Tarifat – Biznesi kërkoi aplikimin e tarifave 3-5 për qind për rivlerësimin e pronave të paluajtshme, makinerive dhe pajisjeve, por Kuvendi miratoi tarifat 6-7 për qind, mbi diferencën, sipas ministrisë
Rezultati – Edhe pse amnistia u shty deri në mars 2012, sërish rezultati ishte negativ. Sipas Financave, Nga 57 miliardë lekë detyrime doganore dhe tatimore të papaguara, u paguan rreth 14 miliardë lekë
Kapitali – Qeveria synonte thithjen e kapitalit të huaj, duke “ftuar” individët të depozitonin në banka paratë e krijuara në “rrugë të ndryshme”, por u mblodhën vetëm 4 milionë dollarë, kundrejt tarifës 3%
Bilanci
Iniciativa e qeverisë mund të dështojë si dy vjet më parë
Ndryshe nga Shqipëria, amnistitë në vende të ndryshme realizohen të paktën një herë në 10 vjet
ARD KOLA
Propozimet e biznesit për amnisti fiskale u artikuluan në vitin 2009, periudhë kur në sistemin bankar ishin tërhequr rreth 600 milionë euro nga depozitat. Qeveria synonte të thithte sa më shumë likuiditet, kurse debati mbi paketën e çlirimit të kapitaleve kulmoi në fillim të vitit 2011. Biznesi ishte tërësisht dakord, por me kushtin e ofrimit të garancisë nga Ministria e Financave se nuk do të ndëshkoheshin pas procesit të amnistisë (verifikimi i vetëdeklarimeve). Kjo garanci nuk u dha. Amnistia nisi zbatimin në muajt e verës 2011, periudhë pushimesh. Duke pasur parasysh edhe mungesën e fushatës sensibilizuese nga ana e qeverisë, rezultatet në fund të muajit dhjetor, kur skadonte afati, ishin vërtet zhgënjyese.
Biznesi kërkoi ulje të tarifave të legalizimit, por qeveria nuk i mori në konsideratë. Edhe pse amnistia u shty deri në mars 2012, sërish rezultati ishte negativ. Nga 57 miliardë lekë detyrime doganore dhe tatimore të papaguara, u paguan rreth 14 miliardë lekë.
Megjithatë, qeveria miratoi dje një paketë që sërish bie në “kundërshtim” me propozimet e biznesit. Dhoma e Tregtisë, Industrisë, Tiranë, ofroi draftin e hartuar nga juristët dhe ekspertët e saj, duke prekur disa nene të ligjit, ku në thelb kërkohej garanci, ulje të tarifave për legalizimin dhe ndëshkim të tatimorëve që nxjerrin informacionet e bilanceve të rivlerësuara. Biznesi kërkoi aplikimin e tarifave 3-5 për qind për rivlerësimin e pronave të paluajtshme dhe makinerive, por Kuvendi miratoi tarifat 6-7 për qind.
Edhe pse qeveria shqiptare e mori një herë “përgjigjen” e biznesit në vitin 2011, duke injoruar disa kërkesa, ajo sërish dje kaloi të njëjtën paketë, si dy vjet më parë. Duket qartë se manovra e Kryeministrit ishte për të ngacmuar ndjenjat e elektoratit, por shumë gjasa mund t’i kthehet në bumerang.
Duhet thënë se amnistia fiskale solli edhe një lloj përçarje te biznesi. Një pjesë e mirë ishin kundër paketës me faljen e disa taksave dhe gjobave, pasi demotivonin kategorinë e sipërmarrjes së ndershme.
Rikthimi i një tjetër pakete brenda tre viteve, në kushtet kur administrata tatimore dhe doganore nuk po mundin të menaxhojnë si duhet planet e tyre të të ardhurave nga taksat, konsiderohet nga ekspertët si “vrastare” për sistemin fiskal. Aq më tepër, kur në fushatë, deri më tani nga forcat politike janë premtuar ulje të mëtejshme të taksave, ndërgjegjja e biznesit apo individit për të paguar detyrimet mund të binte shumë poshtë.
Në këto 25 vitet e fundit, rreth 40 shtete në SHBA kanë ligjëruar forma të ndryshme të amnistisë fiskale. Amnisti ka pasur edhe në vende si Belgjika, Franca, Irlanda, Zvicra dhe Italia, ku te kjo e fundit rezultatet e procesit të viteve 2002-2003 ishin vërtet pozitive, amnisti ka pasur në plot vende të Amerikës Latine dhe në ato aziatike.
Megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, këto vende kanë synuar të thithin kapitalin e huaj, pra tërheqjen e parave nga jashtë. Këtë synim e pati edhe qeveria shqiptare, duke “ftuar” individët të depozitonin në banka paratë e krijuara në “rrugë të ndryshme” dhe të padeklaruara, kundrejt tarifës së legalizimit prej 3 për qind, por u mblodhën vetëm 4 milionë dollarë.
TATIMET
Në total nga ana e komisioneve të Faljes, janë falur 44,734 raste në vlerën 3.6 miliardë lekë. Nga ana e biznesit është paguar shuma prej 35,3 milion lek, për 448 raste.
Për borxhet deri në vitin 2008:
– Biznesit të madh i është falur shuma 2.5 miliard lekë, për 4,870 raste
– Biznesit të vogël i është falur shuma 387 milion lekë, për 14,860 raste
– Individëve u janë falur 214,7 milion lek, për 5,317 raste
Për borxhet e vitit 2009:
Janë falur 2,013 raste në vlerën 70.8 milion lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 39 raste në vlerën 812 mijë lekë.
Për borxhet e vitit 2010:
Janë falur 3,446 raste në vlerën 87.8 milion lekë dhe është bërë pagesa e tatimit për 149 raste në vlerën 15 milion lekë .
DOGANA
Në total janë falur 10.7 miliardë lekë detyrime doganore, nga të cilat kanë përfituar 1,456 biznese dhe janë paguar 18,6 milionë lekë.
Për borxhet deri në vitin 2008:
Janë falur 10.6 miliardë lekë për 1703 raste ( 1327 subjekte )
Për borxhet e vitit 2009:
Janë falur 25.5 milion lekë për 63 raste ( 58 subjekte )
Janë paguar 3.5 milion lekë nga 42 raste ( 29 subjekte )
Për borxhet e vitit 2010:
Janë falur 97 milion lekë për 111 raste ( 71 subjekte )
Janë paguar 15.1 milion lekë nga 26 raste ( 21 subjekte )
Debati
Opozita akuzon Kryeministrin: Amnistia, për fushatë. Berisha: Jo me inat
“E shikoni biznesin si lopa për mjelje”
Kryeministri tentoi dje në Kuvend të provokonte disa herë opozitën në momentin kur do të votohej paketa me faljen e gjobave dhe disa taksave të papaguara, në kuadër të amnistisë fiskale. “Çfarë do t’u thoni bizneseve që takoni në rast se nuk e votoni, si do të justifikoheni. A jeni ju, apo kryetari juaj, që u keni thënë bizneseve se do të falni gjobat e vendosura pas datës 1 mars. Hajdeni pra, votojeni amnistinë, mos e merrni me inat”, iu drejtua Kryeministri, deputetëve të opozitës.
Reagimi erdhi nga socialisti Sajmir Tahiri. “Ajo çfarë po bëni nuk është gjë tjetër vetëm fushatë e pastër politike. U kujtuat tani për biznesin, pas 8 vitesh në pushtet, kur, nga ana tjetër, nuk keni bërë asgjë tjetër, por e keni shkatërruar me gjoba. Për ju, biznesi nuk është veçse një lopë që duhet mjelë dhe asgjë më shumë”.
Tahiri tha se pas datës 23 qershor, Partia Socialiste do të vërë në zbatim projektin e saj të plotë në ndihmë të bizneseve, që përfshin lehtësi akoma dhe më të mëdha sesa “palo” amnisti të kërkuara nga qeverisja e demokratëve.
Seanca e djeshme për miratimin e projektligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të detyrimeve tatimore dhe doganore”, ishte fundi i turpshëm i deputetëve të mazhorancës, të cilët votuan një paketë pa pasur asnjë informacion. Të paktën, një ditë para votimit, një pjesë e deputetëve, madje dhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, i cili dje mbajti fjalim për projektin, nuk kishin asnjë informacion për ato çfarë kishte deklaruar Kryeministri gjatë ditëve të fundit. “Nuk dimë se çfarë të votojmë, nuk ia kemi haberin asgjëje”, ishte reagimi në grup i deputetëve të djathtë, ndërsa dje ata votuan të gjithë pro, duke injoruar sakaq kërkesat e fundit të biznesit.
Duhet thënë se informacion nuk kishte as Ministria e Financave dhe se i gjithë operacioni është kryer brenda një ore. Paketa me faljen mori 67 vota pra, nga 72 të mundshmet.
A.K.
Tahiri tha se pas datës 23 qershor, PS do vërë në zbatim projektin e saj të plotë pro bizneseve