Një botë me ligje taksash që variojnë nga një vend në tjetrin, krijon shumë oportunitete për gjigantët ndërkombëtarë të lëvizin fitimet atje ku paguhet pak ose aspak, të shesin në të gjithë botën dhe njëkohësisht, të deklarojnë se nuk kanë bazë asgjëkund
Shmangia e taksave
Tom Bergin, “Reuters”
Aftësia e “Apple” për të fshehur miliarda dollarë nga tatimi mbi të ardhurat varet nga një hapësirë e pazakontë në kodin fiskal të Irlandës që ndihmon këtë vend të konkurrojë me vende të tjera për investime dhe vende pune. Një hetim i senatit të SHBA-së zbuloi këtë javë se “Apple”, prodhuesi i “iPhones”, “iPad” dhe kompjuterëve “Mac”, kanalizoi fitimet në kompani nën pronësinë e saj të regjistruara në Irlandë, të cilat kanë deklaruar se “nuk kanë rezidencë fiskale asgjëkund në botë”.
“Apple” deklaroi se këto marrëveshje qenë tridhjetë vjet të vjetra dhe se ishte negociuar me qeverinë e Irlandës, e cila ka zemëruar prej kohësh kolegët e saj europianë, si Franca apo Gjermania, për shkak se ndihmon multinacionalet të shmangin pagesën e taksave për shitjet që bëjnë për qytetarët e tregjeve të tyre. Raportet vjetore të “Apple” tregojnë se përgjatë tre viteve të shkuara, taksat e paguara qenë vetëm 2 për qind e të ardhurave të saj të përtejdetit prej 74 miliardë dollarësh.
“Apple” aktualisht kanalizon shumicën e shitjeve të saj nëpër botë përmes tri kompanive që janë të regjistruara në Irlandë, por që për qëllime taksash, deklarohen se nuk janë rezidentë asgjëkund. Rregullat e SHBA-së u lejojnë kompanive të inkorporuara jashtë vendit të mos paguajnë taksa në SHBA.
Kreu i taksave të “Apple”, Phillip Bullock, i tha nënkomitetit të përhershëm hetimor të Senatit, se një nga këto tri kompani, “Apple” “Operations International”, (AOI) nuk ka dorëzuar një bilanc fiskal asgjëkund për pesë vite.
Të tria kompanitë qenë regjistruar në Irlandë më 1980-n si kompani të pakufizuara më 2006-n, gjë që, sipas ligjit irlandez, do të thotë se nuk kanë detyrimin të publikojnë bilancin e tyre vjetor. Për këtë arsye, raporti i nënkomitetit ishte rasti i parë që struktura aktuale u bë publike.
Peter Vale, një partner fiskal te kompania e kontabilitetit “Grant Thornton” në Dublin, tha se është e pazakontë për kompanitë e regjistruara në Irlandë të mos jenë rezidentë fiskalë në këtë vend, por gjithsesi kjo është e ligjshme.
“Apple” bazohet te përfitimet fiskale në përqasjet e kundërta për të përcaktuar rezidencën fiskale në Irlandë dhe në Shtetet e Bashkuara. Vale tha se nëse një grup që ka së paku një nënkompani në Irlandë, siç ka “Apple”, në formën e një njësie që punëson 4 mijë njerëz, ajo mund të krijojë një korporatë që nuk do të konsiderohet rezident fiskal në Irlandë, me kushtin që “menaxhimi qendror” i kësaj njësie të jetë jashtë vendit.
Nënkomiteti tha se dy kompanitë e “Apple” të regjistruara në Irlandë i zhvilluan takimet e bordit në Shtetet e Bashkuara dhe shumica e anëtarëve të bordit kishin bazë në SHBA. Kjo do të thotë se këto njësi nuk do të konsideroheshin si njësi me menaxhim në Irlandë, thanë kontabilistët.
Dokumentet e “Apple” të publikuara nga nënkomiteti treguan se shefi ekzekutiv aktual, Tim Cook, dhe shefi i financave, Peter Oppengeimer, qenë anëtarë bordi të të tria kompanive të regjistruara në Irlandë dhe zakonisht i kryenin takimet e tyre në zyrat qendrore të “Apple” në Kupertino të Kalifornisë.
“Apple” i tha nënkomitetit se AOI nuk ka të punësuar dhe nuk ka adresë fizike. Asetet e saj menaxhohen nga punonjësit e një dege, të quajtur Braeburn Capital, me bazë në Nevada, ndërsa asetet mbahen në llogari bankare në Nju Jork. Llogaritë dhe arkiva mbahen në qendrën e shërbimeve të kompanisë në Ostin të Teksasit.
Pavarësisht kësaj, AOI nuk ka një rezidencë fiskale në Shtetet e Bashkuara, sepse, thotë Ly Oates, profesor i taksave dhe kontabilitetit në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara e përcaktojnë rezidencën fiskale vetëm në vendin e regjistrimit.
Fitime të humbura
Britania më herët lejonte gjithashtu kompanitë të kishin regjistrim atje pa qenë rezidentë fiskalë, por e ndryshoi sistemin 20 vjet më parë për të ndaluar shmangien e taksave. Irlanda nuk i ndryshoi rregullat, me gjasa për shkak se nuk kishte të njëjtin shqetësim për humbjen e të ardhurave fiskale. Popullata e vogël e Irlandës prej 4.6 milionë banorësh nënkupton që korporatat gjenerojnë relativisht pak të ardhura nga shitjet apo fitimet në këtë vend.
