LETRA E LUCA-S PËR RIKEN
Përshëndetje zemra ime!
Nuk e kam të lehtë të gjej fjalët për të përshkruar këtë muaj kur ti s’ke qenë pranë meje. Por gjëja e parë që më vjen ndër mend është që jam krenar për ty!
Ke qenë e njëjta Rike si gjithmonë, ajo që njohim të gjithë, serioze, e sinqertë dhe e vendosur, me pak fjalë, vajza që të gjithë do donin të kishin në krah…
Ti e di që pas pak ditësh është përvjetori ynë: 7 vite të mrekullueshëm që kemi kaluar, duke u rritur bashkë që të vegjël. Një histori të cilën vetëm unë e ti e dimë dhe vetëm ne mund ta kuptojmë sa shumë duhemi.
Shpresoj dhe jam i bindur që nuk do të mbarojë kurrë, sepse askush nuk na ka ndarë dot e askush nuk do të na ndajë.
Ky muaj ka qenë shumë i vështirë. Nuk kemi qenë kurrë kaq larg njëri-tjetrit, por së shpejti do të jemi sërish bashkë.
Sido që të shkojë, për mua ti je fituesja dhe në shtëpi mezi po presim që të rikthehesh.
Të dua shumë jeta ime
Gjysmëfinalja e mbushur plot surpriza. Rikja merr një letër nga i dashuri, ndërsa Anaidi merr dhuratë një motor. Katër finalistët e finales së madhe janë: Shpendi,Elona, Anaidi,Iliri
Surpriza dhe emocione të forta kanë shoqëruar gjysmëfinalen e “Big Brother Albania”. Vetëm katër banorë shkuan në finalen e madhe që do të jetë këtë të shtunë. Opinionisti i “Big Brother”, Arjan Konomi, u shpreh në fillim të spektaklit se katër janë ata që e meritojnë vërtet finalen e madhe. Vetë banorët, të pyetur nga Arbana, u shprehën se do t’u vinte keq nëse nuk do të ishin pjesë e finales pas kaq kohësh qëndrimi brenda në shtëpi. Të pyetur nëse këto kohë kanë bërë miq aty brenda, Iliri tha se nuk mund të thotë mik, por ka persona që mund t’i vlerësojë kur të dalin jashtë. Për Anaidin, me të gjithë mund të jetë miq, përveç Ilirit. Për Elonën, sikurse Anaidi, personi që nuk mund të jetë mik është Iliri dhe nënvizon edhe miqësinë e saj me Riken. Gjatë spektaklit dje u fol dhe për sekretet dhe kush ishte i pari që i ka zbuluar ato dhe sa para ka secili prej tyre në llogari prej zbulimit të tyre. Klipi i parë që u transmetua është për zbulimin e sekreteve që ka bërë Anaidi në shtëpinë e “Big Brother”. Teksa shfaqet klipi, Elona dhe Anaidi qeshën teksa dëgjojnë intuitën e Anaidit për zbulimin e sekretit të Elonës. Sipas llogarive, Anaidi ka gjetur tre sekrete dhe shprehet shumë i lumtur që ka bërë një gjë të tillë. Arbana më pas pyeti Elonën nëse e kishte kuptuar që Anaidi i kishte zbuluar sekretin. Elona përgjigjet pozitivisht, duke thënë se ai është treguar shumë i kujdesshëm ndaj detajeve. Arbana më pas i ftoi banorët të ndjekin një klip për provën e javës “Unë jam ti”. Teksa shfaqet kripi, banorët qeshin shumë për shkak dhe të sensit të humorit që kjo provë kishte. Sipas provës së javës, banorët duhet të jetonin nën petkun e njëri-tjetrit duke krijuar situata shumë komike mes tyre. Arbana më pas i pyet banorët se si ndikoi prova në marrëdhëniet e tyre. Sipas Ilirit, mënyra se si Elona e ka përfaqësuar atë, nuk është ashtu siç ajo e bëri. Shpendi tregon se nuk e kishte aspak problem për të përfaqësuar Eldorën, madje edhe ajo tregon se është zbavitur duke parë Shpendin si ajo. Elona vlerëson lojën e djemve megjithëse e kanë tepruar pak me ekzagjerime, sipas saj.
Një surprizë emocionuese “Big Brother” kishte rezervuar dje për Riken. Pas futjes në shtëpinë e “Big Brother”, ajo mendonte se nuk do ta gjente më jashtë të dashurin e saj Luca prej shtatë vitesh, i cili nuk ishte dakord që ajo të futej në këtë lojë. Pasi jepet një klip ku Rikja flet për marrëdhënien e saj me Luca-n, Arbana i thotë se është e lirë të bëjë një komunikim me telefon me të, për të parë në ai e pret akoma. Pasi i bie telefonit dy herë, i dashuri nuk përgjigjet, gjë që shton emocionin e Rikes. Më pas, Arbana e fton Riken të hapë një zarf që i ishte dërguar asaj. Në të ishte një letër nga Luca, ku i thoshte se i mungonte dhe se e donte ende si më parë.
Anaidi
Anaidi është një nga banorët më energjikë të shtëpisë së “Big Brother”, energji që e karakterizon edhe në jetën e përditshme. Një nga pasionet e tij më të mëdha është motori dhe xhirot me shpejtësi. Përmes një klipi, ai ka treguar dje gjithçka për këtë pasion të madh. Dy njerëzit e tij më të dashur të afërm kanë qenë dje në oborrin e shtëpisë së “Big Brother”, Igli, i vëllai, dhe Iva, kushërira. Ata folën gjoja të indinjuar për shpejtësinë që Anaidi përdor në ngarjen e motorit. Ata bëjnë sikur e prishin një motor që është në oborr. Pas takimit me Anaidin, ata ikin duke i lënë në dorë një kuti dhuratë. Aty ndodheshin çelësat e një motori të ri, që është dhuratë për të nga familja.
Elona dhe Rikja
Pusulla që Elona i shkroi Rikes javën e kaluar ka qenë objekt diskutimi mes dy vajzave dhe banorëve. Elona tha se në letër kishte shkruar diçka personale ndaj e kishte grisur. Rikja nuk pranoi të flasë për atë çfarë ishte shkruar në letër, duke qenë se i kishte premtuar Elonës që nuk do të fliste.

