Kartat bankare, rreziku vjen nga interneti

Pas klonimit, ekspertët paralajmërojnë risqe të tjera. Shifrat e humbjeve në 2012-n

Print PrintNumri i përdoruesve të kartave bankare është rritur ndjeshëm, po ashtu edhe transfertat. Nga ana tyre, bankat kanë zgjeruar shërbimet për t’u qëndruar klientëve sa më pranë për nevojat e financimit. Por ka një rrezik që quhet mashtrim. Nëse në vitin 2011, analistët e sigurisë së kartave bankare u përballën me furinë e mashtrimeve të kartave, klonimi i tyre duke vjedhur të dhënat e klientëve, thyer informacionet, që më pas shfrytëzohen për përvetësimin e shumave në vlerë disa dhjetëra mijë euro.

Çdo shumë e humbur për klientin zëvendësohet direkt nga banka, pra nuk ka minuse në llogari, por problemi qëndron te parandalimi i fenomeneve mashtrim. Në vitin 2012, risia ishte “krimi kompjuterik”, mashtrimi përmes faqeve të internetit, që shërbejnë për blerje online të mallrave apo shërbimeve.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, numri i kartave bankare ka arritur në 2012-n në 777,407, ku rreth 7 për qind e tyre e zënë kartat e kreditit. Pika automate, të cilat shërbejnë për të tërhequr para janë gjithsej rreth 820 kurse POS-se (pikat e blerjes me kartë) janë gjithsej 5,266.

Për të tretin vit radhazi, Shoqata e Bankave zhvilloi një forum në Tiranë për sigurinë e kartave dhe luftës ndaj mashtrimeve. Enkelejda Balliu, nga Komiteti i Luftës Kundër Mashtrimeve me Kartat, tregon për rëndësinë e pagesave elektronike, ecurinë e rasteve të mashtrimeve dhe masat që janë marrë për t’i parandaluar.

“Eksplozioni i teknologjive të reja është një mundësi e pafundme për të rritur biznesin. Kjo na jep mundësinë t’u ofrojmë klientëve kaq shumë mënyra dhe mjete pagese për mallra dhe shërbime. Megjithatë, sfida për ne dhe gjithë lojtarët e industrisë është që t’u sigurojnë klientëve mënyra dhe mjete pagese sa më të sigurta”, thotë Balliu.

Rastet e mashtrimeve në 2012-n në Shqipëri kanë pësuar ulje të fortë në raport me vitin 2011. Ulja shënon 203 për qind të totalit në vlerë, ndërsa një vit më parë shënoi një rritje prej 54 për qind. Aktualisht, përdorimi i internetit dhe shërbimet që ofrohen me kartat për pagesat e ndryshme është i përhapur dhe evident. Bankat kanë rritur masat e sigurisë, që për çdo pagesë për blerje apo transaksion, kërkojnë vazhdimisht konfirmim. Megjithatë, rreziku ekziston.

“Pra kemi tri herë më pak mashtrime në Shqipëri. Për sa i përket strukturës së llojit të mashtrimeve në 2012-s kemi 48 për qind mashtrime me karta jo prezente (përdorim në internet), 36 për qind raste të kopjimit të të dhënave të kartave dhe 16 për qind mashtrime me karta të vjedhura apo të humbura. Kartat e kopjuara janë përdorur kryesisht në ATM”, tregon Balliu.

Për vitet 2010-2012, 92 për qind e rasteve të mashtrimeve kanë ndodhur jashtë territorit shqiptar kryesisht: SHBA, Australi, Britani, Bullgari, Greqi, Itali, Kinë, Spanjë, Francë, Meksikë dhe 8 për qind në Shqipëri.

Analistët vlerësojnë se përdorimi i kartave bankare ndihmon në zhvillimin ekonomik të një vendi, madje nxit më tej PBB-në. Sondazhet tregojnë se ndikimi i pagesave elektronike shkon nga 0.6 për qind deri në 1.6 për qind në rritjen e Prodhimit Kombëtar.

Viti 2012-a shënoi rritje 12.6 për qind të pagesave me karta në totalin e pagesave krahasuar me vitet e mëparshme. Raporti i tërheqjeve cash në automate me përdorimin e kartës në POS është 91 për qind tërheqje në ATM dhe 1 për qind blerje në POS.

Në vendet e Europës, ky raport është në të kundërt: 75 për qind blerje në POS dhe 25 për qind tërheqje nga ATM.

A.K

 

 

 

Masat e marra nga bankat

Kartat të pajisura me teknologjinë CHIP

Elementë të sigurisë 3D për përdorim në internet;

Aplikimi i autorizimit të avancuar, i cili parandalon mashtrimin para se të ndodhë;

Certifikimi i ATM-ve për njohjen dhe pranimin e CHIP;

Pajisja e ATM-ve me kamera dhe pajisje të parandalimit të kopjimit të kartave, si dhe mbrojtja e leximit të pinit nga tastiera;

 

 

 

Treguesit

1.2 milionë transaksione në 2012-n, por “dobët” me rajonin

Kujdes pinin, kontrolloni shpesh llogarinë

 

Ekspertët e sigurisë së bankave në sektorin e mashtrimeve me kartat nuk ngurrojnë të apelojnë për kujdes ndaj klientëve, pavarësisht masave të marra nga sistemi. Kujdesi i parë është ruajtja e pinit (kodi i kartës) dhe aplikimi i blerjeve në faqet e internetit të sigurta. Madje, një këshillë është që pini të mos i tregohet askujt, as policisë apo bankës (banka nuk pyet kurrë për pinin).

Kontrolloni veprimet me kartë vazhdimisht pas përdorimit në internet dhe ndërroni kartën nëse e përdorni shpesh atë në internet, janë të tjera këshilla. Kontrolloni me sy ATM-në para se të kryeni veprimin për ndonjë pajisje të dyshimtë dhe lajmëroni menjëherë bankën nëse konstatoni atë, dhe në fund, ruani faturat.

Vitin e kaluar, patëm një rritje të pagesave elektronike me 12.6 për qind, në raport me 2011-n, kurse raporti i tërheqjeve cash në automate me përdorimin e kartës në POS është 91 për qind tërheqje në ATM dhe 1 për qind blerje në POS.

Të dhënat nga Shoqata e Bankave tregojnë se në muaj kryhen 1.2 milionë transaksione me kartat, me vlerë rreth 12 miliardë lekë, kurse transaksione online kemi 25 mijë me vlerë mujore 11.3 miliardë lekë. Nëse e krahasojmë me vendet e tjera, Shqipëria parqet tregues të ulët, si në aspektin e posedimit të kartës, ashtu edhe në vlerë të transaksioneve. Në Shqipëri, një në katër banor ka kartë bankare, në Bullgari pothuajse ka çdo banor, në Itali dhe Greqi raporti është mbi 1, pra çdo banor ka më shumë se një kartë etj. Sa u takon shpenzimeve në raport me kartat, në Shqipëri është rreth 1 mijë euro, kurse në vendet e tjera është dy apo tre herë më shumë (të dhënat për vitin 2011).

A.K.

 

Autor te 3 Qershor 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Bankieri

    Enkelejda eshte nje nga ekspertet dhe drejtuesit me me ekspericence ne fushen e kartave. Faleminderit per sugjerimet dhe keshillat tuaja