Presidenti
Kryetari i Shtetit, Bujar Nishani, jep alarmin për ndonjë përplasjeje të mundshme shoqërore para ditës së zgjedhjeve, gjatë apo
pas 23 qershorit. Për këtë arsye, në një takim të posaçëm të zhvilluar vetëm një ditë para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, Nishani bëri dje apel që aktorët politikë dhe mediat në veçanti të bëhen pjesë e frenimit të emocioneve të tepruara dhe të parandalimit të çdo dramaciteti të pabazë, në mënyrë që këto tone të mos kthehen në një kosto institucionale për vendin. “Çështja e parë dhe më kryesorja që do doja bashkëpunimin tuaj, është të jeni pjesë frenuese apo parandalimin e çdolloj dramaciteti që nuk ka basë dhe kthehet në kosto sociale dhe emocionale për vendin. U ndala në këtë pikë se gjatë fushatës, paraelektorale ka pasur shpeshherë opinione të hedhura nga kënde të ndryshme, jo nga njerëzit e medias, për dyshim të procesit zgjedhor, rrezik të përplasjes shoqërore dhe sociale të aktorëve të ndryshëm ditën e zgjedhjeve apo para dhe pas”, tha kreu i shtetit. Ndërsa, i pyetur në lidhje me ecurinë e fushatës, Presidenti Nishani deklaroi se fushata ka nisur para afatit që parashikon ligji. Nishani ka mbështetur deklaratat e Kryeministrit Berisha, në lidhje me iniciativën e tij për heqjen e vizave me SHBA, ku Nishani shprehu bindjen se kjo mund të arrihet. I menjëhershëm ka qenë reagimi i PS-së. Nënkryetari i grupit të PS-së ka theksuar se Presidenti po bën fushatë për PD. “President Bujari futet në fushatë dhe përgëzon nismën për heqjen e vizave me USA. Më mirë të kishte uruar përsëri rrugën plot makina e qiellin plot avionë. Të paktën do ishte në lartësinë e mustaqeve”, shkruan Tahiri në “Facebook”.