Dymbëdhjetë vjet nga nisja, Presidenti kërkon të tërhiqet prej disa aspekteve më të debatueshme
Pas më shumë se 12 vitesh “luftë kundër terrorit”, Presidenti Barak Obama dëshiron t’i japë fund “luftës së vazhdueshme” botërore kundër militantëve islamikë.
Në një fjalim të rëndësishëm të mbajtur dje, Obama e zvogëloi objektivin e fushatës së vrasjeve të shënjestruara ndaj militantëve të Al-Kaedës dhe aleatëve të saj dhe mori hapa drejt mbylljes së burgut ushtarak të Guantanamos. Ai pranoi se SHBA-ja ka përdorur “torturën” në të shkuarën, shprehu brerje ndërgjegjeje për viktimat civile nga sulmet me avionë pa pilot dhe tha se Guantanamo “është bërë një simbol nëpër botë e një Amerike që tallet me sundimin e ligjit.”
Pasi nisën luftëra të shtrenjta në Irak dhe Afganistan, Shtetet e Bashkuara po lodhen nga konflikti. Megjithëse lufta kundër terrorizmit është ende një prioritet i lartë në Shtëpinë e Bardhë, sondazhet sugjerojnë se shqetësimet kryesore të amerikanëve janë ekonomia dhe problemet e brendshme, si kujdesi shëndetësor.
“Ne kemi qenë në luftë tashmë për më shumë se një dekadë”, tha Obama në fillim të fjalës së tij. Në fund të saj, ai shtoi: “Por kjo luftë, si të gjitha luftërat, duhet të përfundojë.”
Megjithëse një fjalim me objektiv para së gjithash audiencën e brendshme, deklarata e Obamës në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes ishte gjithashtu një gur kilometrik në fushatën e tij për të ndryshuar imazhin botëror të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në botën islamike.
Por ai përballet me pengesa nga kundërshtarët në Kongres, të cilët pritet të përpiqen të bllokojnë mbylljen e Guantanamos dhe nuk dëshirojnë të anulohet Autorizimi për Përdorimin e Forcave Ushtarake, një ligj që u miratua pas 11 shtatorit 2001 dhe që është baza ligjore për shumicën e veprimeve gjatë “luftës kundër terrorit”.
I përballur me kritika për viktimat civile të shkaktuara nga sulmet e kryera me avionë pa pilotë, Obama tha se Shtetet e Bashkuara mund t’i përdorin këto sulme kur një kërcënim ishte i vazhdueshëm dhe real, një ndryshim në krahasim me politikën aktuale të targetimit të individëve që përbëjnë rrezik domethënës.
Kjo do të thotë se sulmet me avionë pa pilotë do të vihen nën kontrollin e Kongresit dhe se Pentagoni do të mund të marrë kontrollin mbi këto operacione në Jemen, që aktualisht janë në duart e CIA-s. Në Pakistan operacionet do të vijojnë të kryhen nga CIA.
Obama bëri të ditur se me vrasjen e udhëheqësit të Al-Kaedës, Osama bin Laden, më 2011-n dhe me vrasjen e shumicës së udhëheqësve të tjerë me sulme ajrore, ka ardhur koha për ndryshimin e politikës.
“Përtej Afganistanit, ne duhet të përkufizojmë përpjekjet tona jo si një ‘luftë botërore kundër terrorit’ e pakufizuar, por si një seri përpjekjesh të vazhdueshme për të shkatërruar rrjete specifike ekstremistësh të dhunshëm që kërcënojnë Amerikën”, tha Obama.
Grupimet e të drejtave të njeriut e mikpritën deklaratën e Obamës, i cili tha se Amerika nuk mundet të vijojë të qëndrojë “në një situatë lufte të vazhdueshme”, por disa aktivistë thanë se kjo nuk është e mjaftueshme.
Opozita republikane nuk ishte e lumtur. “Presidenti është korrekt në vlerësimin e suksesit të Amerikës në luftën kundër terrorit që nga sulmet e 11 shtatorit 2001”, tha senatori Marco Rubio, një republikan nga Florida, i përfolur si kandidat i mundshëm për president në zgjedhjet e vitit 2016.
“Ai është gjithsesi gabim kur nënvlerëson rrezikun e vazhdueshëm ndaj SHBA-së apo kur sugjeron se kërcënimi vrasës që përbën Al-Kaeda e dobësuar dhe aleatët e saj është një kthim te normat e para 11 shtatorit, të cilat amerikanët duhet t’i pranojnë”, tha Rubio në një deklaratë.