Vrasësi kërkon ndjesë për pamjen, bën deklaratë politike te kalimtarët e rastit në Londër
Autoritetet britanike njoftuan se dy njerëz dyshohen se therën deri në vdekje një ushtar britanik në rrugët e Londrës si hakmarrje për luftërat në vendet myslimane. Sipas policisë, të dyshuarit janë britanikë me origjinë nigeriane. Media vendore raportoi se një nga të dyshuarit është 28-vjeçari Michael Adebolajo dhe se policia ka bastisur shtëpitë e të afërmve të tij. Të dy të dyshuarit duket se janë konvertuar në myslimanë, pasi kanë origjinë familjare kristianizmin. Të dy janë nën arrest në spital, pasi u qëlluan nga policia dhe u plagosën.
Ndërsa ekspertët e sigurisë kanë vënë në dukje rrezikun e madh të qyteteve të Perëndimit nga “ujqit e vetmuar”, siç ishte rasti i bombave në Boston muajin e kaluar nga dy të rinj vendas të radikalizuar, Kryeministri David Cameron zhvilloi një takim urgjent me shefat e sigurisë për të vlerësuar përgjigjen ndaj këtyre sulmeve; ky ishte sulmi i parë vrasës në Britani, që kur islamikët vendës vranë dhjetëra vetë në Londër më 2005-n.
“Ky nuk ishte vetëm një sulm kundër Britanisë dhe kundër mënyrës britanike të jetës, ishte gjithashtu edhe një tradhti ndaj islamit dhe bashkësive të myslimanëve që japin kaq shumë për vendin tonë. Nuk ka asgjë në islam që të justifikojë këtë akt të tmerrshëm”, tha Kryeministri.
Ai vërejti se forcat e sigurisë së Britanisë i kanë pasur të dyshuarit nën vëzhgim dhe se së shpejti do të kryhet një analizë e mënyrës sesi u trajtuan ata nga shërbimet e sigurisë.
Një burim pranë hetimit tha se dukshëm rrënjët e të dyshuarve në një metropol multikulturor, ku 40 për qind e banorëve kanë lindur jashtë vendit, si dhe thjeshtësia e sulmit i bën ngjarje të tilla shumë të vështira për t’u parandaluar. Anjem Choudary, një nga klerikët myslimanë më të njohur në Britani, i tha “Reuters” se Adebolajo ishte i njohur te shokët e tij myslimanë me emrin muhaxhiri, gjë do të thotë “luftëtar”.
“Adebolajo vinte në disa demonstrata dhe aktivitete që ne kemi pasur në të shkuarën.” Ai shtoi se nuk e kishte parë atë për dy vjet. “Kur e njihja unë ishte një njeri i këndshëm”, tha Choudary. “Ishte paqësor dhe nuk mendoj se kishte ndonjë arsye të mendoje se do të bënte ndonjë gjë të dhunshme.”
Dy të rinjtë përdorën një makinë për të përplasur një ushtar të ri, emri i të cilit nuk u publikua, pranë një kazerme ushtarake në Londër dhe tentuan t’i presin kokën atij me hanxhar dhe thika, thanë dëshmitarët, para se t’u thoshin kalimtarëve të tmerruar se po e bënin këtë në hakmarrje ndaj luftërave në vendet islamike. Një video dramatike e kapur nga një kalimtar, tregoi një nga burrat me duar të gjakosura që thoshte se i vinte keq që po e bënte këtë në sy të grave, por e justifikoi veten me arsye fetare.
“Ne betohemi te Zoti se nuk do të ndalojmë kurrë së luftuari ju. Arsyeja e vetme pse e bëmë këtë është se myslimanët po vdesin çdo ditë”, tha ai. “Ky ushtar britanik është sy për sy, dhëmb për dhëmb.”
Sulmi rigjallëroi frikën e “ujqve të vetmuar”. Këta lloj ekstremistësh nuk kanë kontakt direkt me Al-Kaedën, por janë frymëzuar nga predikues radikalë dhe faqe interneti të militantizmit islamik, disa nga të cilat u kërkojnë njerëzve të sulmojnë me çfarë të munden.
Pamjet e të dyshuarit me duar të përgjakura, që u bëri thirrje britanikëve të rrëzojnë qeverinë e tyre ose të rrezikojnë të kenë fëmijët e tyre që përfundojnë si ushtari i vrarë, u publikuan në faqet e para të gazetave. Gjithashtu u publikua edhe deklarata e tij filmike me gjuhë të qartë, ndërsa si fliste me qetësi me kalimtarët para se të mbërrinte policia.
Sulmi ndodhi pranë barakave të një njësie të artilerisë së ushtrisë britanike në Londrën e jugut, një lagje punëtorësh me lidhje historike me ushtrinë. Viktima kishte veshur një bluzë ku shkruhej “Ndihmë për heronjtë”, emri i një organizate të krijuar për të ndihmuar veteranët britanikë të plagosur.
Menjëherë pas ngjarjes, disa kalimtarë vrapuan të ndihmojnë viktimën, ndërsa një grua u përpoq të hyjë në bisedime me një nga sulmuesit në përpjekje për ta qetësuar.
“Ai kishte diçka që ngjante si vegël kasapi, një shpatë të vogël për të prerë kockat dhe dy thika të mëdha. Ai tha: ‘Largohu nga trupi’”, tregoi kalimtarja Ingrid Loyau-Kennett. “Ai tha: ‘e vrava atë, sepse ai ka vrarë myslimanë dhe unë jam i ngopur me njerëz që vrasin myslimanë në Afganistan.’”
Londra u godit për herë të fundit nga terroristët më 7 qershor 2005, kur katër islamikë të rinj shpërthyen bomba vetëvrasëse në mjetet e transportit publik, duke vrarë 52 njerëz të pafajshëm e duke plagosur qindra të tjerë. Një atentat tjetër dy javë më vonë u parandalua. Më 2007-n, policia ndaloi shpërthimin e dy makinave bombë, ndërsa dy atentatorët i vunë flakën makinës së tyre. Britania ka një histori të gjatë të dhunës politike gjatë konfliktit në Irlandë.