Por kërkon ende kohë për vendimin përfundimtar. Mbrojtësi: “Kualifikimi në Botëror? Nuk është i pamundur”
Altin Manallari
Loret Sadiku, me shumë mundësi që në verën e ardhshme, mund të marrë pjesë në Botërorin 2014 në Rio de Zhaneiro. Por ajo që ka befasuar të gjithë ka të bëjë me faktin se ylli i ri i skuadrës së Helsinborgut nuk do të veshë bluzën verdheblu të Suedisë, e cila e rriti që më 1991-shin (kur ishte 8 muajsh) e deri më sot, por atë kuqezi të Shqipërisë, sepse prejardhja e tij është shqiptare dhe në vena i qarkullon gjak shqiptari. Sadiku ka qenë një nga lojtarët me më shumë ndikim në ecurinë e Helsinborgut në këtë sezon dhe jehona e paraqitjeve të tij i ka kaluar kufijtë e Suedisë. Kohët e fundit, ai ka marrë një telefonatë nga Alban Bushi, menaxheri i përfaqësueses së Shqipërisë, i cili i ka ofruar të përfshihet në Kombëtaren kuqezi. “Sigurisht, unë jam krenar dhe i lumtur për këtë ftesë për të luajtur për Shqipërinë”, ka thënë Loreti për gazetën “Helsingborgs Dagblad”.
“Zgjohet” Suedia
Lajmi për zgjedhjen e mundshme të Sadikut për Shqipërinë i ka çuditur jo pak suedezët, të cilët janë “zgjuar” e kanë kontaktuar menjëherë për të folur rreth situatës. Më saktë, të dielën 21-vjeçarin e ka kontaktuar trajneri i U-21 të Suedisë, Hakan Erikson, ku qendërmbrojtësi i Helsingborg ka luajtur tri ndeshje, për ta pyetur rreth situatës. “Ne biseduam dhe unë u tregova i ndershëm me të, – rrëfen Loreti. Deri tani, Suedia ishte opsioni i parë, por tani nuk e di se si do të shkojnë ngjarjet. Këtu jam i huaj. Tani mendoj se jam shumë afër vendimit për të luajtur me Shqipërinë”. Sadiku e ka veshur më parë bluzën verdheblu të Suedisë U-21 dhe rregullorja nuk e ndalon për të zgjedhur të luajë për një tjetër Kombëtare në nivel të lartë. Konkurrenca në Kombëtaren A të Suedisë, që drejtohet nga Erik Hamrens, është e madhe. Trajneri ka aktivizuar në qendër të mbrojtjes Granqvist dhe Jonas Olsson. Kjo ka bërë që Sadiku të kuptojë se, nëse i thotë “po” Shqipërisë, ai do të ketë më shumë mundësi për luajtur rregullisht në ndeshje ndërkombëtare.
Faktori emocional
Pastaj këtu ndikon edhe një faktor emocional. “Kam gjak shqiptari, kam Shqipërinë në zemër, pohon Sadiku. Nuk ka asnjë dyshim që dua të luaj për Kombëtaren. Miqtë e mi shqiptarë më thanë të shkoja menjëherë, edhe unë atë doja. Por tani, pas problemeve me procedurat, nuk do të mund t’i bashkohem ekipit kundër Norvegjisë. Kështu që kam kohë deri në sfidën me Slloveninë dhe Islandën në shtator, për ta biseduar me prindërit, më pas të shohim çfarë do të ndodhë”. Megjithatë, në fund, talenti 21-vjeçar i Helsinborgut duket se ende nuk e ka ndarë mendjen përfundimisht: “I kam kërkuar Shqipërisë kohë shtesë për t’u menduar. Unë zgjedh të luaj për vendin tim, pasi Suedia ma mbylli derën. Por më parë do të mendohem, nëse jam i gatshëm për diçka kaq të madhe”. Shqipëria ka një shans të mirë për një kualifikim historik për herë të parë në Botërorin 2014.
Botërori 2014
Pas rreth gjysmës së ndeshjeve, renditet dy pikë poshtë Zvicrës së vendit të parë. “Asgjë nuk është e pamundur, edhe pse do të jetë shumë e vështirë”, këmbëngul mbrojtësi i talentuar. Më pas ai ka sqaruar edhe lidhjen e fortë me Shqipërinë: “Ne jemi një familje shqiptare. Mami dhe babi po e po, por edhe unë, që kam ardhur shumë i vogël këtu në Suedi. Do të isha krenar nëse do të luaja për Kombëtaren e Shqipërisë, të kombit tim”, përfundoi 21-vjeçari.