Socialiste për Integrim ka prezantuar në Njësinë nr. 10 në Tiranë kandidaten për deputete, Kejdi Mehmetaj. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se për LSI-në rinia nuk është thjesht një pjesëmarrëse, por shpirti i LSI-së.
“Ne në Këshillin e Bashkisë së Tiranës shumicën e këshilltarëve i kemi anëtarë të LRI-së, por ne edhe në Qarkun e Tiranës, 4 nga 7 të parët në listën e kandidatëve për deputetë i kemi nga LRI-ja, siç është dhe rasti i Kejdit. Edhe kandidatja jonë e dytë në listën e Tiranës, Klajda Gjosha është ende 20-vjeçare, jo 20 sa Kejdi, por nuk i ka bërë 30 akoma. Edhe shumë të rinj të tjerë si Arditi, si Endriti janë në krye të kësaj liste, sepse për ne politika ka nevojë për protagonizmin e të rinjve, për energjitë e tyre, për ëndrrat e tyre dhe padyshim pa energjinë e tyre si mund të ecim ne më shpejt”, tha ai.
Meta u shpreh se ka një dallim të qartë midis LSI-së dhe Kryeministrit aktual. “I vetmi shqetësim për të është si të mbajë karrigen, si të mos e lëshojë karrigen, ndërsa shqetësimi ynë është si të vëmë Shqipërinë në punë, si të hapim vende të reja pune për të rinjtë dhe për të rejat, si t’u garantojmë një perspektivë, sepse Shqipëria për fat të keq ndodhet në një stanjacion, ndodhet në një ngërç, jo vetëm politik, por edhe ekonomik. Dhe natyrisht që ne nuk mund të pajtohemi me këtë situatë dhe në radhë të parë nuk mund ta pajtohen të rinjtë dhe të rejat që janë këtu në Njësinë 10, në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë. Vetëm me një rini aktive ne do ta vëmë Shqipërinë në punë. Ndërsa problemin e premtimit të Berishës, që mos ta lëshojë karrigen e kemi zgjidhur, atij karrigen do t’ia japim ta marrë me vete bazuar edhe në ligjin që ai ka nxjerrë Shqipëria 1 euro. Ndërsa Shqipëria do të ecë përpara. Ne jemi një forcë konstruktive, jemi një forcë pozitive, edhe për çështjen e tre ligjeve ne kemi dhënë një propozim shumë konkret, një kompromis. Shpresojmë që ditën e hënë këto tre ligje të votohen dhe t’i krijojmë mundësinë Shqipërisë të ecë më shpejt për marrjen e statusit të vendit kandidat, sepse kjo do të thotë më shumë mbështetje financiare nge BE-ja, më shumë projekte, më shumë vende të reja pune për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, që dëshirojnë të kenë një të ardhme evropiane këtu në zemër të Tiranës dhe kudo në Shqipëri”, vijoi Meta.
Sipas tij më 23 qershor duke votuar për LSI-në, duke votuar për ndryshimin, duke realizuar në mënyrë të sigurt rotacionin politik, i japim një mundësi të madhe të gjithë shqiptarëve të ndihen të lehtësuar më 24 qershor, të ndihen të bashkuar dhe të bashkëpunojmë të gjithë që e gjithë Shqipëria të ecë më shpejt, të gjithë shqiptarët të ecin më shpejt, e gjithë Tirana të ecë më shpejt.
“Për Kryeministrin aktual është karrigia e parë, nuk janë qytetarët të parët dhe këtë ai për fat të keq e tregon çdo ditë. Ai flet për arritje të jashtëzakonshme, ndërkohë që problemet janë gjithnjë e më të mëdha. Ai premton se do të hapë 250 mijë vende pune në 4 vjet kur në tetë vite më shumë mbylli se sa hapi vende të reja pune. Dhe siç e thamë me të gjithë të rinjtë dhe të rejat në takimin, që bëmë para pak ditës të Amfiteatri i Liqenit Artificial, pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë. Kështu që tani nuk do t’ia besojmë më rininë doktorit. Edhe në Kinë ka dalë një ligj që deri në 70 të lejojnë të drejtosh dhe pastaj duhet të dalësh në pension. Kështu që ne tani t’i japim mundësi Shqipërisë të bëjë një ndryshim, t’i japim një mundësi edhe PD-së që edhe ajo të reformohet, sepse ka probleme të mëdha. Doktori do të qëndrojë 12 vjet Kryeministër, ata ministrat duan të rrinë 12 vjet, po ashtu edhe drejtorët, ndërkohë që vendi është në stanjacion, vendi është në krizë, problemet ekonomike janë në rritje dhe nuk është aspak çudi që edhe në këtë lagje, që janë në qendër të Tiranës njerëzit të kenë emrat në listat e borxheve të dyqaneve ushqimore, prandaj ne duhet t’i japim një zgjidhje dhe zgjidhjen po ia japim nëpërmjet planit tonë për punësimin prej pesë pikash që do ta ketë çdo familje e Tiranës dhe e Shqipërisë”, deklaroir Meta.
25 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)