berisha-konventaKreu i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kreu i qeverisë, Sali Berisha në fjalën e tij në Konventën e PD u shpreh se pjesëmarrja masive e shqiptarëve në fushatën zgjedhore të PD-së është shprehja më e dukshme fitores së shkëlqyer më 23 qershor.


“Pjesëmarrja masive në këtë fushatë buron nga shpirti i shqiptarëve për projektet e Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane. Shqiptarët në të 4 anët e vendit e prekin dhe e ndiejnë, janë të sigurt se po ecin të sigurt në mandatin e tretë të Shqipërisë europiane. Shqiptarët mbushin sheshet tona se kanë besim se në 4 vitet e ardhshme do të kapim Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane”, u shpreh Berisha.


Ai akuzoi kreun e PS se dezinformon publikun kur flet për rrugët e pashtruara në Shqipëri, ndërkohë që sipas tij është krejt e kundërta, pasi qeveria ka shtruar 11 mijë km rrugë në të katër anët e Shqipërisë.


Duke iu referuar kohës kur Rama drejtonte bashkinë e Tiranës, Berisha e akuzoi atë se ka shpërdoruar miliona lekë investime të dhëna nga qeveria duke i bërë rrush e kumbulla me Koçon, ndërkohë që e la Tiranën pa rrugë e rrugica të asfaltuara.


“Ke qenë kryetar bashkie, o piktor i dështuar. E ke lenë qytetin tonë me 250 km rrugë dhe rrugica të pa asfaltuara. Mësoje këtu njeri i shkret, i varfër i mjerë në ide, se çdo rrugë ndërtohet me një projekt, se çdo rrugë ndërtohet mbi një preventiv, se çdo preventiv zbatohet me një financim dhe se o shoku i autobusit, vetëm fondi shqiptar i zhvillimit me 320 milionë dollarë ka ndërtuar kilometër për kilometër 1520 km rrugë. Ti je nga ata që ke marrë jo pak, por i bërë rroga dhe rrush e kumbulla me Koçon dhe le Tiranën pa rrugë. Duke parë se je i sëmurë nga rrugët, unë jam mjek e kam të thjesht ta kuptoj se të ka zënë dromofobia. Mendova të të ftoj 2-3 herë të inaugurojmë se bashku, por druaj se kjo kurë nuk të nxjerr nga sindromi ku ke rënë, ke gjet ilaçin. Ti rri në autobus, ne do shtrojmë rrugët”, tha Kryeministri.


Patozi: Nuk do të pushojmë asnjë çast derisa të bëhemi anëtarë të BE


Partia Demokratike mblodhi pasditen e sotme konventën e saj zgjedhore në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku prezantoi programin e saj elektoral.

Konventa e PD-së u çel nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, i cili duke sjellë në vëmendje arritjet e mazhorancës ndër vite, theksoi se PD nuk do të ndalet deri sa Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të barabarta ne BE


Patozi nënvizoi se shqiptarët me 23 qershor do të zgjedhin mes një lideri si Edi Rama që kërkon ta kthejë Shqipërinë vite pas dhe një lideri si Sali Berisha që punon për të çuar vendin përpara.


“Në këto 8 vjet ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 10 mijë km rrugë. Ne i kemi lidhur këto rrugë me pika kufitare. Kemi rikonstruktuar aeroportin “Nënë Tereza”, 1 mln e gjysmë udhëtarë në vit. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 45 rrjete të furnizimit me ujë. Ne po lidhim qytetarët me internet kudo që ata jetojnë. Ne kemi siguruar kujdes shëndetësor më të mirë. Në po lidhim Shqipërinë me Botën, sot me PD liberalizmi i vizave është bërë realitet. Jemi anëtarë krenar të NATO. Nuk do pushojmë asnjë çast derisa të bëhemi anëtare me të drejta të barabarta ne BE. Ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do ja dalim së bashku. Sot do flasim për zgjidhjen mes një lideri që po kërkon ta kthejë Shqipërinë vite dhe vite pas, dhe liderin dhe koalicionin e Sali Berishës që po kërkon ta çojë Shqipërinë para, për një Shqipëri të zhvilluar”, u shpreh Patozi.


Bregu: Rama përbuzi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, as komunisti më i egër nuk do e bënte


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu gjatë fjalës së saj në konventë e PD akuzoi kreun e PS, Edi Rama si bllokuesi më i madh i ëndrrave të shqiptarëve, që bllokoi statusin e Shqipërisë në BE për hir të karriges së tij.

“Rama është bllokuesi më i madh i ëndrrave të shqiptarëve. Në tetor kur Brukseli propozoi statusin për vendin tonë dhe na vuri kusht miratimin e tre ligjeve, të cilat u kthyen në refren për ne, si pasoi e një opozite bllokuese dhe antishqiptare. Edi Rama, kërkon të shkatërrojë gjithçka për hir të karriges, por ne e duam Shqipërinë dhe do votojmë Shqipërinë Europiane”, tha Bregu.


Ajo më tej iu referua diskutimeve të sotme të kreut të PS me banorë të Kamzës, ku sipas saj Rama përbuzi ‘Aleancën që ndërhyri për të ndaluar luftën në Kosovë’, NATO-n, gjë që sipas saj nuk do ta bënte as komunisti më i egër.


“Sot Rama u tha shqiptarëve në Kamëz se ‘Berisha ju futi në NATO dhe ju bë jeta natë’. Edhe komunisti më i egër nuk do të përgojonte NATO-n. Vetëm ti mund të përgojosh djersën, punën e shqiptarëve dhe luftën e shqiptarëve për të kaluar nga lindja në perëndim. Vetëm ti mund të përbuzësh Aleancën që ndërhyri për të ndaluar luftën në Kosovë, prandaj zoti Rama, shqiptarët do të të nisin së bashku me autobusin tënd drejt humnerës, pasi ti do humbësh, ndërsa ne do të festojmë Europën, do të festojmë Shqipërinë Europiane”, theksoi Bregu.


Basha: Rama mbajti peng për 11 vjet Tiranën, tani ja mbathi nga frika e bilancit që la


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij përshëndetëse në konventën e  PD akuzoi paraardhësin e tij, Edi Rama se për 11 vjet e mbajti peng Tiranën me parimin ” Unë dhe miqtë e mi jemi të parët”.

Sipas kreut të Bashkisë, për 11 vjet Rama kishte mundësi ta bënte kryeqytetin një qytet që ziente nga biznesi dhe investitorët, por në sajë të parimit të tij ai nuk bëri asgjë për njerëzit e thjeshtë, vetëm pasuroi miqtë e tij.


“Tirana ka sot, një plan për zhvillimin urban dhe kushtetutën e vet të zhvillimit ku është marrë parasysh zëri i çdo qytetari. Jemi zotuar dhe po bëjmë realitet ndërtimin e infrastrukturës në rrugët kryesore e dytësore, sepse për mua Tirana fillon në pragun e shtëpisë së çdo qytetari”, tha Basha.

Sipas kreybashkiakut,  Rama ia mbathi nga Tirana për zgjedhjet e 23 qershorit nga frika e bilancit të tij 11 vjeçar në bashki.


“Edi Rama mendon shpreson uron që qytetarët të kenë harruar, por kjo nuk është e vërtetë, ndaj dhe në këto zgjedhje, zgjodhi t’ia mbathë nga Tirana, pasi për 11 vjet kishte kohë për të bërë Tiranën dhe nuk e bëri”, theksoi Basha.


25 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)