“Nga këndvështrimi i politikave, njerëzit janë më të shqetësuar me idenë se punë të mirëpaguara po krijohen në ekonominë vendore”, thotë një ekspert. “Apple” në fillim u zgjerua tek Irlanda për të fituar nga klima miqësore me biznesin dhe për ta përdorur këtë vend si portë për në Europë. Në vitet 1980, Irlanda ofroi incentiva për kompanitë e teknologjisë, ndërsa po përpiqej të ndërtonte një bazë industriale. Përgjatë viteve, “Apple” evoluoi dhe mbështetja e qeverisë së Irlandës u rrit.
Që nga fillimi i viteve 1990, qeveria e Irlandës e llogariti fitimin e taksueshëm të “Apple” në një mënyrë të tillë sa prodhoi një normë efektive më të ulët se 10 për qind. Analiza e “Reuters” mbi bilancet e “Apple” tregon se kjo kompani filloi të paguajë fare pak tatim fitimi vonë në vitet ’90, si pasojë e një ndryshimi ligjor në SHBA që u lejoi kompanive të mos paguajnë taksa për fitimet e realizuara jashtë vendit. Kjo skemë filloi të njihej si shtegu “Check-the-box” (CTB).
Në vitet 1993-1995, tri vite para se të shfaqej CTB, “Apple” pagoi 16 për qind taksë për fitimet jashtë Amerikës. Por në tre vitet e fundit, kjo ra në vetëm 2 për qind. Një ish-zyrtar i Autoritetit të Irlandës për Zhvillim, zyra përgjegjëse për të nxitur kompanitë e huaja për të investuar në Irlandë, tha se pasi SHBA-ja lejoi mospagimin e fitimeve të realizuara jashtë vendit, kompanitë filluan të kërkojnë marrëveshje më të vlefshme fiskale në Irlandë.
Irlanda i ofron uljet e taksave jo duke ulur normën nominale të taksimit të fitimeve të korporatave, që aktualisht është 12.5 për qind, por duke i lejuar kompanitë të deklarojnë fitime të pakta, shpesh duke lejuar deklarimin e amortizimeve apo shpenzimeve të zbritshme për shpenzimet e kryera për degë të tjera të kompanive në vende të treta.
Irlanda thotë se taksat e ulëta nuk janë faji i saj dhe akuzoi legjislacionet fiskale të vendeve të tjera si përgjegjëse. Marrëveshja e Irlandës me “Apple” duket se ka ndryshuar me kalimin e viteve. Deri më 2004-n, tri kompanitë e “Apple” në Irlandë taksoheshin relativisht mirë. Më 2004-n, njëra nga kompanitë realizoi 325 milionë dollarë fitime dhe pagoi 21 milionë dollarë taksë për Irlandën. Më 2011-n, e njëjta kompani realizoi 22 miliardë dollarë fitime dhe pagoi vetëm 10 milionë dollarë në “taksa globale.” Njësitë e shitjeve në Francë, Gjermani dhe Britani, i blejnë mallrat nga njësia në Irlandë. Çmimet caktohen të tilla që këto njësi në shtetet e mëdha të mos raportojnë shumë fitime. Kjo do të thotë se kompania shmang taksat mbi fitimet në tregjet më të mëdha. Më 2011-n, në Britani “Apple” kreu 860 milionë paund shitje, deklaroi fitime prej 31 milionësh dhe pagoi 9 milionë tatim fitimi. “Apple” i Francës raportoi humbje prej 21 milionë eurosh për shitje prej 346 milionësh dhe pagoi tatim fitimi 7 milionë. “Apple” në Gjermani raportoi 4 milionë euro humbje për 174 milionë euro të ardhura dhe nuk pagoi tatim fitimi. Fitimet e vërteta përfunduan në Irlandë. Edhe kompani të tjera bëjnë të njëjtën gjë. “Amazon” i kanalizon fitimet në Luksemburg, ku qindra milionë euro fitime nuk paguajnë tatim mbi fitimin. “Google” paguan pak taksa për shitjet në Europë, për shkak se i kryen ato përmes një njësie në Irlandë dhe i mban paratë në një kompani në Bermuda.
Skemat fiskale të përdorura nga këto tri kompani funksionon duke krijuar kompani të ndryshme në vende të ndryshme, ku disa marrin paratë nga klientët dhe disa të tjera i marrin fitimet për t’i deklaruar aty ku qeveritë nuk duan t’i taksojnë fitimet. Skema më e zakonshme është mbajtja e pronësisë intelektuale në vende ku nuk paguhen taksa dhe shitja e kësaj pronësie për kompanitë që punojnë në vendet ku taksat duhet të paguhen.
Grupi i 20 vendeve më të zhvilluara të botës i ka kërkuar Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, të kërkojë mundësitë për të bllokuar hapësirat ligjore ndërkufitare për transferimin e fitimeve. Kompanitë ndërkohë thonë se u binden ligjeve fiskale në çdo vend ku ato operojnë.
Si funksionon skema:
- Një markë krijohet në SHBA
- Vihet nën pronësinë e një kompanie në Luksemburg
- Një kompani tjetër, pjesë e të njëjtit grup, shet mallra nën këtë markë në Gjermani
- Dega në Gjermani i blen mallrat nga dega në Luksemburg me çmime të fryra dhe deklaron pak fitime ose humbje në Gjermani
- Kompania në Luksemburg mban fitimet, sepse në këtë vend paguan pak taksa