Tarifa që aplikohet në këto raste do të jetë 30% e detyrimit duke falur pjesën tjetër të detyrimit, gjobat dhe kamatëvonesat. Për efekt të këtij ligji, vijon më tej propozimi, të gjitha kontrollet e ushtruara në subjektet tatimpaguese deri në 31.12.2010
Para dhe vota
Kryeministri në Kukës
“Të miratojmë në Kuvend amnistinë fiskale”
Duke folur dje në mitingun e hapjes së fushatës elektorale në Qarkun e Kukësit, Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje rivalit të tij politik, që të votojë ligjin “Për amnistinë fiskale”. Sipas kreut të ekzekutivit, amnistia duhet të jetë për të gjithë shqiptarët dhe jo me qëllime klienteliste, ku kjo amnisti duhet të nisë që nga viti 2011. “I bëj thirrje të votojë amnistinë fiskale nga viti 2011 gjer më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon. Ti që i jepje Koços 80% të tenderëve të bashkisë, të gjithë reklamat e kryeqytetit, ti që i llogarisje bulevardin për sheshe ndërtimi, refuzove amnistinë fiskale, ndaj të votojmë së bashku me ligjet amnistinë fiskale”, tha dje Berisha. Ndërkohë, ai rregulloi deklaratën e bërë një ditë më parë në Librazhd se do e bëjë Shqipërinë njësoj si SHBA-në. Berisha tha se në fakt, Amerika është dekada larg, por për shqiptarët kjo tokë është Amerika e tyre. “Le t’i themi këtij shoku se natyrisht për ty e bukur ishte Shqipëria e etërve të tu, ndërsa për shqiptarët është e bukura e dheut, është Amerika e tyre, është parajsa e tyre tokësore. Shqipëria për ty është sot e shëmtuar, por jo për shqiptarët. Për shqiptarët ajo pavarësisht se është dekada larg Amerikës, ajo është Amerika e tyre”, tha Berisha. S.Dida
Ard Kola
Në korrik të vitit 2011, qeveria shqiptare për herë të parë vuri në zbatim projektin e amnistisë fiskale, duke lënë afat fundin e muajit dhjetor, pra 6 muaj. Paketa ofronte një sërë mundësish, por në kushtet kur konsensusi politik nuk u arrit, amnistia nuk ishte e plotë, sikurse e kërkonte biznesi. Për këtë dhe të tjera arsyeje, rezultati ishte zhgënjyes, pasi u çlirua vetëm 10 për qind e kapitalit dhe shumë pak borxhe u falën. Qeveria e shtyu amnistinë deri në mars 2012, vetëm për rivlerësimin e pronave për individët dhe e rishikoi sërish kohën e zbatimit deri në gusht të atij viti.
E thënë ndryshe, amnistia nuk solli zhbllokimin e kapitaleve të fshehura ndër vite, por u mjaftua vetëm me pastrimin e disa njollave në bilance, shumë pak nga sa pritej.
Dy javë më parë, pra në fillim të muajit maj 2013, Dhoma e Tregtisë së Tiranë, iniciatorja e amnistisë së parë, i kërkoi zyrtarisht qeverisë dhe opozitës të merrte në konsideratë, ndërmarrjen e një tjetër projekti të faljes, natyrisht më të plotë dhe me rregulla të reja. Kërkesa iu dërgua Ministrisë së Financave, por kjo e fundit, nga sa mëson gazeta “Shqip” nuk ka kthyer ende përgjigje.
Është vetë Kryeministri Berisha, i cili së fundmi po “provokon” debatin mbi faljen e gjobave dhe një pjese të detyrimeve. Në daljen e parë publike, pas propozimit të biznesit, Berisha u shpreh se personalisht ishte pro, por nuk mund ta merrte në konsideratë, pasi nevojitej edhe mbështetja e opozitës. Pak ditë më pas, në Berat, Berisha rriti tonet dhe u shpreh kategorikisht pro, kurse dje nga Kukësi, lançoi konkretisht projektin. Duke folur për miratimin e tri ligjeve, Kryeministri i bëri thirrje opozitës të votojë amnistinë fiskale nga viti 2011 gjer sot për të gjithë shqiptarët”.
Amnistia sipas biznesit
Biznesi i Dhomës së Tregtisë propozon që tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për personat juridikë të jetë jo më shumë së 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme, kurse tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive për personat juridikë të jetë jo më shumë se 5%. Ky variant ishte përfshirë edhe në amnistinë e mëparshme, por biznesi ka sugjeruar të shtohet edhe vlerësimi i emrit dhe markës së kompanive në treg, me tarifë jo më shumë se 2% e vlerës së plotë të emrit apo markës.
