arvizu 2Kreu i prezencës së SHBA-së, Aleksandër Arvizu shpreson që partitë politike të shfrytëzojnë mundësinë e mbledhjes së Parlamentit ditën e hënë, qoftë për votimin e tre ligjeve apo situatën në KQZ.


“Sot është dita e parë e fushatës, por mesa duket ajo ka nisur. Kemi qenë shumë të qartë për pozicionimin e SHBA, për zgjedhjet dhe KQZ. Kam dëgjuar se do të zhvillohet një sesion në Parlament të hënën. Kështu që është një mundësi e mirë qoftë për tre ligjet dhe konstituimin e KQZ, dhe shpresoj që palët të përfitojnë nga kjo mundësi”, u shpreh ambasadori Arvizu, pasi vizitës që ka zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese ku u takua me kreun e këtij institucioni, Bashkim Dedja. Në prononcimin për mediat pas takimit, ambasadori amerikan vlerësoi se forca e çdo demokracie mbështetet në efektivitetin e drejtësisë. Me këtë rast, Arvizu vlerësoi rolin e Kushtetueses “për drejtësinë në vend”, ndërsa shprehu mbështetjen e fortë të SHBA-së për punën që kryetari i saj dhe vetë gjykata po bëjnë.


Ndërsa kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja tha se vizita e ambasadorit amerikan në këtë institucion , “ishte në vazhdën e mbështetjes që SHBA i ka dhënë sistemit gjyqësor në Shqipëri”.


“Pavarësisht, se Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor në Shqipëri, z ambasador u tregua i gatshëm që përmes përfaqësisë së SHBA-së të japë ndihmën, që ai e çmon të nevojshme, për përmirësimin e punës së Gjykatës. Ishte një vizitë njohje, perceptimi dhe diskutimi për problemet që shqetësojnë Gjykatën”, tha Dedja.


24 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)