Avokatët: 60% e grave paditëse kërkojnë pushimin e çështjes. Shkak, gjendja social-ekonomike
Shpresa Mezini
Dhuna në familje dhe pabarazitë gjinore përbëjnë problematika sociale te të cilat është përqendruar vëmendja e shumë aktorëve. Kudo, në kronikat e lajmeve në televizione, në radio, gazeta ose edhe në biseda mes miqsh a kolegësh flitet për pabarazitë gjinore dhe dhunën me bazë gjinore, si një nga shkaqet e renditura në listën e gjatë të arsyeve që çojnë në konflikte, vrasje, vetëvrasjeve apo divorce.
Mirëpo, një element i rëndësishëm që vërehet në këtë draft, njëkohësisht tregues i ri për mentalitetin tonë është edhe divorci me pëlqimin reciprok të bashkëshortëve, si një nga rastet e zgjidhjes së martesave, parashikuar nga Kodi i Familjes.
Sipas të dhënave, rezulton se është rritur numri i çifteve që i drejtohen gjykatës me një projekt marrëveshje të firmosur në zyrat noteriale me pëlqimin e palëve, që zgjidh martesën dhe rregullon pasojat e saj, si ushtrimi i përgjegjësisë prindërore, detyrimi për ushqim, e drejta e takimit të fëmijëve apo çështje të pasurisë së krijuar gjatë martesës. Praktikë paqësore, që shmang çdo rrugë që nxit konflikte apo incidente mes tyre.
Ndër të tjera në draft theksohet se një tjetër element që vërehet dukshëm është rritja e pushimeve të çështjeve, kur paditëse janë gratë, 60% e tyre, tregues që konstaton se femrat për shkak të vështirësive sociale apo ekonomike ndërpresin çështjen, duke tërhequr kërkesën për divorc.
“Qendra për Nisma Ligjore Qytetare”, në kuadrin e projektit “Përgatitja e kërkesëpadive strategjike për forcimin e të drejtave njerëzore të grave dhe rritjen e aksesit të tyre në mekanizmat mbrojtës kombëtarë dhe ndërkombëtarë”, me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) dhe qeverisë suedeze ka kryer një monitorim të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndër të tjera edhe me objekt zgjidhje martese dhe lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrave të mbrojtjes, për periudhën e vitit 2011 dhe 1 janar-31 maj 2012.
“Gjatë vitit 2011 ka rezultuar një përqindje më e lartë e paditëseve gra, 58.3% në raport me 41.7% paditës burra. Për periudhën e monitoruar gjatë vitit 2012, kërkesat për zgjidhje martese të paraqitura nga gratë zënë 53.1% të rasteve. Pra në përqindjen më të lartë të rasteve janë gratë ato që i drejtohen gjykatës me një kërkesë për zgjidhjen e martesës. Sipas të dhënave mësohet se për periudhën objekt monitorimi, në vendimet e pushimit rezulton se në rreth 60% të rasteve kërkesë padia për zgjidhje martese është paraqitur nga gratë. Pra janë gratë ato që ose nuk paraqiten ose paraqiten dhe tërhiqen nga kërkesa e tyre për zgjidhjen e martesës dhe në këto kushte gjykata pushon gjykimin. Ndonëse në dukje pushimi i gjykimit lidhet me shkaqe ligjore, janë problematika të ndryshme sociale me të cilat përballen gratë që i bëjnë ato të tërhiqen nga gjykimi”, shpjegon
Aurela Bozo, avokate. Sipas saj, gjykata përpara se të vendosë të drejtën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore për fëmijët e mitur, bën një analizë të gjerë për mundësitë dhe cilësitë e nënës si prind i përshtatshëm duke e lidhur këtë me afeksionin, sigurinë, atashimin, disiplinimin e shëndetshëm, qëndrimin që nëna mban në lidhje me raportin e fëmijëve me prindin tjetër, proces që në përqindjen më të lartë të rasteve ia ka lënë nënës të drejtën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore.
“Në rastet kur zgjidhja e martesës bëhet në mungesë të bashkëshortit, babait të fëmijëve, është konstatuar se gjykata vendos, duke i dhënë të drejtën e takimit dhe të drejtën për të marrë fëmijën me pushime babait, pa bërë asnjë analizë rreth tij”, thekson Besa Saraçi, avokate e QNL-së.