Biznesi kërkon që procesi i amnistisë dhe më tej të shoqërohet me ruajtjen e konfidencialietit dhe marrjen e masave ndaj shkelësve të këtij neni. Ishte pikërisht informacioni konfidencial mbi bilancet e biznesit, të cilat në jo pak raste krijoi probleme për sipërmarrjen private, si në asketin e konkurrencës, ashtu edhe në atë të “hakmarrjes” tatimore. Bizneset duan garanci që organet hetimore të tatimeve të mos nisin direkt verifikimet pas vetëdeklarimeve, pa pasur provat e mjaftueshme.
Në total, pesha e amnistisë fiskale, në këndvështrimin e borxhit tatimor dhe doganor, pra i detyrimeve të biznesit ndaj këtyre institucioneve kap një shifër prej 60 miliardë lekësh, pra afro gjysmë miliard euro, pa përfshirë kapitalet e fshehura.
Detyrimet që duhen falur
Në nenin 22 të ligjit për legalizimin e kapitalit, biznesi propozon dy variante. E para, tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore pranë zyrës së tatimeve, deklarime këto që duhet të verifikohen dhe legjitimohen nga zyra e tatimeve nëpërmjet kontrollit. Tarifa që aplikohet në këto raste do të jetë 30% e detyrimit duke falur pjesën tjetër të detyrimit, gjobat dhe kamatëvonesat. Për efekt të këtij ligji, vijon më tej propozimi, të gjitha kontrollet e ushtruara në subjektet tatimpaguese deri në 31.12.2010, si dhe të gjitha kontrollet që do të kryhen sipas procedurës së vetëdeklarimit nuk mund të rishikohen nëpërmjet procedurës së rikontrollit për asnjë lloj arsye nga administrata e sistemit fiskal. Varianti 2, i nenit 22, është konceptuar si pagesë vullnetare sipas qarkullimit tregtar. Kështu, tatimpaguesit të cilët për periudhat tatimore deri më 31.12.2010 kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimin real, kanë të drejtë që brenda periudhës së këtij ligji të paguajnë sipas qarkullimit të tyre tregtar tarifën e përcaktuar si vijon: Për sipërmarrësit që sipas qarkullimit tregtar arrijnë deri në 200 milionë lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 1 milion lekësh; nga 200 deri në 500 milionë lekë xhiro vjetore të operohet me një tarifë fikse pagese me një shumë prej 2 milionë lekësh; 500 milionë deri në 1 miliard lekë xhiro vjetore me tarifë fikse 3 milionë lekësh etj.
Detyrimet e biznesit, në formë borxhesh ndaj tatimeve dhe doganave janë 60 miliardë lekë
Votat
Realizimi i plotë i amnistisë fiskale kërkon votat e opozitës, pasi prek Kodin Penal, nenet që trajtojnë dënimin me burg për evazorët
Tatimet:
Evazion fiskal te
spitalet dhe hotelet
Në bashkëpunim me Misionin e FMN-së në vendin tonë, për vitin 2013, administrata tatimore janë përcaktuar si sektorë ekonomikë me risk hoteleri turizmi, shërbimet shëndetësore private dhe ndërtimi. Këta sektorë gjatë vitit 2012 kanë shfaqur nivel të ulët pajtueshmërie me ligjin, shmangie nga detyrimi për të deklaruar e paguar realisht aktivitetin e tyre ekonomik dhe pasqyrimin e drejtë të tij. Vetëm në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, sektori i shërbimeve shëndetësore private përfaqëson 4% të totalit të tatimpaguesve të regjistruar në TVSH dhe disa prej tyre deklarojnë xhiro vjetore nën 2 milionë lekë. “Nëpërmjet një komunikimi të vazhdueshëm me këta tatimpagues u është bërë thirrje që brenda datës 30 qershor 2013 të korrigjojnë deklaratat e tyre, në mënyrë që të shmangim penalizimet gjatë veprimeve të mëvonshme që do të ndërmarrë Administrata Tatimore”, deklaroi dje autoriteti fiskal. Administrata tatimore po përpiqet të fusë një mentalitet të ri, sipas këshillave të FMN, duke u bazuar te vullnetarizmi, ndërsa do të vijojnë të ndjekin moton “Më pëlqen të paguaj taksat, me to blej qytetërimin” (huazuar nga IRS, autoriteti tatimor i SHBA).