Heqja e grupit të Mallakastrës nga listat shkakton pakënaqësi
Edmond Hoxhaj
Braktisja disavjeçare që Partia Demokratike i ka bërë një pjese të simpatizantëve të saj, pritet që të përkthehet në vota të munguara për të më 23 qershor. Pakënaqësitë e krijuara brenda PD-së gjatë këtyre viteve ka sjellë konflikte të ashpra në degën e këtij subjekti politik në Qarkun e Fierit, ku kandidatët për deputetë janë ndier të braktisur nga një pjesë e militantëve dhe simpatizantëve që kanë ngritur “krye” ndaj premtimeve të pambajtura. Kjo, pasi këta të fundit kanë shprehur pakënaqësi për mospunësimin e tyre dhe të familjarëve gjatë viteve të fundit dhe u kanë pohuar kandidatëve për deputetë se në këto kushte nuk mund t’ua japin votën. Një tjetër firo e madhe e PD-së në Qarkun e Fierit është krijuar edhe për shkak të përjashtimit të “klanit” mallakastriot nga numrat e sigurt të listës së kandidatëve të PD-së në këtë zonë, gjë që bëri që ata të mos pranojnë të jenë në këtë listë.
Konfliktet
Që në takimet e para që drejtuesi i grupit të kandidatëve të PD-së në Qarkun e Fierit, Sokol Olldashi, ka kryer me krerët e degëve të partisë dhe të nënstrukturave të saj, është hasur me ankesa dhe qejfmbetje të shumta. Burime konfidenciale pranë degës së PD-së së Fierit, kanë bërë me dije për gazetën “Shqip”, se mjaft prej drejtuesve të strukturave të degëve të PD-së në tri rrethet i kanë pohuar Olldashit se nuk mund të aktivizoheshin në fushatë, pasi ata ose familjarët e tyre kishin mbetur të papunë prej vitesh. Gjithashtu, ata i kanë bërë me dije Olldashit se, edhe nëse do të aktivizoheshin në fushatë, nuk mund ta kërkonin më votën te të afërmit e tyre, pasi nuk kishin arritur t’i mbanin premtimet e dhëna katër vite më parë për punësim. Kjo, sipas tyre, kishte ndodhur për shkak të koalicionit me LSI-në, e cila në Qarkun e Fierit përfitoi një pjesë të mirë të posteve dhe vendeve të punës së administratës shtetërore. Nga të njëjtat burime mësohet se disa prej këtyre militantëve të PD-së kanë “kërcënuar” me largimin nga kampi i të djathtës dhe bashkimin me opozitën. Në këto kushte, kur kandidatët e PD-së për Qarkun e Fierit janë gjendur përballë konflikteve me një pjesë të kryesuesve të strukturave të partisë, kanë projektuar një plan tjetër për të rifituar një pjesë të votave. Ata kanë parë si mënyrë të vetme të rikthimit të një pjese të votave të elektoratit të pakënaqur, gjetjen e hapësirave të punësimit gjatë kësaj periudhe zgjedhore. Kështu që administrata shtetërore pritet që të rikuperojë një pjesë të votave të të zhgënjyerve. Madje, mësohet se gjithë drejtuesit e institucioneve shtetërore janë thirrur dhe u është kërkuar lista e të punësuarve, që do të ballafaqohet me listën e anëtarësisë së degëve të partive të tri rretheve të Qarkut të Fierit. Burimet shtojnë se drejtuesve të institucioneve u është dhënë urdhër verbal që në çdo post drejtues të vendosin anëtarë të Partisë Demokratike dhe të “krijojnë” vende të reja pune, për të joshur me to një pjesë të të “pakënaqurve”. Gjatë kësaj jave ka nisur që ky plan të vihet në jetë, ku për hapjen e vendeve të reja të punës po shfrytëzohet administrata e “Albpetrolit”, arsimi dhe mjekësia. Mësohet se në këto institucione, e kryesisht në “Albpetrol”, kanë nisur shkarkimet e atyre që nuk bëjnë pjesë në listat e anëtarësisë së Partisë Socialiste.
“Klani i mallakastriotëve”
Partia Demokratike rrezikon të pësojë një humbje më të thellë se zakonisht në Qarkun e Fierit, edhe për shkak të harresës që i është bërë të ashtuquajturit “klani i mallakastriotëve”, që ka qenë një forcë vitale gjatë këtyre tetë viteve i këtij subjekti politik. Në listën shumemërore të Partisë Demokratike që gjendet në faqen zyrtare të KQZ-së, vihet re se midis kandidatëve të quajtur të “sigurt”, ndodhet vetëm emri i Bedri Mihajt me origjinë në zona e Cakranit, që më shumë qëndron afër Myzeqesë sesa Mallakastrës. Ndërsa Enkelejd Alibeaj, që ka përfaqësuar Mallakastrën, nuk është më pjesë e skuadrës së kandidatëve të PD-së për Qarkun e Fierit. Edhe dy mallakastriotët, emrat e të cilëve u lakuan gjatë muajve të fundit si kandidatë të mundshëm, kryetari i PD-së për qarkun dhe njëkohësisht drejtori i “Albpetrolit”, Ferdinand Murataj, dhe i zgjedhuri nga të djathtët si kryetar i Këshillit të Qarkut Fier, Artur Shehu, nuk gjenden në këtë listë. Në listën e publikuar fillimisht në media, emri i Muratajt gjendej i teti dhe ky fakt mësohet t’i ketë krijuar atij qejfmbetje dhe ka kërkuar të mos jetë pjesë e grupit të kandidatëve për Qarkun e Fierit. Nga burimet e sipërcituara mësohet se përjashtimi i mallakastriotëve nga numrat e sigurt të listës së kandidatëve për deputetë ka bërë që ata të jenë inaktivë në këtë prag fushate. Si pasojë, parashikohet që të ketë një firo të madhe të votave të mallakastriotëve të djathtë, një pjesë e mirë e të cilëve kanë migruar në Fier gjatë dekadës së fundit. Ndërkaq, më e braktisur nga PD-ja është lënë krahina e Mallakastrës dhe militantët e djathtë që jetojnë ende në fshatrat e kësaj zone dhe në qytetin e Ballshit. Burimet pranë degës së PD-së së Fierit pohojnë se harresa që u është bërë mallakastriotëve në këtë fushatë, mund të sjellë si pasojë humbjen e mijëra votave të djathta.
Shkaku
Harresa e “klanit të mallakastriotëve” në listën e kandidatëve për deputetë, rrezikon humbjen e mijëra votave që dikur i përkisnin PD-së
Emrat
Enkelejd Alibeaj, ish-ministri i Drejtësisë, dhe deputet i Qarkut të Fierit, si dhe Artur Shehu, kreu i qarkut, janë dy nga emrat e grupit të të pakënaqurve
Kërcënimi
Kandidatët për deputetë, konflikt me strukturat që kanë mbetur të papunë, të cilët kanë “kërcënuar” se do t’i bashkohen kampit të majtë