Mbi 3 mijë mësues në “garë” për rritje page

Atestimi

Provimi do të zhvillohet këtë muaj. Kushti, 5, 10, 20 vjet përvojë në arsim

Shpresa Mezini

mesuesMbi 3 mijë mësues nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen këtë muaj testit të kualifikimit. Nuk bëhet fjalë për provimin e shtetit, por për atestimin, që teston vetëm arsimtarët që plotësojnë kushtin e përcaktuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, provimin e zhvillojnë vetëm mësuesit që kanë 5, 10 apo 15 vjet përvojë pune në këtë fushë, ndërsa nota është ajo që përcakton shtesën që pëson paga.

Shtesa e pagës me 5, 10 apo 20% bëhet në bazë të rezultatit që mësuesi arrin në vlerësim, provim që vlerëson njohuritë që mësuesit, kryesisht ata me përvojë relativisht mesatare në arsim.

Specialistët e MASH bëjnë me dije se mësuesit gjatë zhvillimit të testit do të monitorohen nga administratorë të përzgjedhur, të cilët synojnë arritjen e një procesi transparent dhe eliminimin e abuzimeve. Nga të dhënat e deritanishme mësohet se nuk është përcaktuar ende data fikse e zhvillimit të provimit, por dihet me siguri që testimi do të bëhet këtë muaj.

Specialistët shtuan se fill pas përfundimit të testit, fletët e provimeve do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit nga specialistët e Institutit të Zhvillimit të Arsimit në Tiranë dhe vetëm pas kësaj, rezultatet e secilit kandidat do të dërgohen nëpër drejtoritë arsimore përkatëse.

Atestimi zhvillohet për të gjashtin vit radhazi në Tiranë, për të shmangur abuzimet gjatë këtij procesi të vlerësimit të njohurive të mësuesve. Ndryshimi i vetëm është se këtë vit do të jetë Instituti i Zhvillimit të Arsimit, ai që do të administrojë të gjithë procesin. Mësohet se ka qenë pikërisht ky institucion ai që ka hartuar programet vjetore për provimin e kualifikimit në të cilin përshkruhen objektivat e arritjeve të kandidatëve dhe literatura e detyrueshme profesionale.

Zyrtarisht sqarohet se për të siguruar një mbarëvajtje korrekte të këtij procesi, IZHA ka trajnuar më parë të gjithë personat që do të jenë përgjegjës të provimeve duke përfshirë këtu administratorët, sekretuesit, hartuesit e fondit të kërkesave dhe të testit, si dhe vlerësuesit e testeve. Mbi 3 mijë arsimtarë, nga i gjithë vendi do të testohen në 37 profile, ndërsa për zhvillimin e testit, ata do të jenë të ndarë në ambiente të veçanta, sipas profileve.

Në udhëzimin e MASH-it, për atestimin e mësuesve thuhet se do të ketë një sërë ndëshkimesh për administratorët që nuk respektojnë rregullat rigoroze të zhvillimit të testimit, për ata që lejojnë që mësuesit të kopjojnë. Madje, në të saktësohet se në rast abuzimesh nga ana e tyre, do të ketë edhe masë për largimin nga puna.

Sipas kritereve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit i nënshtrohen vetëm ata mësues të cilët kanë plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim.

“Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2012, kanë siguruar 5 vite pune si arsimtarë, kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Ndërkohë që më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar 20 vjet në arsim”, shpjegojnë specialistët e MASH-it. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të testohen jo vetëm për të vënë në provë njohuritë personale në këtë fushë, por edhe për të përfituar rritje page që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.

 

Provimi

Afro 3 mijë mësues nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen këtë muaj atestimit, testi i kualifikimit që vlerëson njohuritë e tyre

 

Synimi

Qëllimi i atestimit është të përcaktojë nivelin e kualifikimit të secilit mësues, por edhe për të përfituar rritje page

 

Monitorimi

Mësuesit gjatë zhvillimit të testit do të monitorohen nga administratorë të përzgjedhur për të shmangur abuzimet

 

Zbatimi

Atestimi zhvillohet për të gjashtin vit radhazi në Tiranë, për të shmangur abuzimet gjatë këtij procesi të vlerësimit të njohurive

 

Risia

Ndryshimi i vetëm është se këtë vit do të jetë Instituti i Zhvillimit të Arsimit ai që do të administrojë procesin

 

Ndarja

Mbi 3 mijë mësues nga i gjithë vendi do të testohen në 37 profile, ndërsa për zhvillimin e testit do të jenë të ndarë

 

Shtesa

Mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5%, për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%

Autor te 3 Qershor 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry