Drafti që rikthen kohën e Ballukut në ushtri. Zhvlerësohen gradat

Alarmi i Lleshit: Po shkatërrohet hierarkia në Forcat e Armatosura

Lleshi: Imami ndryshoi hierarkinë ushtarake të karrierës

Projektligji për disiplinën ushtarake ka përfshirë në objektin e tij ndalime të karakterit politik, fetar dhe shoqëror

“Ndryshimi i ligjit për disiplinën ushtarake e kthen FA-në si në kohën e diktaturës, kur drejtohej nga Beqir Balluku”

“Ngritja në detyrë shmang hierarkinë e gradave, bazohet vetëm te funksionet”

Herion Mesi 

imami gjunkshi nishani salaMinistria e Mbrojtjes ka përgatitur një draft të ri për disiplinimin e karrierës në Forcat e Armatosura, i cili zhvlerëson spaletat, i jep peshë më shumë postit, pra karriges, ndërkohë që u heq ushtarakëve disa të drejta themelore që ua jep Kushtetuta dhe statusi. Denoncimi ka ardhur nga numri dy i FA-së, i saposhkarkuar nga Presidenti Nishani. Kjo jo vetëm me qëndrim, por edhe me shkrim, ku kontestohen me detaje nenet e draftit. Karriera ushtarake në Forcat e Armatosura e një ushtaraku nuk ka të bëjë më me parimin e ngritjes në detyrë bazuar në kriterin e hierarkisë së gradave, por në atë të funksioneve në detyrë. Në një kohë kur ligji për disiplinën ushtarake bazohej te gradat ushtarake, projekti i ri, i propozuar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, që u miratua pak javë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, bazohet vetëm te funksionet. Është ky mendimi i ish-zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm, Sandër Lleshi, i liruar nga Forcat e Armatosura tri ditë më parë, me dekret të Presidentit Bujar Nishani. Në një letër drejtuar Imamit dhe Gjunkshit, gjeneral Lleshi shpjegon të metat dhe paraqet sugjerimet që, sipas tij, vërehen në mangësitë e projektit të propozuar nga dy drejtuesit e FA-së. “Nëse ligji ekzistues u jep ushtarakëve, sipas gradave përkatëse kompetenca në fushën e disiplinës, projekti i ri i fshin të gjitha kompetencat e gradave dhe i përqendron ato vetëm te disa funksione komandimi të përcaktuara nominalisht. Ky ndryshim përbën një tjetër devijim parimor nga sistemi i hierarkisë së mbështetur te grada ushtarake”, thekson Lleshi. Gjenerali i Brigadës shkon më tej në argumentimin e tij, i cili paralajmëron ministrin Imami se ky vendim e kthen Ushtrinë Shqiptare si në kohën e diktaturës komuniste, kur ushtria drejtohej nga ministri i asaj kohe, Beqir Balluku, gjë që, sipas tij, do ta cenonte dhe do të prodhonte efekte të rënda për të ardhmen e Forcave të Armatosura. “Ky ndryshim përbën një precedent shqetësues për të ardhmen e një force ushtarake moderne dhe profesioniste. Nëse këtij shqetësimi i shtojmë edhe eksperiencën krejtësisht unike dhe fatkeqe të Shqipërisë komuniste me gradat ushtarake, duhet thënë se cenimi i parimeve shekullore dhe mbarë botërore në fushën e hierarkisë ushtarake, jo vetëm që është i pavend, por mund të prodhojë efekte të rënda për të ardhmen e FA-së”, shkruan Lleshi në shkresën e tij. Gjithashtu, një tjetër problem shqetësues që ish-numri dy i ushtrisë shqiptare shikon në projektligjin e Imamit “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, është ndëshkimi i ushtarakëve me metodën e uljes së gradave si masë disiplinore. “Ulja e gradës së oficerëve për shkaqe disiplinore është një praktikë e panjohur ndër ushtritë e vendeve të NATO-s. Futja e një praktike të tillë unike, siç është degradimi, do të dëmtonte në palcë sistemin e një ushtrie moderne që mbështetet te hierarkia dhe profesionalizmi. Në të njëjtën kohë, zbatimi i një praktike të tillë do të zhvlerësonte thelbin e kuptimit të gradave ushtarake”, thotë Lleshi. Gradat ushtarake nuk jepen, thekson ai më tej, por fitohen në sajë të meritës nga vetë ushtarakët. “Vetëm gjykatat në raste ekstreme, përmes vendimesh të formës së prerë, mund të marrin vendime për heqjen dhe jo për uljen e gradës ushtarake, në kushte qartësisht të përcaktuara dhe për shkelje shumë të rënda ligjore. Në ushtritë e vendeve demokratike, oficerët që shkelin rregulloret, disiplinën ushtarake apo ligjin ndëshkohen, sipas rastit, deri dhe në lirim pa nder nga ushtria, me heqje lirie apo me masa të tjera. Por heqja e gradës është një masë krejtësisht ekstreme, ndërkohë që ulja e saj është krejtësisht pa kuptim”, shpjegon gjenerali. Për gjeneral Lleshin, projektligji nuk i referohet asnjë praktike konkrete nga vendet e NATO-s, dhe shqetësues për të është dhe fakti që kjo nismë ligjore nuk është konsultuar më parë me grupet e interesit. “Ngutja aktuale për të shkëputur nga paketa ligjore vetëm pjesën për disiplinën dhe futja e saj në proces miratimi pa asnjë proces të mirëfilltë në SHPFA, është e pajustifikuar”, thotë Lleshi në shkresën drejtuar ministrit Arben Imami.

 

Dyshimi i gjeneralit

“Një shoqatë integraliste kërkoi largimin tim nga FA”

Në një tjetër shkresë të tij, ish-zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Sandër Lleshi, i shpreh shqetësimin ministrit Imami dhe shefit të Shtabit Xhemal Gjunkshi, për disa sulme mediatike ndaj tij, por edhe të tjera, të cilat bëhen nga burime anonime, por jo vetëm, dhe që Lleshi thekson se “janë sulme me karakter dezinformues” në adresë të tij. Në këtë shkresë Lleshi thekson se ministria nuk e lejoi atë të bënte përgënjeshtrimin e lajmit se ai ishte përfshirë në listat shumemërore të kandidatëve për deputetë nga parti politike. Lleshi më tej hedh dyshimet se shkarkimi i tij ka marrë shkas prej një letre nga Kanadaja drejtuar Presidentit të Republikës Bujar Nishani. “Kur ushtaraku, gjatë kryerjes së detyrës shtetërore bën dallime mbi baza origjine, seksi, gjendjeje shëndetësore, bindjeje fetare, politike, të përkatësisë së një etnie, kombësie, race apo feje të caktuar, që shprehen në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet”, thuhet në letrën e Rexhep Karrukut, i cili i drejtohet kreut të shtetit në emër të kryesisë së Forumit Shqiptar të Kanadasë. Për vetë Lleshin mbetet e paqartë autorësia dhe roli i këtij forumi te FA-ja.

 

Qëndrimi

Deputeti socialist, akuza Nishanit: I hoqi se denoncuan skandalet

Balla: Ky është turpi i radhës i Presidentit kukull

Taulant Balla, kandidat për deputet në Qarkun e Elbasanit, menjëherë pas daljes në shtyp të deklaratave të gjeneralëve të liruar, i ka komentuar si fakte të reja të dosjes së abuzimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. “Gjeneral brigade Dhori Spirollari, i liruar nga posti i komandantit të Forcës Ajrore, gjeneral brigade Abaz Lleshi, i liruar nga posti i Komandantit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale, dhe gjeneral brigade Sandër Lleshi, i liruar nga posti i zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, bënë publike një sërë skandalesh e abuzimesh, që tanimë e bëjnë të qartë për të gjithë shqiptarët përse Ben Imami dhe Sali Berisha e refuzuan në mënyrë krejtësisht antikushtetuese e antiligjore kontrollin parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes”. Më tej, Balla e quan lirimin e dy gjeneralëve si turpin e radhës të një Presidenti kukull, sepse ata kanë guxuar të denoncojnë abuzimet e ministrit. “Kapteri president i liroi të tre gjeneralët nga detyra me një dokument që ngjan më tepër me një letër bakalli, pa ofruar asnjë lloj argumenti. Ky është turpi i radhës i një presidenti kukull, i vënë në atë post thjesht e vetëm për të firmosur e vulosur abuzimet e Kryeministrit në ikje. Arsyeja e vërtetë për lirimin e gjeneralëve, në fakt nuk ka të bëjë as me ligjin, e as me Kushtetutën, por me faktin që të tre gjeneralët në fjalë kanë guxuar të denoncojnë abuzimet e skandalet e ministrit Imami dhe kupolës drejtuese të Forcave të Armatosura nën drejtimin e Arben Imamit”. Partia Socialiste, vijon më tej Balla, do të zbardhë të gjitha shkeljet dhe abuzimet e bëra. “Do të hetojmë shitjen e pronave të ushtrisë, do të hetojmë milionat me të cilat ministri Imami po konkurron kompanitë e telefonisë celulare për reklama në mediat e pushtetit, por do të hetojmë edhe denoncimet që u bënë sot publike nga tre gjeneralët e liruar, duke nisur që nga shpërdorimi i Forcave të Armatosura, i burimeve të tyre materiale e njerëzore për të kryer punë private apo për të ndihmuar ministrin Imami në fushatë”, ka përfunduar Balla. B. Nergjoni

Autor te 1 Qershor 2013. Kryesoret, Politikë, Shqipëria voton 2013. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • kosta

    I nderuar moderator…..ju bera komentin rreth ketij materiali…..nuk kuptoi ku eshte shkelur e drejta e gazetes apo e individeve qe komenti nuk eshte botuar……

  • kosta

    Zoterinje Gjeneral…ne ato qe ju shkruani, mendoi se keni te drejte por, zoterinje te nderuar, do te ishit shume te vleresuar nqse do ta benit akuzen qyshse ju vune mbi krya minister Imamin sepse ju e dinit qe ai vinte nga udheheqesia rrebele qe i vuri flaken Shqiperise, nga nja paaftesi totale ne te gjitha fushat ku ai tentoi te vepronte gje ju kushtua rrebelimit….ju e dinit se Nishani vinte nga heroizmi ne mbrojtjen e shattores se diktatorit, i perjashtuar nga ushtria si Bujar MEHMETI dhe i ripranuar me nderhyrjen e A. Serreqit, por me mbiemer te ndryshuar ne NISHANI……i njohur si servil por edhe si drejtues shume i dobet ne te gjitha ministrite qe ka drejtuar, per mos te folur per paaftesine fizike te tije….ju e dinit se gjeneral Gjunkshi vinte nga nje aktivitet korruptive me ushtaret qe sherbejne ne Afganistan dhe Irak……pra ju i dinit te gjitha keto por heshtet sepse ju pelqyen gradat dhe beneficet e tyre…..ju zoterinje gjenerale duhet te protestonit dhe te jepnit doreheqjen kur ju vune minister Imamin por edhe kur ju bene nje…….per kom. te pergjithshem….tani jeni shume te vonuar….gjenerale……..