Taulant BallaDeputeti socialist, Taulant Balla ka akuzuar sot degën e PD-së së Prrenjasit se po mashtron qytetarët për të penguar zhvillimin e takimeve elektorale të PS-së. “Çmendet PD në Prrenjas. Gënjen popullin se deputeti Taulant Balla ka bërë aksident të rëndë automobilistik dhe është dërguar në spital. Për këtë shkak anulohen takimet e tij”, shkruan deputeti Balla në rrjetin social “Facebook”.


Ai sqaron se FRESSH Prrenjas kishte njoftuar se sot në orën 15:00 do të zhvillohej një takim me votuesit e këtij qyteti, por Partia Demokratike, në fund të një takimi që ka organizuar në orën 10:00 të paradites, ka thënë se takimi është anuluar për shkak se Ballës i ka ndodhur një aksident i rëndë dhe është në spital.


“Sa turp për këtë parti të kalbur tashmë, që përdorin këto lloj gënjeshtrash. Ju them të gjithëve se jam çdo moment me popullin tim të dashur të Prrenjasit dhe të Librazhdit në takime në çdo lagje dhe shtëpi. I kërkoj PD Librazhd të kërkojë ndjesë për këtë akt të turpshëm.


Unë e di që ju tërboheni nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve në takimet e mia, por harrojeni se mund t’i pakësoni me presione apo me gënjeshtra të këtij lloji”, përfundon Balla.


24 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)