Rritjes në dy vitet do t’i shtohet edhe kostoja e “privatizimit”


ARD KOLA


karburantiPrej 1 shtatorit 2011, qeveria aplikoi një skemë të re për llogaritjen e taksës së mjeteve të transportit, duke ndryshuar njëkohësisht edhe detyrimet ndaj karburanteve, konkretisht naftës dhe benzinës. U vendos taksa 5 lekë për litër, në lidhje me qarkullimin, e cila paguhet kur drejtuesi i mjetit blen naftë-benzinë në pikën e karburantit (pra i shtohet te çmimi). Po në këtë periudhë, qeveria vendos të rrisë taksën e karbonit, e cila prek direkt karburantin, duke aplikuar tarifën 3 lekë për naftën dhe 1.5 lekë për benzinën. Në janar 2012, taksa e qarkullimit për karburantet u bë 7 lekë, ose e thënë hapur 8.4 lekë bashkë me TVSH-në (që qeveria nuk e thotë asnjëherë).


Duhet sqaruar se më herët, Ministria e Financave unifikoi akcizën, duke e bërë 37 lekë për litër, si për naftën ashtu dhe për benzinën, kur më parë ishte në përqindje sipas vlerës, dhe në varësi të çmimit në tregje, tregtarët paguanin më pak ose më shumë. Këto janë vetëm tri lëvizjet e dy viteve të fundit, që nga llogaritjet e thjeshta, në bazë të konsumit të litrave të naftës dhe benzinës rezulton se shqiptarët të kenë paguar të paktën 70 milionë dollarë më tepër. Të gjitha këtyre detyrimeve u shtohet nga pas edhe taksa e TVSH-së, e cila është 20 për qind.


Analistët e tregut të karburanteve thonë se në çmimin e naftës apo benzinës, që sot është diku te 180 lekë për litër, pa frikë mund të thuhet se 100 lekë, mos më shumë, shkon për arkën e shtetit në formën e taksave të drejtpërdrejta apo indirekte (taksat portuale, koncesioneri i portit, regjistrimi i mjeteve, qarkullimit të tyre, kalibrimit, e zjarrfikësve, IQT për cilësinë dhe plot tarifa e taksa të tjera të pushtetit vendor si ato të gjelbërimit, të qëndrimit “non-stop” etj.).


Kjo është njëra anë e “zhvatjes” së shtetit me taksat për qytetarët e saj, pasi shumë shpejt pritet të nisë zbatimin koncesioni i markimit të karburanteve, që do të thotë se një kompani private do të kontrollojë tregun e naftës dhe benzinës, dhe në këmbim drejtuesit e mjeteve do të paguajnë një tarifë (fi), që sipas Shoqatës së Hidrokarbureve llogaritet në 10 lekë për litër, që ndryshe del 20 milionë dollarë të tjera minus për xhepin e konsumatorëve.


Po flasim vetëm për rritjen e kostos, për shkak të taksave, pasi ka debat edhe për çmimet reale të shitjes së karburantit në treg, sa realisht duhet të jetë në raport me bursat, me litrat që abuzohet etj., pra rezulton se shqiptarët humbasin gjithnjë e më shumë.


Karburantet dhe nënproduktet e tij përbëjnë peshën kryesore të të ardhurave në totalin e mbledhur nga doganat. Importet e lëndës djegëse ishin 431,835 tonë, ose 26 mijë tonë më pak se në 2011-n. Të ardhurat nga karburantet për 2012-n ishin rreth 350 milionë USD, ose sa 27 për qind e totalit të mbledhur për të gjitha produktet. Pra, “ari i zi” konsiderohet me rëndësi në totalin e të ardhurave. Vetëm nga akciza e karburanteve, dogana ka mbledhur rreth 3.4 miliardë lekë më pak se 2011-a, ose 13.8 për qind më poshtë. Një shpjegim lidhet me rritjen e çmimit të karburanteve, me të paktën 15-20 për qind në tri vitet e fundit, si pasojë e politikave të brendshme të rritjes së taksave dhe bursave (përfshi edhe ndonjë manovër të fiksimit të çmimeve).