Lufta Civile
Beteja që mund të përcaktojë fatin e kryengritjes vijon të luftohet në çdo rrugë dhe çdo shtëpi
Grupimi kryesor i opozitës në Siri lëshoi një thirrje dje për rebelët në të gjithë vendin për të dërguar përforcime në qytezën kufitare strategjike, Kusair, ku prej disa ditësh po zhvillohen luftime të ashpra dhe ku janë përfshirë luftëtarë të Hezbollah nga Libia. Rebelët që po luftojnë për të rrëzuar Presidentin Bashar al-Asad thanë se sulmet ajrore dhe bombardimet nga toka kanë tronditur qytezën e vogël në kufirin mes Sirisë dhe Libanit, duke e kthyer në një fushëbetejë që mund të përcaktojë kontrollin e linjave të furnizimit me rëndësi kritike.
George Sabra, kreu në detyrë i Këshillit Kombëtar, bëri thirrje që rebelët të dërgojnë armë dhe burra në zonë, duke argumentuar se tashmë po përballen me “pushtues të huaj” nga Hezbollah dhe Irani.
“O djem të revolucionit të Sirisë, forcat e huaja po pushtojnë vendin tonë… ata synojnë të shkatërrojnë jetët tuaja, pra vraponi të mbroni vendin tuaj”, tha Sabra, në një deklaratë të shkruar.
“Çdokush që ka armë apo municione duhet t’i dërgojë ato në Kusair dhe Homs për të fuqizuar rezistencën. Çdo plumb i dërguar në Kusair dhe Homs do të bllokojë pushtimin që po përpiqet ta kthejë Sirinë në epokën e frikës”.
Forcat e Asad duken të vendosura për të pushtuar Kusair në mënyrë që të forcojnë kontrollin e tyre mbi një vijë toke që lidh kryeqytetin Damask me bazën e pushtetit të Asad në brigjet e Mesdheut, shtëpi e minoritetit fetar Alevi, një degë e Islamit Shia që e ka mbështetur atë gjerësisht.
Kapja e Kusair do t’i lejojë gjithashtu Asad të dobësojë lidhjet mes zonave të mbajtura nga rebelët në veri dhe në jug të Sirisë. Lëvizja shia Hezbollah po udhëheq luftimet në Kusair dhe angazhimi i saj masiv në luftë rrezikon ta kthejë Sirinë në një fushëbetejë më të madhe mes sunive dhe shiave.
Udhëheqësit rebelë kanë deklaruar se u frikësohen sulmeve hakmarrëse kundër shiave dhe alavive në Siri dhe Liban në rast se rebelët humbasin Kusair. Luftëtarët flasin për një marrëveshje të heshtur mes njësive të tyre për të nisur sulme fshat pas fshati në rast se ata shpartallohen në qytezën me 30 mijë banorë. Sabra paralajmëroi se forcat Hezbollah në Kusair mund të sjellin përhapjen e tensioneve suni-shia në të gjithë Lindjen e Mesme.
“Pushtimi do të ndezë një zjarr sektar që do të shkatërrojë marrëdhëniet mes vendeve dhe popujve në rajon. Askush nuk do të përfitojë nga kjo situatë me përjashtim të Izraelit”.
Media pro-Asad raporton se ka pasur avancime të mëdha nga Hezbollah dhe forcat shtetërore dhe se rebelëve u është lënë një rrugë tërheqjeje nga veriu. Rebelët thonë se nuk kanë humbur terren dhe as nuk po tërhiqen. Disa besojnë se ushtria dhe Hezbollah ka kapur rreth 60 për qind të qytetit, por rebelët po luftojnë ashpër, pasi e konsiderojnë këtë një betejë që mund të përcaktojë fatin e kryengritjes.
“Nëse ne humbasim Qusair, ne humbasim Homsin dhe nëse humbasim Homsin, ne humbasim zemrën e vendit: tha një rebel duke folur përmes internetit nga Homs, ndërsa shpërthimet dhe armët e zjarrit dëgjohen në sfond. Një tjetër tha se rrugët e furnizimit të luftëtarëve rebelë në qytet janë ndërprerë pothuajse tërësisht, por disa shtigje janë ende të hapura. Një analist në Katar tha se ky vend po kërkonte rrugë të reja për të dërguar furnizime në Kusair.
Forcat rebele nga pjesë të tjera të Sirisë duket se e kanë marrë seriozisht thirrjen për mbështetjen. Grupimi islamik Brigada Tavhed në Alepo publikoi një video ku një autokolonë me 30 makina shfaqet duke u nisur për në Kusair.