
Një ekip shkencëtarësh anglo-kanadezë mund të kenë zbuluar ujin më të vjetër në Tokë, në një minierë në Ontario, Kanada. ‘Qesja’ e ujit, e cila ka qëndruar e izoluar nën tokë për më shumë se një miliard e gjysmë vjet, mund të jetë e përshtatshme për jetën dhe mund t’u japë shkencëtarët të dhëna se si të kërkojnë për format të jetës aliene në planetë të tjerë.
Studiuesit britanikë nga universitetet e Mançester dhe Lancester, dhe ata kanadezë nga universitetet e Toronto dhe McMaster, kanë analizuar përbërjen kimike të një ‘pusi’ me ujë që rrjedh me një normë prej 2 litra për minutë, nga një çarje në shkëmbin e një miniere në Ontario, rreth 2,4 km poshtë tokës. Shkëmbinjtë që rrethojnë këtë “pus”, një oaz i vendosur në koren e tokës, mendohet të jenë rreth 2,7 miliardë vjet të vjetër, por deri tani askush nuk dyshonte se uji ishte aq i lashtë.

Analiza e tij tregoi se mosha e tij është të paktën 1.5 miliardë vjeçare (por mund të jetë më i vjetër) dhe është i pasur me metan, hidrogjen, dhe izotope të disa gazrave si heliumi, argoni, neoni dhe ksenoni.
Të gjitha këto gaze, që derivojnë nga ndërveprimi mes ujit dhe shkëmbit, mund të ofrojnë kushtet mjedisore për praninë në ujë të mikrobeve shumë të vjetra, të cilët nuk e kanë njohur dritën e diellit për miliarda vjet.
Para këtij zbulimi, uji i vetëm aq i vjetër (në qoftë se përjashtojmë atë të Liqenit nënakullnor Vostok në Antarktidë) ishte gjetur i ‘mbyllur’ në flluska të vogla brenda shkëmbit dhe i vlerësuar krejtësisht i paaftë për të zhvilluar kushte mjedisore për jetën. Ndërkohë, zbulimi i ‘pusit’ nëntokësor në Ontario ka karakteristika të ngjashme me një xhep uji më të ri në moshë, të gjetur në Afrikën e Jugut në thellësinë 2,8 kilometra nën tokë, i cili tashmë është provuar të jetë i populluar nga mikrobet.
Zbulimi mund të jetë tepër i dobishme për shkencëtarët të cilët studiojnë zhvillimin e jetës në kushte ekstreme, të tilla si ato që gjenden në Mars. Shkëmbinjtë pranë xhepit të ujit të zbuluar në Ontario janë të ngjashëm me ata të pranishëm në Planetin e Kuq.
25 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)