Mitingu
Kreu i opozitës: Tirana ndëshkoi për grabitjen e 2011-s edhe Rilindjen
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale në Tiranë me një miting në Pallatin e Sporteve ku prezantuan 32 kandidatët e kësaj partie për qarkun më të madh dhe më të rëndësishëm të vendit. Nën stilin amerikan të të bërit fushatë, mitingu shfaqi Edi Ramën jo vetëm duke theksuar premtimet e PS-së për Rilindje, por duke dhuruar dhe spektakël për entuziastët e shumtë që mbushën sallën. Në sfond, ndërkaq qëndroi për disa minuta një fotografi e kreut të PS-së me Presidentin amerikan, Barack Obama, dhe Rama nuk ngurroi ta cilësonte Tiranën si një Amerikë të vogël, të përbërë me qytetarë ëndërrimtarë nga e gjithë Shqipëria për të krijuar një të ardhme më të mirë. Rama theksoi se vetëm një kryq në numrin 29 të fletës së votimit i ndan shqiptarët nga robëria, duke i çuar ata drejt një të ardhmeje të lirë dhe më të mirë. Spektakli vijoi me këngë, ku e famshmja “ra Faja nga fiku” u zëvendësua me “ra Sala nga fiku” dhe përfundoi me kandidatët për deputetë që këndonin “ku ka si Tirona lale” dhe shoqëroheshin nga Rama me dajre në dorë.
Prezantimi
Autobusi elektoral me 32 kandidatët për Tiranën, simpatizantë dhe madje muzikantë mbërriti pasditen e djeshme në Pallatin e Sporteve, “Asllan Rusi”, ku salla ishte e mbushur përplot me socialistë të ardhur nga të gjitha skajet e këtij qarku. Edi Rama deklaroi se ai vetë nuk kishte parë ndonjë takim elektoral më entuziast se ai i djeshmi, duke theksuar se tiranasit dhe tironsit në 23 qershor do të votonin jo vetëm për t’u hakmarrë ndaj vjedhjes së votave për Bashkinë e Tiranës, dy vite më parë, por dhe për të rilindur. Ai nuk harroi të përmendte faktin se sot Tirana ishte përfaqësimi më dinjitoz i të gjithë Shqipërisë dhe se ajo ishte një Amerikë e vogël, të cilës PS do i kthente projektin e merituar për rilindjen e saj. Ai foli për zhvillimin e infrastrukturës, heqjen e taksës së sheshtë, rritjen e cilësisë së arsimit, punësimin dhe luftën kundër kriminalitetit.
Kandidatët
Të 32 kandidatët e socialistëve në Tiranë theksuan në mitingun e djeshëm se fitorja e PS dhe shpallja e Edi Ramës Kryeministër pas 23 qershorit do të ndodhnin patjetër. Kandidati i parë i listës së Tiranës, Pandeli Majko theksoi se “Në Tiranë fillon Shqipëria dhe shqiptaria që po troket në shekullin e ri drejt familjes sonë europiane. Ndërgjegjja e Tiranës është e pandarë nga njerëzit e mirë dhe patriotë që nga Peza e pushkës së parë për liri dhe deri te Dajti dhe Shëngjergji i mendjes. Nga Kavaja e demokracisë, nga Rrogozhina, Vora, Farka dhe Preza, dhe deri te Kamza e lyer “blu” nga jashtë dhe e “kuqe” nga brenda. Brenda Tiranës sot rritet një popullsi nga jugu në veri duke forcuar unitetin e kombit shqiptar. Tirana sot është Shqipëria”. Ai theksoi se PS premton pas 23 qershorit një “dhëndër Tirone” për Kryeministër.
Muzika
PS riktheu dje si vijë muzikore në fushatën e saj këngën e famshme të Queen, “We will rock you”, e cila përkthehet “ne do t’ju shkundim ju”. Fjala duket se është për PD dhe kjo këngë ka qenë kolonë zanore e fushatës dhe në vitin 2009.