Përplasja


Berisha: Mësuesit janë të lirë të propagandojnë


Berisha & RamaNga Peshkopia, gjatë përurimit të rikonstruksionit të gjimnazit “Sais Najdeni”, Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kreu e opozitës, Edi Rama, duke thënë se ai po kërcënon dhe ofendon mësuesit. “Alternativa tjetër është e provuar, zotëria i quan nxënësit dele dhe mësuesit më të padijshëm se 100 vite më parë. Iu thoshte qytetarëve të Tiranës, nuk ndërtova shkolla se nuk kisha para, 21 milionë euro kredi të garantuar ka pasur nga qeveria për shkolla. Me gjysmën e këtyre parave, Bashkia e Kamzës ka ndërtuar 13 shkolla, ndërsa ajo e Tiranës 7, sepse shkollat kërkonin troje, por trojet i merrnin pallatet e miqve të klientelës. Të heqë dorë nga ofendimet kolektive. Ditën tjetër u thotë mësuesve do shihni hekurat. Dje, i shkatërruar nervash, ka marrë në telefon drejtoreshën e njërës prej gjimnazeve më të mëdha në kryeqytet me kërcënimet më absurde se përse ti i thua këtë edhe atë nxënësve”, tha Berisha. Duke vijuar më tej, kreu i mazhorancës theksoi se arsimtarët janë të lirë të mbështesin partinë që ata besojnë. “I kërkoj zotërisë të heqë dorë nga ofendimet kolektive, pasi ato nuk i bëjnë nder një njeriu të qytetëruar. Unë u them arsimtarëve që jeni të lirë të mbështesni partinë që ju besoni. Ju nuk jeni qenie laboratorike. Ndaj dhe i kërkoj Ramës që t’i kërkojë zonjës të falur, të heqë dorë nga kërcënime të tilla. Disfata e radhës e pret, por ti je mësuar me disfatat. Respekto mësuesin dhe arsimin. E vërtetë është që arsimi ka të meta, por ato zgjidhen me përkushtim, përpjekje dhe motivim”, theksoi dje Berisha.


Reagimi i Ramës


I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i shefit të selisë rozë në lidhje me deklaratat e Berishës. Në reagimin e tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u bëri thirrje mësuesve dhe nxënësve të denoncojnë presionet e bëra nga Berisha. “Sali! Mos merr në qafë drejtorë shkolle, duke u kërkuar të rreshtojnë pas teje mësuesit e nxënësit. Është e paligjshme. Do ndëshkohet! Mësues e nxënës! Denonconi tek PS presionet e drejtorëve për t’ju futur me zor në rreshtin e Saliut. Çdo denoncim do ndiqet pas 23 qershorit”, shkruan Rama në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”.