Të drejtat e njeriut
Raporti për 2012-n: Shqetësim keqtrajtimi në familje, në burgje, diskriminimi i romëve dhe gejve
“Amnesty International” shpreh shqetësimin për rritjen e dhunës brenda familjes në Shqipëri.
Organizata publikoi raportin për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë, nga janari deri në dhjetor të 2012. Për Shqipërinë, në dokument shprehet shqetësimi për dhunën në familje, torturat dhe keqtrajtimin në burgje, diskriminimin e pakicës rome dhe komunitetit homoseksual.
Zëvendësdrejtoresha e programit për Europën dhe Azinë Qendrore, Jezerca Tigani, tha për “Zërin e Amerikës” se organizata ka po të njëjtat shqetësime për të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Në raportin e “Amnesty International” ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen, si dhe torturat dhe keqtrajtimet në burgje dhe stacione policie.
“Amnesty” shpreh shqetësimin për dhunën në familje dhe diskriminimin e disa grupeve në Shqipëri, si dhe për faktin që në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë marrë parasysh të drejtat e njeriut. Mes problemeve kryesore që përmenden në pjesën për Shqipërinë janë tortura dhe keqtrajtimi në burgje, dhuna në familje, diskriminimi i pakicës rome dhe komunitetit homoseksual. Zëvendësdrejtorja e Programit për Europën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë, Jezerca Tigani, thotë nga Londra se organizata e saj vazhdon të ketë të njëjtat shqetësime për të drejtat e njeriut në Shqipëri.
“Vazhdojnë të raportohen shumë incidente të dhunës në familje. Gjatë vitit të kaluar janë raportuar 2526 incidente të dhunës në familje, 345 më tepër sesa vitin e mëparshëm. Kjo do të thotë se dhuna në familje vazhdon të jetë një problematikë në Shqipëri”.
Një shqetësim tjetër i madh në raport është vazhdimi i diskriminimit të komunitetit rom.
“Ka pasur disa raste vitin e kaluar kur komuniteti rom është larguar me forcë nga tendat e tyre dhe u është dashur të gjejnë mënyra të tjera, apo të sajojnë strehime të tjera ku janë zhvendosur familjet e tyre dhe disa nga këto zhvendosje kanë ndodhur gjatë temperaturave të ulëta të dimrit dhe qeveria ka marrë shumë pak masa për të akomoduar në njëfarë mënyre këtë komunitet”.
Tigani përmend gjithashtu diskriminimin ndaj komunitetit gej në Shqipëri, një problematikë që thotë se nuk është shumë e njohur në vendin tonë, por që duhet trajtuar më shumë. Ajo thotë se:
“Parada e parë për të drejtat e këtij grupi në Tiranë vitin e kaluar ishte një hap i rëndësishëm. Shpresojmë që këtë vit përsëri parada e Tiranës të zhvillohet”.
Në raportin e “Amnesty International” ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen dhe nuk kanë mundësi. Një çështje tjetër janë torturat dhe keqtrajtimet në burgje dhe stacione policie.
“Është një fatkeqësi që akoma raste të tilla torture dhe keqtrajtimi, ndodhin në Shqipëri”.
Në raport, përmendet edhe rasti i ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, dhe ish-oficerit të gardës Agim Llupo, të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011. Për Organizatën e të Drejtave të Njeriut, kjo çështje nuk është e mbyllur, megjithëse gjyqi përfundoi vitin e kaluar. “Ne si organizatë vazhdojmë të mendojmë se ky nuk duhet të jetë fundi i një incidenti të tillë. U vranë katër persona dhe nuk besojmë se gjyqi i majit jep drejtësinë e duhur”.
Një problem gjithëpërfshirës në Shqipëri, sipas Tiganit është se shoqëria e sheh veten ende si homogjene dhe për këtë arsye, i sheh si të veçuara komunitetet rome dhe gej.
“Aty është roli i qeverisë shqiptare, për t’i pranuar dhe angazhuar këto komunitete që të flasin më hapur dhe që të kenë të drejtën e tyre të fjalës dhe të shprehjes dhe të ndihen që janë pjesë e kësaj shoqërie shqiptare”.
Raporti
Dhuna
Gjatë vitit të kaluar janë raportuar 2526 incidente të dhunës në familje – tha ajo – 345 më tepër sesa vitin e mëparshëm
Jetimët
Në raportin e “Amnesty International” ngrihet shqetësimi për mungesën e kujdesit për të rinjtë jetimë që duan të strehohen
Romët
Vitin e kaluar, komuniteti rom është larguar me forcë nga tendat e tyre dhe u është dashur të gjejnë mënyra të tjera
