Përmbytjet


Komunat Ana e Malit dhe Bërdicë: Do të bllokojmë rrugën


Dy kryekomunarët thonë se banorët janë revoltuar, pasi nuk është ngritur asnjë grup vlerësimi


Ardi Hoti


permbytjeNdërsa qeveria është angazhuar e gjitha në fushatë elektorale, që dje edhe zyrtarisht, një kërcënim për protesta u ka ardhur nga banorët e Nënshkodrës, për shkak të neglizhencës që po bëhet ndaj tyre për përllogaritjen e dëmit të shkaktuar nga përmbytjet e fundit. Në një kohë kur kanë kaluar gati dy muaj nga përmbytja e fundit në Nënshkodër, asnjë grup verifikimi për dëmet e shkaktuara nuk ka zbritur në terren. Kjo situatë, sipas drejtuesve të njësive vendore, ka revoltuar banorët deri në përgatitje protestash apo edhe bllokim rrugësh. Në muajin mars të këtij viti, Nënshkodra përjetoi përmbytjen e gjashtë në tre vitet e fundit, ku u mbuluan nga uji 6 mijë hektarë tokë bujqësore dhe 50 shtëpi, ndërkohë që 300 ndërtesa të tjera mbeten të izoluara me ditë të tëra.


Reagimet


Dy drejtuesit e komunave Ana e Malit dhe Bërdicë, që janë edhe njësitë vendore më të prekura nga përmbytja, shprehen se banorët tashmë janë revoltuar dhe zemërimi i tyre po shkon deri në protesta. Kryetari i Komunës Ana e Malit, Xhevat Mollca, duke folur për gazetën, shprehet se pavarësisht kërkesave, nuk ka asnjë grup verifikimi në terren. “Kjo është e pafalshme, pasi shteti shkaktoi një dëm prej miliona dollarësh dhe askush nuk kujtohet për të parë pasojat. Kjo i ka revoltuar shumë banorët e Anës së Malit dhe nuk po durojnë më nga kjo neglizhencë. Zemërimi i tyre ka arritur deri në përgatitje protestash dhe bllokim të rrugës nacionale. Banorët janë të lodhur nga përmbytjet, por janë akoma më shumë të lodhur nga indiferenca e shtetit. Sa ishin të përmbytur nuk u vizituan nga asnjë qeveritar dhe së fundmi askush nuk kujtohet të verifikojë dëmet”, deklaron Mollca. Po në të njëjtën situatë duken edhe banorët e Bërdicës. Këtë e konfirmon kryetari i Komunës Bërdicë, Besnik Brahimi, i cili shprehet i zhgënjyer nga qëndrimi i qeverisë. “Situata te banorët është shumë e tensionuar dhe nuk ka mbetur tashmë asgjë tjetër për të bërë, veçse të kalohet në veprime ligjore ekstreme. Kam fjalën se banorët janë shprehur se do të bllokojnë rrugën, si e vetmja alternativë që të dëgjohet zëri i tyre për hallet që kanë. Ne si komunë do të jemi në mbështetje të banorëve në çdo nismë që ata do të marrin. Gjithashtu, banorët e Bërdicës e kanë kuptuar se pagesa e dëmit të përmbytjes së para tri viteve, sot pak para zgjedhjeve, nuk është gjë tjetër, veçse një mashtrim qesharak elektoral dhe në këto kushte nuk mund ta hajë askush sapunin për djathë”, rrëfen i revoltuar kryekomunari Brahimi.


Gjashtë përmbytje


Ajo që bie në sy, është fakti se përmbytja e fundit ka shkaktuar më shumë dëme se asnjë përmbytje në bujqësinë e Nënshkodrës, pasi ndryshe nga herët e tjera ajo ndodhi në një kohë kur pritej të merrej prodhimi. Por, nëse kthehemi në kohë, brenda tre vitesh, Nënshkodra ka përjetuar gjashtë përmbytje dhe kjo duket se tashmë e ka sosur durimin e banorëve, të cilët vetëm për një përmbytje janë dëmshpërblyer. Konkretisht, përmbytja e parë ndodhi më 3 janar të vitit 2010, ku u përmbytën mbi 10 mijë hektarë tokë, 2489 shtëpi dhe u evakuuan 4780 persona. Kjo përmbytje përfshiu 8 komuna të Nënshkodrës dhe Bashkinë Shkodër. Dëmi i llogaritur në këtë përmbytje ka arritur në 5.1 milionë dollarë. Ndërsa përmbytja e dytë ka ndodhur më 21 shkurt, rreth një muaj pas të parës. Përmbytja e tretë ndodhi më 17 prill, e cila zgjati shatë ditë, ku u përmbyten 1420 hektarë tokë dhe 100 shtëpi. Kur u duk se Shkodra mbaroi punë me përmbytjet, pikërisht më 5 tetor të vitit 2010 ndodhi edhe përmbytja më e madhe e ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Nga kjo u përmbytën rreth 14 mijë hektarë tokë dhe mbi 4600 shtëpi dhe u mbytën rreth 31 mijë bagëti, ndërsa me qindra banesa janë pjesërisht të shembura, për shkak të qëndrimit në ujë me javë të tëra. Dëmi i shkaktuar nga kjo përmbytje kap shifrën e 30 milionë dollarëve. Në lidhje me dhënien e dëmshpërblimit të kësaj përmbytjeje, qeveria u kujtua pas dy vitesh, pikërisht pesë javë para zgjedhjeve, pasi filloi të paguajë dëmin vetëm në masën 18 për qind. Nga të gjitha përmbytjet bie në sy fakti se të gjitha kanë ndodhur në momentin kur janë hapur portat e hidrocentraleve.