Dërgon për kontroll punonjës të Ministrisë së Brendshme për zyrat e gjendjes civile
Njësitë bashkiake që tashmë drejtohen nga ana e opozitës, pikërisht LSI-ja, po bëhen objekt i presionit nga ana e Ministrisë së Brendshme. Një kontroll i beftë në prag të mbylljes së orarit zyrtar, që është ushtruar nga Edmond Gjoleka, përfaqësues i Ministrisë së Brendshme, shkaktoi konfuzion në minibashkinë 2, që e ka selinë pranë tregut elektrik në Tiranë. Auditimi i paparalajmëruar shkaktoi përplasje mes punonjësve të minibashkisë dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Brendshme. Vetë kreu i kësaj minibashkie, Elez Gjoza, nuk ndodhej në zyrë, pasi ishte larguar për një vizitë jashtë shteti. Rreth orës 16:00, punonjësja e minibashkisë nr. 2, Mirela Çokollari, deklaroi për mediat vizive se “disa persona kanë ardhur nga Ministria e Brendshme për të ushtruar një kontroll. U kërkuam një program, të cilin ata nuk e kishin, megjithatë ata janë futur direkt në zyrat e gjendjes civile, pa u futur më parë në zyrën e titullarit. Brenda me ta ndodhet edhe punonjësja jonë, e cila është vetëm. Ne i kemi rënë derës, sepse mendojmë se asaj po i bëhet presion dhe nuk do të largohemi derisa ata të dalin. Ne nuk e kuptojmë përse bëhet kështu, mbase ndodh edhe pse nuk është titullari. Po të ishte ai brenda, nuk do të kishim këtë gjendje”. Punonjësit e tjerë të minibashkisë i ka kërkuar që të hapnin derën e kyçur, ku zyrtari i ministrit Noka po verifikonte listat e zgjedhësve. “Jam Edmond Gjoleka, drejtor i dokumentacionit dhe procedurave në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme. Me autorizim dhe prokurë nga ministri Noka kemi ardhur për kontroll. Shërbimi i gjendjes civile varet nga qeveria, edhe pse funksionon pranë pushtetit vendor, nuk drejtohet nga pushteti vendor. Ne kemi nisur kontrollin në datën 26. Përfunduam me njësinë nr. 1 dhe nr. 2, shkuam te njësia nr. 8 dhe nr. 9, ku vërejtëm se homologët shprehën shqetësimin për x familje, që është hequr nga njësia nr. 9 që i përkiste, pa vullnetin e saj. Ne shqyrtuam këtë praktikë dhe gjetëm këtu edhe 51 familje të tjera nga brenda dhe jashtë Tiranës. Kemi edhe emrat, të cilët sot është shumë e lehtë të konfirmohen, që janë hequr në periudhën e zbardhjes së listave“, tha zyrtari i ministrisë. Ndërsa Çokollari bëri të ditur se auditimi është kryer më parë nga ministria.
