që të frenojnë çdo lloj emocioni të panevojshëm dhe dramaciteti gjatë kohës së fushatës, çka mund të ketë kosto të panevojshme për vendin dhe opinion publik, perceptimi i të cilit është shpesh shqetësues në këtë aspekt.
“Çështja e parë dhe më kryesorja që do doja bashkëpunimin tuaj, është të jeni pjesë frenuese apo parandalimin e çdo lloj dramaciteti që nuk ka bazë dhe kthehet në kosto sociale dhe emocionale për vendin. U ndala në këtë pikë, se gjatë fushatës paraelektorale ka pasur shpeshherë opinione të hedhura nga kënde të ndryshme, jo nga njerëzit e medias, për dyshim të procesit zgjedhor, rrezik të përplasjes shoqërore dhe sociale të aktorëve të ndryshëm ditën e zgjedhjeve apo para dhe pas”, tha kreu i shtetit.
23 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)