Censura
Zyrtarët e Rusisë thanë se rrjeti i medias sociale më popullor në Rusi, “VKontakte”, u vendos gabimisht në listën e zezë të faqeve të internetit të ndaluara, por gabimi u korrigjua shpejt.
Në disa pjesë të Rusisë, gabimi solli bllokimin e menjëhershëm të aksesit nga publiku në këtë faqe popullore. Por rregullatori shtetëror i telekomunikacioneve tha se shërbimi është rikthyer.
“VKontakte” ka 200 milionë përdorues të regjistruar. Vitin e kaluar ai u përdor gjerësisht nga kundërshtarët e Presidentit Vladimir Putin. Autoritetet thonë se bëhej fjalë për një “gabim njerëzor”. Nëntorin e kaluar Rusia miratoi një ligj të debatueshëm me anë të së cilit qeveria i jep të drejtë vetes të bllokojë faqe interneti që konsiderohen të dëmshme për fëmijët pa kaluar në ndonjë proces gjyqësor.
Autoritetet thonë se synimi i ligjit ishte që të mbrohen minorenët nga faqet e dhunshme. Kritikët thonë se kjo është një përpjekje tjetër nga Presidenti Putin për të kontrolluar popullatën dhe për të shtypur opozitën.