Vendimi


Shoqata e famshme e të rinjve eksploratorë shfuqizon ndalimin 100-vjeçar


bojskautet kundershtare te merziturShoqata e Bojskautëve të Amerikës vendosi së fundmi të heqë ndalesën një shekull të vjetër të pjesëmarrjes në aktivitetet e saj të njerëzve që janë hapur homoseksualë, një vendim i konsideruar si një fitore e madhe për të drejtat e komunitetit LGBT, por ky vendim pritet të sjellë probleme të konsiderueshme në organizatën që bazohet shumë te grupimet e fetarëve.


Rreth 60 për qind e 1400 delegatëve në Këshillin Kombëtar votuan për t’i dhënë fund ndalimit, vendim që do të hyjë në fuqi më 1 janar 2014. Ndalesa për udhërrëfyesit e rritur të grupeve mbetet në fuqi. Vendimi erdhi pas lobimit intensiv të grupimeve të të drejtave të njeriut mes grupimeve konservatore, të tilla si grupimet e kishave, të cilat kanë qenë historikisht baza më e rëndësishme e organizatës së bojskautëve, një organizatë rinore.


Një nga aktivistët tha se debati brenda grupit bëri të ditur se të rinjtë nuk e shohin më këtë çështje siç e shohin gjeneratat e vjetra. Ndalimi i anëtarëve gej të hapur në organizatën e bojskautëve u bë një betejë e madhe, pasi ushtarët gej në SHBA fituan të drejtën ta deklarojnë publikisht prirjen e tyre dhe pasi çiftet gej fituan të drejtën e martesës në shumë shtete.


Bojskautët u përballën me presion të konsiderueshme nga të dyja anët gjatë këtij debati, raporton “Reuters”. Nga njëra anë qenë mbështetësit e të drejtave gej dhe disa sponsorizues korporativë që japin shumicën e parave të organizatës dhe, nga ana tjetër, qenë grupimet e ndryshme kombëtare të kishave, të cilat sponsorizojnë dhe mbështesin shumicën e aktiviteteve rinore të vendit.


Disa prej të humburve vendosën të tërhiqen nga organizata pas vendimit. Njëri prej tyre dorëzoi një medalje që e pati fituar për aktivitetet e tij. Në SHBA ka rreth 100 mijë njësi të bojskautëve, nga të cilët rreth 70 për qind janë të furnizuar nga organizatat fetare. Ndryshimi i madh erdhi kur kisha Mormone, një nga sponsorizuesit e mëdhenj të bojskautëve, ndryshoi qëndrim, duke mbështetur heqjen e ndalimit. Kjo kishë drejton rreth 38 mijë njësi bojskautësh me rreth 250 mijë aktivistë. Në SHBA janë aktualisht rreth 1 milion të rinj anëtarë të organizatës.


Grupi i dytë më i madh fetar është kisha Metodiste, me rreth 11 mijë njësi dhe 363 mijë bojskautë. Edhe ata e mbështetën heqjen e kufizimit. Kisha Katolike, me 8400 njësi, nuk mori pozicion zyrtar në debat. Amerikanët shprehen gjithnjë e më shumë në favor të pranimit të të drejtave të homoseksualëve, por një sondazh i kryer mes bojskautëve tregoi se dy të tretat e tyre janë kundërshtarë. Udhëheqësia e organizatës e mbështeti reformën dhe i nxiti delegatët ta pranojnë atë.